Për të gjithë ju që ende sot që jeni të lirë nuk dini të vërtisni as veten në rast se deti egërsohet pak, po ju tregojmë raste nga ato më ekstremet. Nga ato historitë si të përrallave ku lindja e një fëmije duhet të ndodhë në mes të detit, mes furtunës e të ftohtit. Tefta Ago, mamia që ka punuar për 14 vite në ishullin e Sazanit, tregon se si…
Disa ngjarje të jetës, nga ato të shkurtrat që ndodhin si nëpër kllapi, i kujtojmë si nëpër filma. Pa ditur që jashtë nesh, ka sa e sa histori të tjera që i kalojnë edhe subjektet e filmave. Në ishullin e Sazanit, aty ku sot mund të ndalesh vetëm për pak orë zhytje, mund të ketë sa e sa burime fantazinxitëse që nga koha kur ky ishull ishte i banuar. Madje, sot ka ende njerëz që nuk e dinë se ka pasur banorë në të për vite të tëra. Jo më të dinë se në fakt ka funksionuar krejt si një miniqytet brenda të cilit, sipas mundësive, funksiononte gjithçka. Nga shkollat deri te spitalet. Kemi gjetur një nga ato histori për të cilat të jetoje mes detit nuk ishte fare e lehtë. Lindjet e fëmijëve. Tefta Ago, për shkak të profesionit të bashkëshortit si ushtarak, ka jetuar për 14 vite në Sazan ku ka punuar si mami. Historitë që tregon, të bëjnë vërtet të sjellësh ndërmend emra regjisorësh, por duke parafytyruar terrenin, gjithçka është e besueshme dhe e mundur. Edhe që një fëmijë të lindë mes dallgëve e furtunës në mes të detit.
Si përfunduat mami në ishullin e Sazanit?
Kam punuar së pari infermiere-mami në vendin tim, Skrapar, pastaj aty u njoha me tim shoq, të cilin për shkak të punës e transferuan në Sazan.
Si ishte jeta atje?
Përveçse dihet që kishim njëfarë izolimi nga “bota”, jo vetëm pse jetonim në ishull, por edhe për shkak të fshehtësisë së punës së ushtarakëve, jetesa ishte normale. Me disa vështirësi që t’i sillte klima, por normale. Sa u takon të afërmve, asnjë nuk kishte të drejtë të vinte të na vizitonte, vetëm kur shkonim ne një herë në vit që merrnim ditët e pushimit. Im atë ka ardhur vetëm një herë në ato 14 vite dhe ka hyrë në shtëpi natën, në orën dy të mëngjesit. Qëndroi tri ditë pa dalë nga shtëpia dhe iku po natën. Kjo ishte vizita e vetme nga familja ime në gjithë ato kohë.
Ju punonit si mami, një punë jo aq e lehtë edhe jo në kushtet më komode… Si ia dilnit të bënit që gjithçka të shkonte mirë?
Në fakt ishte një punë në kushte jo fort të zakonshme, jo vetëm për vendin ku jetonim, por edhe për kohën. Nuk janë komoditetet që gjenden sot nëpër spitale. Kujtoj që shkoja në shtëpinë e gruas që kishte për të lindur, i përgatisja një herë për të ngrënë paraprakisht, përgatisja vendin ku do të lindte që ishin ca nima druri mbi të cilin shtroja një mushama. Vija ujë të vakët e ujë të nxehtë dhe prisja fëmijën. Duhet të dini që gratë nuk kishin as pjesën tjetër të familjes pranë që t’i ndihmonte, bënin gjithçka vetë, jo si sot.
Megjithatë për kohën kjo është situata më normale, çka nuk besoj të ketë qenë gjithmonë kështu në një ishull. Mund të kishte raste të rrezikshme për shembull kur iu nevojitej një shërbim spitalor i mirëfilltë, një mjek…
Kishte edhe raste të tjera. Unë i ndiqja shtatzënitë vazhdimisht bashkë me mjekun dhe në rastet kur shihnim që diçka nuk funksiononte mirë, parashikonim që më parë që në një datë të caktuar të shkonim në Vlorë për ta bërë lindjen atje.
Realizohej gjithnjë kjo? Në dimër…në det?
Jo gjithmonë. Ka pasur raste kur nuk ka pritur koha dhe lindja është bërë në ato gomonet e vogla të hapura. Për shkak të kohës së keqe mjeti nuk mund të ankorohej asgjëkund, por nga ana tjetër lindja nuk priste.
Si vepronit në të tilla raste?
Në fakt, mjetet e transportit i kemi pasur gjithnjë në shërbim. Ishin ato të Komandës së Marinës, mjetet më të shpejta që bënin distancën Sazan-Vlorë për 15 minuta. Anija e bënte për 1 orë e gjysmë. Prandaj kryesisht udhëtonim me mjetin më të shpejtë, por që ishte edhe më jo komodi. Pikërisht në të më ka qëlluar të pres një herë një fëmijë. Mjetet i kisha me vete të gjitha, sepse parashikohej si situatë. U kërkova marinsave që me një mushama të na mbanin të mbuluar dhe vetë të qëndronin nga jashtë në mënyrë që të mos shihnin. Nga ana tjetër gruas i kërkoja edhe të mos nxirrte zë, sepse atëherë konsiderohej turp. Më kujtohet që ka qenë janar i ’83-shit. Ndërkaq, ambulanca në Vlorë ishte lajmëruar dhe vinte përqark portit në Vlorë, ndërsa ne nuk mund të ankoronim mjetin. Edhe pse lindja kishte ndodhur në det, në dallgë e në të ftohtë, kishte patjetër nevojë të shkonte në spital për gjëra të tjera të nevojshme. Përfunduam në spital disa orë më vonë dhe për fat gjithçka shkoi mirë.
Keni pasur shumë raste të tilla?
Ka qëlluar 3 herë e njëjta situatë.
Të tria të përfunduara me sukses?
Po, për fat po.
Po ndonjë rast jo i mirë, ju ka ndodhur?
Jo, nuk ka ndodhur edhe sepse shumica nuk ishin problematike, pra nuk kishin fare nevojë të transportoheshin për në Vlorë. Ju e dini atëherë bëheshin të gjitha lindjet natyrale. Gratë lindnin ku të mundnin, ka pasur raste edhe vetëm, jo më të kishin një shërbim mjekësor.
Emrat e fëmijëve Sazan, nga këto lindje janë frymëzuar?
Jo që të di. Rastet që ju tregova më lart nuk u kanë vënë fëmijëve ndonjë emër që të kishte lidhje me situatën.
Sa familje banonin në kohën tuaj në ishull?
Rreth 200 familje, të gjitha familje ushtarakësh.
Marrë nga Living.al