Krizat ushtarake aktuale dhe detyrat e ekonomisë shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

 

Ekonomia shqiptare sido që të jetë situata jashtë kufijve të saj është e cenueshme, pasi ka lënë hapësira të sovranitetit të saj të mos jenë faktor ndikues në raste shpërthimi të krizave ushtarake dhe ekonomike. Rasti kur nafta që prodhohet në vend nuk pati asnjë peshë lehtësuese për tregun vendas gjatë krizës së çmimeve pas agresionit rus në Ukrainë është një fakt me peshë për të marrë veprime ndryshe pa pritur që lufta e saponisur mes Hamas dhe Israelit të ndikojë dhe më shumë. Shqipëria sipas analizave politike dhe ushtarake mbi sigurinë duket se nuk ka gjasa të përballet me një kërcënim të afërt ushtarak. Megjithatë, Shqipëria përballet me kërcënime të përditshme ekonomike si të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe çdo vend tjetër në një rajon e më gjerë, pasi çmimet e mallrave të konsumit dhe kryesisht ato që lidhen me produktet energjetike kanë prirjen të rriten shumë më shpejt nga çdo parashikim teorik i mundshëm. Konkretisht ndikimi i krizave ushtarake në Europë, veçanërisht kriza e gjithanshme midis Serbisë dhe Kosovës kanë prekur Shqipërinë në pikën e saj të dobët, sektorin e energjisë, e cila edhe sipas Kryeministri Rama “…është shtylla kurrizore e të gjithë sistemit ekonomik të vendit në mes të kërcënimit gjithnjë e më në rritje të një krize energjetike të thelluar”[1]. Gjithsesi, ndikimi në rastin e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të marrë kohë për t’u bërë i qartë dhe do të varet nga sa do të zgjasë konflikti, sa intensiv do të bëhet dhe nëse do të përhapet në pjesë të tjera të rajonit. “Është shumë herët për të thënë” cilat mund të jenë implikimet, megjithëse tregjet e naftës dhe aksioneve mund të kenë pasoja të menjëhershme, thotë edhe Agustin Carstens, menaxher i përgjithshëm i Bankës për Shlyerjet Ndërkombëtare, në një prezantim për Shoqatën Kombëtare për Biznesin Ekonomik[2].

 

Gjithsesi në kontekstin e ekonomisë së vogël dhe të hapur të Shqipërisë, luftërat kanë potencialin që të paktën të shtojnë një grup të paparashikueshëm ndikimesh në ekonomi, tashmë edhe pse duket sikur po ecën mirë, në fakt është ngadalësuar nga inflacioni dhe informaliteti politik dhe ekonomik dhe ende po përshtatet me qasjen që të mbahen normat e interesit të larta më gjatë se sa është përmendur deri tani. Ekonomia ka dëshmuar varfërimin e kapacitetit të saj të furnizimit nën shkallën e përshkallëzimit të ndikimeve nga jashtë dhe brenda saj dhe kjo duket se ka zgjeruar segmente të sektorit informal. Bizneset i kanë mbijetuar krizave të viteve të fundit duke përdorur kursimet e tyre dhe duke u ndikuar nga një optimizëm jo real se situata do të rregullohej. Mirëpo në kushtet aktuale, kur kursi i këmbimit me një euro të dobët, si dhe ulja e konkurueshmërisë të prodhimeve kryesore dhe me vlerë në treg, e shoqëruar nga një krizë e fortë korrupsioni po i detyron bizneset të zvogëlojnë aktivitetet e tyre. Investimet e huaja direkte, të nevojshme për modernizimin ekonomik kanë marrë një tendencë në rënie në ata sektorë që krijojnë premisa për një rritje të kapitalit aktiv për rritjen e qëndrueshme. Këto nivele treguese të ekonomisë theksohen nga një zhvendosje në bazën industriale drejt aktiviteteve me produktivitet të ulët dhe me pagë të ulët. Periudha aktuale ka dëshmuar gjithashtu një stanjacion të përgjithshëm të madhësisë mesatare të ndërmarrjeve dhe një zgjerim të mikro-ndërmarrjeve, me më pak se dhjetë punëtorë[3]. Megjithatë, ekonomia ka arritur të thithë një pjesë të atyre që kanë hyrë rishtazi në treg[4]. Por futjet e të rinjve në treg, si dhe rifutjet e emigrantëve të kthyer në Shqipëri në mënyrë jo të organizuar ka mbajtur një nivel të ulët produktiviteti, duke dobësuar më tej kapacitetin e furnizimit të ekonomisë me forca pune dhe përvoja shtesë. E gjithë situata aktuale do të ketë padashur një ndikim në projektet e investimeve të parashikuara për tu kryer dhe ato që po kryhen, për aq kohë sa të marrë përgjigje dilema nëse do të jetë ky konflikt i ri një përsëritje, një përforcim i konfliktit Rusi-Ukrainë, apo zhvillime të reja brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor do të ndodhin dhe do të nxjerrin jashtë binarëve ekuilibrin afatgjatë? Banka e Shqipërisë në këtë rast duhet, që pas analizës së saj bazuar mbi faktet e reja të komunikojë për publikun dhe tregun nëse ka të ngjarë që situata aktuale jashtë vendit të çojë në presione të reja inflacioniste, nisur nga frika se tregu i naftës rriti menjëherë çmimin. Por nga ana tjetër, edhe transporti ndërkombëtar do të ketë një ndikim në koston e importeve shqiptare, pasi mallrat dhe paisjet nga Kina (në vend të dytë për importet shqiptare për 8-mujorin 2023) kalojnë përmes Gjirit të Suezit. Pra, nisur nga fakti se ekonomia shqiptare mezi kishte nisur të belbëzonte diçka ndryshe duke përdorur valutat e ofertuara me tepri nga jashtë për të ndihmuar tregun e ndërtimit dhe segmente e lidhura me të (transport, tregti, mekanikë dhe shërbime për pasuritë e paluajtshme), një situatë e tillë e paqartë është një goditje për besimin se si do ta amortizojë ekonomia shqiptare.

