Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën akuzën e abuzimit me tenderat publikë. Në pranga përfunduan dy ish-drejtorët, Mariglen Qato dhe Redi Mollaj, të cilës sipas SPAK, me anë të kompanisë 5D që kishin në pronësi defakto i jepnin tendera vetes.
Nëntë masa sigurie ka nxjerrë GJKKO për drejtora dhe ish drejtora në Bashkinë e Tiranës. Nga këta 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje. Mariglen Qato, ish- drejtori i IMT, Redi Molla ish- drejtori i Ujësjellësit dhe Taulant Tusha me urdhër të SPAK janë me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërsa Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë njohur me masën “detyrim paraqitje”. Sipas SPAK Redi Molla për gjatë kohës që kanë ushtruar funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera. SPAK ka prova se kjo shoqëri kishte 3 emra të cilët ishin ortakë fiktivë ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” ishin Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët kanë pasur lidhje miqësore. SPAK thotë se kompania është shpallur fituese në këto tendera nga viti 2016 – 2020. “Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore”, informoi SPAK. SPAK thotë se ata janë shpallur fitues duke u favorizuar edhe në tendera të shpalluara nga “Tirana Parking” dhe Klubi Sportiv “Tirana”. Ekzistojnë dyshime të bazuara se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qënë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë”. Sipas SPAK “Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Eglantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”. Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal. SPAK thotë se hetimet kanë nisur më 27 prill 2023 për veprat penale Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal. Hetimet nisën mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Belind Këlliçi dhe u regjistrua procedimi penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023. “Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara”, thuhet në njoftimin e SPAK.
EMRAT
Arrest me burg
Mariglen Qato ish drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit- Bashkia Tiranë
Redi Molla ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a
Taulant Tusha – ish-drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranës
Detyrim paraqitje
Enton Punavija
Julian Zanaj
Albano Janku
Nestor Muhamellari
Eglantina Zere – Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit
Deborah Keçi – drejtuese e “Klubin Sportiv Tirana/kb