Ish- kryeministri Sali Berisha i ka dhënë “bekimin” Gazmend Bardhit për të marrë vendime të rëndësishme në emër të Rithemelimit, siç është dhe kthimi në normalitet i jetës parlamentare. Nga ana tjetër Basha pretendon se ka një marrëveshje mes Bardhit dhe Partisë Socialiste. Alibeja pretendon për një marrëveshje okulte. Sot do të mblidhet Koferenca e Kryetarëve për ngritjen e dy komisioneve hetimore
Sot do të mbledhet Konferenca e Kryetarëve ku do të diskutohet për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Prej disa kohësh, krerët e grupeve parlamentare të PS-së dhe të Rithemelimit kanë nisur negociatat për të kthyer jetën normale parlamentare. Negociatat kanë nisur me ndërhyrjen e kryeparlamentares Lindita Nikolla, për shtensionimin e situatës. Opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe maxhoranca ka deklaruar se është e hapur që të plotësojë këto kërkesa. Pas negociatave intensive të 2 javëve të fundit mes kryetarit të grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçit dhe homologut të tij demokrat Gazment Bardhit, pritet që opozita të heqë dorë nga strategjia bllokuese që në seancën e 21 marsit. Kompromisi, që me shumë gjasë, do të finalizohet në fillimin e javës së ardhshme, është arritur pasi socialistët kanë pranuar një nga dy kërkesat e panegociueshme të demokratëve, atë për Komisionet Hetimore, ndonëse pjesërisht. Shumica ka pranuar 2 prej 8 kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, por nuk bëhet e ditur se cilat prej tyre.
Reagimi i Alibeajt
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj përmes një deklarate për shtyp ditën e sotme ka konfirmuar aludimet se mes mazhorancës socialiste dhe opozitës së Rithemelimit ka negociata. Alibeaj i cilësoi ato si “pazare okulte” ndërsa theksoi se “tani që letrat janë hapur, Partia Socialiste duhet të ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj?”. Alibeaj në reagimin e tij shkruan se i është drejtuar me një thirrje publike Partisë Socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje kryesore që ka të bëjë me dështimin e reformës zgjedhore. “A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga komisioni i reformës zgjedhore ku palët janë të barabarta në kushte barazie dhe të kalojë pastaj në komisionin e ligjeve, ku Partia Socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative të njëanshmë, për sa kohë që opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga rasti t’i bëj të njëjtën thirrje: a po kërkon Partia Socialiste të dështojë komisionin e reformës zgjedhore? A po kërkon ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votave opozitare, të mund të ndërmarë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme”, thuhet në reagim. Ai shkruan më tej se Partia Socialiste nuk i ka dashur listat e hapura, votën e diasporës, votën e gjysmës së shqiptarëve jashtë territorit. “E di që PS nuk e do që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore që vota e shqiptarëve në veri a në jug të jetë e barabartë. Sepse do që nëpërmjet këtij sistemi të marrë në mënyrë jo të drejtë më së paku 6-7 mandate në tavolinë. E di që partia socialiste nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj pyetja që unë kam edhe njëherë për përfaqësuesit e partisë socialiste është: përse nuk i duan listat e hapura, përse nuk duan t’u japin shqiptarëve të drejtën që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre? Përse duan ta ruajnë me çdo kusht marrëveshjen famëkeqe të 2008-ës? Përse nuk duan që shqiptarët jashtë Shqipërisë të dëbuar nga kjo mazhorancë të mos votojnë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të votohet dhe të numërohet elektronikisht”, shkruan ai. Ai ka kujtuar edhe një herë negociatat okulte. “Media ka thënë, ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar, ndaj ky është një interes publik që Partia Socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në komisionin e reformës zgjedhore, Partia Demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi se ku debatohen të gjitha alternativat dhe të gjitha pozicionet. Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona, dreftligjin përkatës, për listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin dhe numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor do të duhet të ketë”, tha ai. Në fund ai i ka kërkuar PS të tregojë se është i interesuar të dështojë Reforma Zgjedhore. “Ndaj, një orë e më parë tashmë ku letrat janë hapur, Partia Socialiste do të duhet ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj? Kjo është ajo se çfarë publiku kërkon, zgjedhësit kërkojnë, Shqipëria kërkon. Ndaj është një përgjigje që duhet dhënë një orë e më parë”, tha ai.