Nga Agron Gjekmarkaj
Gojëdhënat thonë që dikur një “zot shtëpie” ndante punët në mëngjes, ku dikë e çonte për dru, dikë me bagëti, tjetrin në arë e vetë thoshte unë “po thej qafën në një dasmë”.
Kështu edhe Babo virani ku leh qen e ku del tym nëpër ziafete ku e ftojnë të tjerët e çave jua terezit vetë.
Pasi mërzi e madhe i ka rrokanisur kokën prej luftës në Ukrainë ku vende si Amerika, Gjermania, Franca nuk po e kapin ushkurin e paqes për ta lidhur mejtoi t’ja gjente vetë terezinë. Çoi haber si në balada dhe krerët e shteteve erdhën një nga një.
Ajo që ra në sy ishte që në krah mbante Mamicen çehreplotë e të pikëlluar nga gjëmat e konfliktit. Flokët i kishte bërë rrjete telash më gjemba ku çdo jezit mund të binte therror i gjakosur.
Shfaqja e saj në krah të Babos kur fatet e atij qerrata glob merren në dorë, shton shumë pandehmat dhe rënkimet mos është një hap nga promovimi?! Mos e cakton Komisare të OKB per paqen? Pasi të ftuarit erdhën dhe diskutuan gjerë e gjatë qysh atij zullap Putin t’i tregojnë munxet, Babua doli me propozime konkrete.
E shikoni këtë burrin, tha, dhe gishtin drejtoi nga Niko Nikoqiri. Si të hutuar ata tundën kokën.
Mbrojtjen e Ukrainës do e marrë ky në dorë, jo Austin jo më the e të thashë. Niko është strateg, e ka dorën melhem. Kur të vijë ky bëhen def taborret e Rusisë. Në pak javë Donbasi e Krimeja bëhen tonat. Pastaj sjell edhe ndoca rroba të përdoruara si i vjen ndorësh.
Ministri i mbrojtjes së Ukrainës u skuq pak dhe uli kokën nga xhelozia, por edhe Nikua me modesti e përcolli.
Popullata civile nuk duhet të bjerë në depresion. Një tur muzikor e bën Mamica me Mimi di Puccini me këngë xhaz se këto e kanë zënë llaftar të qëruar. Për t’u darovitur me shah kam Shalsin. Klosin për ndoj dorë letra.
Zelensky ndërhyri e me takt tha na duhen orator më shumë diksion e temp, ata që yshtin masën të ketë besim te lideri. Ah, aty për aty Babo hazerxhevap tha kam dy që të marrin gjak në vetull për oratori Tezen dhe Dilon. Madje, kohët e fundit Dilua është diçka më mirë.
Fjalimi i tij në asamble u pa nga të gjithë si manifest për fitoren. Unë synoj që në pak kohë gjithë partia dhe shoqëria të flasin si Dilua, ai është shumë frymëzues. Çudi nuk kuptoja pse prej shumë ditësh Dilua na rrinte rënde dhe nuk i dukeshim më të sërës së tij e paskësh patur nga statusi i ri prej Demosteni. Po kjo Tezja pyeti Kuleba?! Eh, në fakt ajo edhe flet por ka raste që edhe ja merr vençe, po do pak raki ballë kazani e kërmë të pjekur! Pastaj tingujt si melek i ka. Jo jo tha Zelensky më mirë Dilua se kjo paska shpenzime.
Dezertorë e trazovaçe keni pyeti Babua?! Po kemi ndoca, tha një ushtarak. Unë kam dermanin për këtë punë ju jap Klotildën e Ermon. Ato të marrin gjak në vetull. I kurdis e s’ke nevojë ta kthesh kokën pas, u këpusin qafen qafirve.
Diçka nuk po ecte. Babo u tha nëse e keni fjalën për rindërtimin ah rënkoi kam patur një deli tigrush ai ju bënte punë po çe do iku me la pendët dhe na cimbis nga Lugano.
Tani për inceneratorë nuk keni nevojë se i djeg zjarri i topave mbeturinat besoj, po kur të kini kemi goxha eksperiencë dhe u japim. Në burg kam një skuadër ekspertesh dhe në tjetër që gatitet për të hyrë.
Kur të çlirojmë Krimenë u dërgoj Tezen dhe Gonxhen ata bëjnë një ligj për zonat e mbrojtura e ca nga ato pyjet i heqim e me Lalen Çet bëjmë ca binara të mëdha.
Po ky që rri pas teje kaq i sertë, pyeti dikush Babon! Aa këtë mos ma kërkoni, ky është Taoja, të cilin e kam edhe vezir për punët e brendshme, por edhe kryetar të opozitës properëndimore. Po iku ky Luli më bie në depresion. Misteri përreth Taos u shtua. Ai për ta përligjur atë zymtohej ende më.
Për gajret pas fitoreve ndanë zjarreve partizane në zonat e okupuara u jap Bujarin e Lushnjës dhe Ismenë ata përjetësojnë bëmat, heroizmin në shekuj.
Po na duhen ca zahire tha dikush. Mos kini dert jepni një licensë të hapë supermarkete Vullnetit dhe jua ëmbëlson gojën me çfarë të lipset.
Ne të opozitës, teksa admironim gjithë këtë u mblodhëm në zyrën e Liderit në perspektivë, Gazi i cili nuk na qerasi as me kafe. Shyqyr që unë nuk flas, por po të qe Salianji aty do lebetitej dynjaja kjo munxë.
Por, trazimin na e zbuti pakëz ardhja e Jorushit të Tabakëve e cila kishte luftuar në kushtetuese si Bubulina në revolucion. Aty bëmë dhe një resme e cila mori dhenë. Mërziti lulushërinë, ca në partinë tonë se thanë po vjen edhe Jorushi e ndjekur nga melankolia e na zë vënë, e po kaq ca të qeverisë se thanë e mbyllen bashkimin këta.
Këta tonet harruan që vetë Doktori e quajti aset të çmuar të PD Jorushin e Tabakëve, ndaj unë e Gaz Bardhi vdekjen e mendojmë po t’i thyejmë më zemrën Doktorit kurrë, më mirë të na fshijë damllaja, boll ja kemi bërë qejfin qeder.
Nderkohë që kronika bën të vetën, Babua ka çelur dasmën tjetër dhe ka dalë në shteg të oborrit e pret krushqit. Vërtitet lart e poshtë dhe sheh nga Presidenca. Po ky mavria Bake xhani mendon ç’bën ? Bakja qet kryet ky i tund gishtin dhe ai fshihet. Humori i kthehet edhe pse moti ja ka behur jangëllesh sot. Dasmorët po vinë. Ditmari do dalë përsëri t’i komentojë në darkë dhe do marrë përgëzime për cilësinë e autocensurës.