Meta-Kryemadhi, dueli i zjarrtë që po ftoh opozitën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Në politikën shqiptare kishte kohë që brenda partive nuk ndodhte asgjë. Asgjë nuk ndodhte brenda Partisë Socialiste dhe ashtu vijon ande. Vendimet i merr kryetari, kryetari vendos dhe të gjithë dëgjojnë. Në PD-në e opozitës është akoma më rëndë.

Në grupimin Rithemelimi, në vend që të ishte një model i mirë ndryshe nga mazhoranca, edhe aty të gjitha vendimet merren nga lart. Madje edhe për nënkryetarin ndryshohet statuti për t’i bërë një vend emrave të përveçëm dhe nuk votohet.

Në të gjithë këtë situatë, prej më shumë se një jave media shqiptare është përmbytur në lajmet brenda Partisë së Lirisë. Kryetari i saj Ilir Meta ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj figurave të rëndësishme aty me target kryesor bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, bashkëpunëtorët e afërt të saj, por nuk kursen as institucionet e drejtësisë, SPAK e deri te diplomatët amerikanë.

Me tone më të zbutura por e vendosur ia ka kthyer edhe zonja Kryemadhi duke krijuar një duel në një luftë të nxehtë të çiftit më të famshëm në politikën shqiptare në këto 34 vjet. Por, çfarë ka sjellë kjo për Partinë e Lirisë dhe vetë politikën shqiptare?

Kë ndihmon kjo që po ndodh në këtë parti dhe kush përfiton nga kjo situatë?

