Turizmi i organizuar pritet të ketë një panoramë edhe më pozitive në vitin 2024, nëse i referohemi angazhimit që kanë marrë aktualisht agjencitë e huaja me operatorët turistikë shqiptarë.
Por çmimet me të cilat Shqipëria do të shitet në këto tregje do të jenë dukshëm më të larta, duke arritur deri në 25% më shtrenjtë.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe njëkohësisht operator turistik, shprehet se ndoshta këto çmime të rritura mund të na penalizojnë disi në kushtet kur jemi në të njëjtat nivele, si disa rajone me histori të gjatë turizmi.
Ky ndryshim në kosto, sipas z. Kasa, erdhi si rrjedhojë e kostove të rritura në shumë aspekte për operatorët turistikë, por edhe si zhvlerësim i Euros, e cila në kontratat e mëparshme nuk ishte marrë parasysh, duke qenë se u forcua më shumë këtë vit.
Turizmi i organizuar është pjesë e rëndësishme e turizmit në vend, me rritje të vazhdueshme nga viti në vit në shifra dhe që funksionon me kontrata garancie. Si ishte kërkesa në vitin 2023?
Gjatë vitit 2023 patëm një rritje të turistëve që vijnë të organizuar, siç patëm edhe rritje të tregjeve që bëhen pjesë e Shqipërisë në këtë formë.
Agjencitë patën rritje të numrit të dhomave të rezervuara në struktura me të cilat kanë bashkëpunim prej vitesh, aty ku ka qenë e mundur ose kanë kontraktuar edhe hotele të reja për të operuar në këtë formë, pra me garanci.
Tregu kryesor gjatë 2023 në turizmin e organizuar mbetet ai polak dhe më pas vijnë çekët, spanjollët. Pati prani turistësh edhe nga vendet Baltike, Hungaria, Sllovakia.
Të organizuar me block seat (rezervim vendesh në linja ajrore por jo charter të posaçëm) janë nordikët, gjermanët dhe Zvicra
Çdo sezon vere, agjencitë e huaja që kanë bashkëpunim me operatorët turistikë shqiptarë mbyllin kontratat për vitin e ardhshëm, pra në këtë rast për 2024. Si paraqitet kërkesa për verën e ardhshme dhe a ka tregje të reja?
Ka pasur rritje të kërkesës nga tregjet ekzistuese edhe për verën e ardhshme. Nuk shohim ndonjë treg të ri, përveç atyre që kemi që të bjerë në sy. Kontrata janë mbyllur dhe nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu është një rritje që shkon deri në 35% e ‘commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie.
Këtë vit janë ezauruar kapacitetet që jepen me garanci dhe disa partnerë kanë siguruar kërkesat e tyre, kurse disa të tjerë nuk kanë arritur të gjejnë kapacitetin e kërkuar. Edhe për vitin e ardhshëm, tregu polak kryeson dhe më pas vjen ai çek e të tjerët me radhë.
A ka ndonjë prani të dukshme tregu aziatik në formë të organizuar për turizmin e detit dhe rërës?
Tregu aziatik ka një rritje të lehtë, por nuk po vijnë në formën tipike të organizuar, por nëpërmjet linjave low cost që janë shtuar. Gjithsesi ky grup nuk ka interes për turizmin e detit dhe rërës. Janë më të interesuar për turizmin kulturor historik.
Këtë vit, rënia e Euros i vuri në vështirësi një pjesë të sipërmarrësve që operojnë me kontrata garancie, për shkak të zhvlerësimit që pësoi ndaj Lekut. A është reflektuar ky efekt te çmimet e reja të garancisë?
Çmimet që u vendosën këtë vit në kontrata garancie, të cilat i takojnë sezonit të ardhshëm, kanë shënuar rritje drastike që varion nga 15-25% që nuk është normale për një marrëdhënie bashkëpunimi siç kemi ne me agjencitë e huaja.
Me këtë nivel, Shqipëria do të shitet 25% më shtrenjtë dhe klienti që është mësuar me çmimet e viteve të kaluara, do të befasohet me një çmim dukshëm më të lartë. Le të themi që nëse një paketë është shitur 1000 euro, tani do të shitet 250 euro më shumë dhe vlera nuk është e vogël.
Kjo rritje e konsiderueshme është efekt i zhvlerësimit të Euros dhe kostove të rritura dhe na është dashur shumë punë që të bindnim bashkëpunëtorët të pranonin këtë çmim, duke u sqaruar çdo detaj me rregullin e treshit, pasi për ta ishte e pakonceptueshme.
Me këtë rritje jemi në nivelin e çmimeve që kanë destinacionet popullore greke, jo ato elitare, por rajone si Kreta, Halkidiki madje, tek kjo e fundit, ndoshta mund të gjesh çmime më të lira se në Shqipëri. Ndërkohë që marrëveshjet ‘allotment’, pra paguan sa sjell, apo ato ‘on request’ (sipas kërkesës) janë më të shtrenjta.