Lexo edhe :  Rilindja dhe zhvillimi turizmit në Elbasanin 3 mijë vjeçar

 

Çmimet e larta të energjisë me gjasa të pritshme për tu rritur duhet të ndikojnë në vendimet për rezervat energjetike dhe ato të hidrokarbureve duke nxitur institucionet për një kontroll dhe analizim të plotë të situatës, njësoj si të ishte një prag lufte. Po kështu, situata duhet shoshitur sipas politikave të sigurisë edhe për investimet e rëndësishme në proces në sektorin energjetik dhe transport. Nga ana tjetër, nisur nga përvojat e vitit të fundit, ndikimet nga tregjet e importit të ushqimeve, si një rrezik i mundshëm për perspektivën e tyre në funksion të lehtësimit gradual të inflacionit, duhet të nxitin projektet për prodhimin dhe blerjen e produkteve vendase bazuar mbi marëdhënie të reja. Një kolaps i prodhimeve bujqësore është një goditje direkte e konsumit masiv. Instrumentat e tjera (financiare dhe fiskale) që mund të përdoren ka të ngjarë të mos e shmangin një recesion, apo një tronditjeje të papritur të tregut, i cili mund të reagojë duke spekuluar pasi përfiton nga informaliteti, korrupsioni politik dhe paaftësia e klasës politike për të marrë vendime në kohë. Ndërsa politika e rritjes së normave të interesit të tregut nuk mund të shihet si një burim i mundshëm i frenimit të inflacionit, në fakt duhen inkurajuar konsumatorët dhe bizneset të marrin hua dhe të shpenzojnë, pasi ky optimizim i konsumit gjallëron dhe lëviz edhe segmentet e ekonomisë, të cilat kanë qenë në pasivitet prej ekuilibrit të ri të detyruar të këmbimit të euros me lekun dhe pritshmërisë e nxitur nga pasiguria për të ardhmen. Është koha që analizat për politika të tejskajshme si oferta monetare direkte nga njera anë dhe demonetizimi nga ana tjetër duhen konsideruar si të zakonshme në këtë situatë të pazakontë. Të mos harrojmë që ekonomia nuk mund të durojë më tej kufizimin e lirisë së saj si ndodhi me vendosjen e bordeve që kalbëzuan marëdhëniet tregtare dhe që ende ndihen se kanë ndryshuar raportet në tregun e brendshëm, në dëm të konsumit dhe interesave publike.

 

 

Të fundit

Crystal Palace turpëron Manchester United në “Selhurst Park”, Ten Hag drejt shkarkimit

Manchester United turpërohet nga Crystal Palace në javën e 36-të të Premier League-s. “Djajtë e Kuq”, të cilët udhëtonin...

Napoli humbet “rrugën” e fitores, Udinese merr një pikë të artë në fundin e sfidës

Napoli nuk di më si të fitojë. Në ndeshjen që mbylli javën e 35-të të Serisë A, skuadra e drejtuar nga Calzona nuk shkoi...

Flet fqinji i babit të Alma Arrazit: I kishte kërkuar ndihmë të atit pak ditë më parë

Azem Bushati babai i Alma Arrazit, 39-vjeçares e cila u vetëmbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj të mitur, banon...

“Vajza e brishtë e martuar me të fortin e lagjes”, gazetari i njohur zbulon detajet

Gazetari Ferdinant Xhaferri ka treguar në një emision televiziv shkaqet e mundshme të ngjarjes tragjike të ndodhur tre ditë më parë në Shkodër, ku...

Tragjedia në lumin Buna/ Reagon Fevziu: Fëmijës nuk ka të drejtë t’ja marrë jetën askush

Qyteti mikpritës e bujar i Shkodrës u zgjua nën kujën e lotëve, ku një nënë e re i dha fund jetës së saj dhe...

Lajme të tjera

Web TV