  1. Me këtë aksion politik duke sulmuar bashkëshorten e vetë dhe bashkëpunëtorët e vetë të dikurshëm, Ilir Meta e dëmton rëndë Partinë e Lirisë. Në fakt, akuzat, kundërakuzat, debatet dhe kundërdebatet nuk po bëhen për çështje të vogla dhe cic-mice që mund të quhen normale në një grupim politik, por për parime themelore të funksionimit të partisë dhe kjo e bënë atë të dëmshme dhe krijojnë një imazh negativ në opinionin publik. Si një njeri që e themeloi vetë këtë parti, e drejtoi vetë këtë parti dhe ka ndikuar edhe kur nuk ka qenë kryetar të bësh akuza themelore bie ndesh me veten. Kjo krijon një perceptim të tillë që duke akuzuar të tijtë, në fakt Meta po akuzon veten. Një parti që u themelua dhe krijoi një praktikë politike si këmba e tretë e perustisë në politikën shqiptare është dëmtuar aq shumë nga aksioni i Metës, saqë zor se mund të rikuperohet. Pasoja e kësaj që po ndodh do të shihet në muajtë në vijim dhe më shumë se kaq në zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025. Në kushtet aktuale numri i atyre që besojnë përfaqësuesëve të kësaj partie do të vijë duke u zvogëluar dhe nuk është çudi që numri i deputetëve që do të fitojnë për në kuvend të jetë edhe më i vogël se 4, që kjo forcë politike fitoi në zgjedhjet e kaluara.
  2. Ilir Meta ka goditur ashpër bashkëshorten e tij duke e akuzuar për nepotizëm. Kjo akuzë e bërë prej tij lë shumë pikëpyetje, sepse së pari Monika Kryemadhi nuk e krijoi nepotizmin me Ilir Metën si bashkëshorte e tij, por ajo e nisi aktivitetin politik në moshën 16-vjeçare si aktiviste dhe më pas me detyra përfaqësuese si deputete e kësaj partie. Pas 20 vitesh LSI dhe më pas PL, të thuash që Monika Kryemadhi ka krijuar nepotizëm është absurde. Ose Meta duhet të fajësojë veten përse e lejoi këtë ose, kjo akuzë nuk ka vlerë. Ndërkaq nuk mund të quash nepotizëm se në postet drejtuese të Partisë Lirisë kanë qenë të dëshiruarit e zonjës Kryemadhi. A ka ndonjë politikan në LSI dhe PL që ka marrë një post drejtues pa bekimin edhe të Metës? Pak besohet kjo. Nëse Meta për “ministren që nuk vjen në mbledhje” e ka fjalën për Klajda Gjoshën, kjo bën me faj zotin Meta dhe jo zonjën Kryemadhi. Pa ndonjë kontribut në parti dhe pa ndonjë cilësi të veçantë, Meta e bëri Gjoshën ministre pa asnjë kontribut dhe në atë detyrë ajo ia shpërbleu duke mos lënë ndonjë gjurmë. Atëherë si mund të lërë gjurmë kjo zonjë edhe në parti? Dhe personazhe të tillë të përkëdhelur pa arsye në këtë parti kanë qenë jo pak.
  3. Akuzat për tradhëti në parti ndaj disa bashkëpunëtorëve nuk janë të besueshme. Ato duhet të jenë të provuara dhe nuk mund të hidhen në publik vetëm me emra të koduara dhe nofka. Në fakt, akuzat janë bërë ndaj bashkëpunëtorëve më të ngushë duke krijuar perceptimin se u zbulua një grup tradhëtar brenda partisë. Të akuzosh Endrit Brahimllarin dhe Elona Gurin për tradhti është më shumë se absurd, kur në të njëjtën kohë ata që janë larguar prej disa vitesh nga partia i akuzojnë për besnikëri të tepruar ndaj Metës dhe Kryemadhit. Ndërkaq, nëse vërtetë Meta i ka këto prova ai duhet ta bënte të besueshme duke i thënë publikut për këto prova.
  4. Akuzat e Metës me histori përgjimi, çimkash dhe çimkeshash, apo konspiracione nuk janë shumë të besueshme. Nuk besohet që dikush paska përgjuar dhe ende nuk dihet kush ishte ky apo kjo. Do ishte më e udhës që Meta ta thoshte troç që x person ka kryer përgjim për llogari të y personi. Kjo është një vepër penale dhe nëse ka ndodhur vërtetë personi duhet të mbajë përgjegjësi penale. Kjo do ta bënte më konkrete të gjithë këtë stuhi dhe opinioni do të ishte shumë më i kthjellët me atë që po ndodh.
  5. Akzuat e Metës për synime për të marrë drejtimin e partisë janë po aq absurde. Si Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e saj kanë vite në drejtimin e asaj partie dhe e dinë se çfarë është drejtimi dhe ndikimi në parti. Me kthimin e Metës nga presidenca të gjithë kanë qenë koshientë që ai do të ishte drejtuesi i asaj partie dhe nuk është vënë ndonjëherë në diskutim kjo. Nuk rezulton të ketë asnjë veprim apo aksion nga brenda dhe jashtë partisë që të lërë të kuptohet se Ilir Metës duan t’i marrin partinë. Është një perceptim pa asnjë bazë dhe akuza që nuk kanë asnjë arsye përsë bëhen.
  6. Akuzat e rëndat ndaj SPAK përbëjnë kulmin e gabimeve të Ilir Metës. Nuk është hera e parë që e bën këtë dhe këtë herë shumë herë më fortë. SPAK nuk është një institucion që nuk ka bërë gabime dhe nuk ka defekte. Madje, këtë e kanë pranuar edhe vetë përfaqësuesit e tij. Por të sulmosh një institucion kushtetues nuk i shkon formatit të Metës që ka qenë në të gjitha pozicionet më të larta të shtetit. Për më tepër SPAK është një institucion i dalë nga reforma në drejtësi që zoti Meta, bashkë me të gjithë deputetet e LSI-së e votuan vetë dhe ishte ai votim që solli 140 vota të plota në kuvend si për asnjë votim tjetër në historinë e parlamentit në këto 34 vite.
  7. Sulmet e Metës për Marrëdhëniet e Publikut dhe raporteve të medias në Partinë e Lirisë janë akoma më absurde. Nuk vihet në dyshim që ky sektor ka patur probleme. Aty ka patur edhe xhonglerë të veckël që rrotulloheshin rreth kryetarit të radhës. Por që të thuash që e kanë bërë për sabotim kjo është e tepruar. Mund ta kenë bërë se aq dinë dhe ashtu dinë të punojnë. Kjo po. Por jo për sabotime sepse fotografitë i kanë bërë me këndin jo të duhur, kjo sjell vetëm efektin që atyre u jep më shumë vlerë.
  8. Akuzat e Ilir Metës ndaj diplomacisë amerikane dhe më gjerë janë të papranueshme. Nuk i bën nder figurës së tij që ai të vizatohet si antiamerikan. E sakta është që në këto 34 vjet, Ilir Meta është politikani që ka marrë më shumë vlerësime nga diplomacia amerikane se askush tjetër. Por edhe më shumë se kaq deklaratat e bëra nominalisht për të nga presidenti Bill Clinton dhe sekretarët e shtetit Madaleine Allbright dhe Colin Powell nuk i ka marrë askush deri më sot. Se çfarë ka ndikuar që Meta të sulmojë diplomatët amerikanë dhe SHBA në këtë drejtim ne nuk e dimë. Por nuk është normal ky qendrim i tij. Ato që ka shprehur këto ditë kundër SHBA duket sikur po e vijon atje ku e la gjatë kohës që ishte në presidencë. Është i njëjti qendrim, është e njëjti fjalor dhe sigurisht që ka pasoja për të dhe për partinë që drejton.
  9. Akuzat e Metës ndaj qeverisë dhe Edi Ramës janë mëse normale. Ai është përfaqësues i një partie opozitare dhe e bën këtë pa asnjë sforco. Vetëm se ka një problem edhe kur “masakron” Ramën me fraza të tilla si “lepurush”, “vagabond” etj. Në vitin 2013, Edi Ramën kryeministër e bëri Ilir Meta dhe ky është fakt dhe jo opinion. Meta nuk e ka dëshirë ta prekë asnjëherë këtë bashkëpunim. Largimi Metës ndaj Ramës në vitin 2017 edhe sot nuk kuptohet qartë se përse ndodhi. Duket se këtu nis filli i ngatërruar në të gjithë historinë e marrëdhënieve mes tyre.
  10. E gjithë kjo që ka bërë Ilir Meta këto ditë ka një pasojë. Në kushtet që ndodhet PD e shpartalluar dhe e copëzuar opozita kishte një iluzion se të paktën Partia e Lirisë ishte e konsoliduar dhe opozicioni e saj ishte më i konvergjuar. Tashmë me këtë që po ndodh, situata nuk është më kështu. Dhe kush përfiton më shumë nga kjo? Sigurisht që mazhoranca dhe Edi Rama. Është një dhuratë pa asnjë kosto që po i bëhet qeverisjes socialiste e cila shton akoma më shumë shanset që të fitojë zgjedhjet në vitin 2025. Lufta Meta-Kryemadhi i ka hedhur ujë çdo çështje të ndezur të mazhorancës. Ngjan si një dhuratë një vit përpara zgjedhjeve.

