Ky pirg me plehra është krijuar nga mbetjet urbane që hedh Njësia Vendore e Orikumit. Është ajo çfarë do të shohin turistët pak kilometra përpara ujërave blu e turkezë që bënë xhiron e botës në mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Mbetjet këtu hidhen prej shumë kohësh dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Blendi Fevziu: Është një situatë skandaloze, e papranueshme që në një nga zonat më turistike të vendit, jo vetëm kjo fushë, por edhe fusha përballë, të jenë të mbushura me mbetje të tilla, të mos kenë asnjë dorë pastrimi, asnjë përgjegjës. Kjo situatë është e papranueshme për çdo cep të globit, edhe më të pazhvilluarat dhe është jashtë çdo standardi për Shqipërinë që kërkon të krijojë çdo strukturë të mirëfilltë turistike.
Kjo njollë e zezë është dëmi më i madh që po u bëhet përpjekjeve për të thithur sa më shumë turistë dhe për të pasur një turizëm elitar.
Blendi Fevziu: Unë nuk e kuptoj sesi mund të bëjmë thirrje për të pasur turizëm në kushte e rrethana të tilla, ku buzë rrugës çdo turist, e para duhet të ndalojë të kapë hundën me dorë dhe e dyta do tmerrohet kur të shohë mbetje të këtij lloji.
Derisa autoritetet të ndërhyjnë, këto pamje skandaloze mund të bëjnë xhiron e botës dhe të minojnë gjithçka po bëhet që këtë vit Shqipëria të kalojë shifrën e 10 milionë turistëve./O.S