Qeveria Shqiptare mori vendimin për mbylljen e përkohshme e TikTok në Shqipëri. Ky vendim i ardhur nga si paralajmërim nga kryeministri Edi Rama ka shkaktuar reagime të forta nga opozita. Sali Berisha kërkon anulimin e vendimit dhe organizon një protestë më 15 mars.
Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një vendim të ri për mbylljen e përkohshme të platformës TikTok, një masë që do të mbetet në fuqi për 12 muaj, deri në momentin që kompania të implementojë filtrat e nevojshëm për të parandaluar përmbajtjet e dhunshme dhe të dëmshme. Kjo masë vjen pas një periudhe të konsultimeve me prindër dhe mësues, dhe është menduar si një përgjigje ndaj shqetësimeve për sigurinë dhe ndikimet negative të rrjeteve sociale te të rinjtë shqiptarë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastrliu, njoftoi se vendimi ka ardhur pas një analizë të thelluar dhe pas konsultimeve me 65 mijë prindër dhe mësues. “Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok.”, tha Manastrliu. Sipas saj, qeveria ka analizuar efektet që vijnë nga këto paltforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. “Grupi i punës ka patur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë patur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një përiudhë 12 mujore që do na lejojë marrjen e masave në bashkërëndim me përfaqësuesit e platformës TikTok. Kemi nisur një komunikim me TikTok që ka të bëjë me marrjen e masave të mëtejshme, duke vendosur këto filtra ndalojmë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme. Është mbyllje e përkohshme e aksesit në Tik Tok, i kemi dhënë vetes deri në 12 muaj kohë, që të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Manastirliu. Sipas saj, platforma TikTok ka kontribuar në përhapjen e dhunës dhe bullizmit në radhët e të rinjve, si dhe ka sjellë ndikime negative në shëndetin psikologjik të fëmijëve. Gjatë kësaj periudhe 12-mujore, autoritetet shqiptare do të vazhdojnë bisedimet me përfaqësues të TikTok për të vendosur filtrat e nevojshëm, përfshirë një version në gjuhën shqipe, që do të kufizojnë përmbajtjet problematike. Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë, duke theksuar se mbyllja është përkohshme dhe e bazuar në një proces konsultimi të gjerë. Ai shtoi se përfaqësuesit e TikTok janë duke negociuar me qeverinë për të implementuar masat e nevojshme, përfshirë filtrat që do të parandalojnë përmbajtjet e dëmshme dhe të dhunshme. Rama ka theksuar gjithashtu se ky vendim është një masë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri nga ndikimet e dëmshme të rrjeteve sociale.
Thirrja për Protestë
Ky vendim i qeverisë ka shkaktuar një reagim të fortë nga opozita, e cila e ka cilësuar mbylljen e TikTok si një akt censurë dhe një shkelje të lirisë së shprehjes. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka krahasuar këtë akt me metodat e regjimit të Enver Hoxhës, duke thënë se Shqipëria po renditet krah shteteve autoritare si Irani dhe Afganistani. Berisha ka njoftuar një protestë kombëtare më 15 mars në sheshin “Skënderbej”, ku kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit të qeverisë dhe rikthimi i mundësisë për përdorimin e platformës TikTok.
Reagimi i gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar gjithashtu, duke e cilësuar mbylljen e TikTok si një akt të papranueshëm që cënon lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim të qytetarëve. Ata theksuan se ndalimi i një platforme të tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm dhe do të dëmtontë pluralizmin mediatik në vend. Ata kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa ligjorë për ta sfiduar këtë vendim, duke e konsideruar atë si një shkelje të të drejtave të njeriut. Vendimi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka shkaktuar një debat të gjerë, me përkrahës dhe kundërshtarë të vendimit. Nëse TikTok do të arrijë të implementojë filtrat e kërkuar nga autoritetet shqiptare, mund të hapet mundësia për një rihapje të platformës pas periudhës 12-mujore. Në ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kundërshtojë këtë vendim dhe të kërkojë një protestë të gjerë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe përdorimit të internetit.