Të fundit

Sassuolo triumfon minimalisht ndaj Interit, shkëlqejnë Asllani dhe Kumbulla

Kristjan Asllani dhe Marash Kumbulla më të vlerësuarit në ndeshjen mes Sassuolos dhe Interit, e fituar 1-0 nga skuadra...

Eurodeputeti gjerman rrihet brutalisht teksa vendoste postera elektoralë në Dresden

Një sulmi rëndë ka ndodhur mbrëmë teksa deputeti gjerman Matthias Ecke është plagosur rëndë nga disa sulmues të paidentifikuar teksa vendoste postera elektoralë në...

“Ilir Meta është i vërtetë apo bën lojë?”/ Përgjigjia epike e kryedemokratit Lulzim Basha

I ftuar në podkastin “Inside Albania” me gazetaren Alice Taylor, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u pyet për sjelljen e Ilir Metes, për...

“Autorët qëlluan 3 herë nga makina”/ Vritet në një atentat mafioz 41-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin grek, ku një 41-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një atentati në Selanik. Autorët e atentatit,...

Rusia fut presidentin Zelensky në listën e personave në kërkim, reagon Ukraina

Rusia ka hapur një çështje penale kundër Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe e ka futur atë në listën e persona në kërkim, njoftoi të...

Lajme të tjera

Web TV