Cilat janë pikat më të forta të Shqipërisë në sytë e turistëve, sipas përshtypjeve që merrni nga agjencitë?
Vlerësohet pozitivisht ushqimi, i cili ka qenë mirë, i pëlqyer dhe në pritshmëritë që kanë turistët.
Një tjetër aspekt është numri i madh i njësive akomoduese të reja, të cilat kanë një cilësi të mirë të ndërtimit dhe organizimit, duke integruar edhe lehtësi të tjera brenda pagesës, si dhe plazhi gjithashtu i përfshirë, që u jep mundësinë partnerëve ta marketojnë mirë.
Këtë verë, infrastruktura ka qenë pak më mirë dhe pastrimi apo menaxhimi i mbetjeve gjithashtu disi më mirë se viti e kaluar.
Turistët vlerësojnë edhe bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe atraksionet kulturore që ndodhen afër hoteleve. Ka pasur një rritje të guidave turistike të turistëve të organizuar pranë pikave historike dhe kulturore.
Edhe shërbimet e tjera të lidhura me turizmin, siç përmenda guidat apo transporti turistik, ka qenë më i organizuar.
Cila është problematika më e dukshme në sektor sipas jush, e cila vihet re në struktura?
Problem gjithmonë është shërbimi. Kjo ka të bëjë me mungesën e stafit të kualifikuar dhe të pakualifikuar, si sanitarë apo punonjës mirëmbajtjeje. Hotelet prej vitesh në sektor kanë ende një bërthamë punonjësish që i mbajnë pavarësisht lëvizjeve, ndërsa strukturat e reja e di që e kanë pasur shumë të vështirë të sigurojnë staf dhe rrjedhimisht, edhe shërbim në nivel të lartë.
Dua të shtoj diçka në lidhje me akomodimin pasi rritja e dukshme e turizmit individual, që zë pjesën më të madhe të turizmit në tërësi, do të nxjerrë në pah mungesën e kapaciteteve, mendoj se kërkesa gjithmonë e më e madhe nga ky grup dhe paaftësia për t’ju përgjigjur asaj do të jetë problem.
Nëse lëmë pas turizmin e organizuar dhe flasim për turizmin në tërësi pra edhe për atë individual, si e prisni vitin 2024?
Shqipëria, që u bë trend në vitin 2023, mendoj se do të ketë të njëjtën rritje edhe në vitin 2024. Nëse kjo ndodh, mendoj se sfida më e madhe do të mbetet sërish shërbimi, pasi në njërën anë na rriten numrat e turistëve dhe në anën tjetër, na pakësohen punonjësit pasi emigrimi ende vijon të mbetet aktiv.
Ky është problem më i madh që shoh. Njerëzit po vijnë, por nëse nuk ke shërbim, do të na kthehet në bumerang, pasi do të na dëmtojë imazhin. E nëse ndodh kjo, mendoj se do plotësohet cikli dhe pas vitit 2030 nuk do të kemi më rritje.
Mungesa e fuqisë punëtore është një problematikë e nisur prej disa vitesh dhe nuk ka një politikë të qartë për zgjidhje. Si sektor me rëndësi jo të vogël në ekonomi, çfarë mendoni se mund të bëhet?
Problemi që ne kemi thënë dhe më parë lidhet me faktin që ky është një biznes sezonal. Duhet gjetur një zgjidhje që njerëzit të jenë me kontrata të rregullta. Të rregullohet ligjërisht favorizimi apo nxitja e punonjësve dhe sektorit, në mënyrë që të mos ndodhë ky fenomen.
Alternativa e dytë është plotësimi i vendeve të lira me punonjës nga vendet e botës së tretë. Kjo masë duhet të nisë më herët se sezoni për të pasur mundësi që të trajnohen. Hemorragjia e emigrimit do të vazhdojë dhe problemi do të jetë i madh.
Cilat janë disa nga masat që duhet të merren për sezonin e ardhshëm?
Masat e sezonit të ardhshëm duhet të ndërtohen mbi ato që pamë këtë vit si problem. Për shembull, aksi Sarandë-Ksamil ka pasur mjaft probleme në pikun e sezonit dhe mendoj se qeveria duhet të rishikojë ndonjë mënyrë alternative për të çliruar këtë aks.
Duhet të bëhet ose një zgjerim i rrugës, ose një lidhje e dy pikave me një rrugë alternative.
Në këndvështrimin tuaj, cila pjesë e bregdetit është më e qëndrueshme në turizëm?
Sot për sot mendoj se Golemi është pjesa më e qëndrueshme e turizmit në vend. Ka kapacitete të mëdha akomoduese, struktura me përvojë më të gjerë në ofrimin e shërbimeve dhe paketave si dhe infrastrukturë më të konsoliduar./ Monitor S,M