Dorëheqja e kreut të Marinës, Admiral Ben Key, pas një hetimi të nisur kundër tij për një aferë me një oficere, ka shkaktuar trazira në Britani.
Fillimisht, Ministria Britanike e Mbrojtjes njoftoi se dorëheqja e Key, i cili pritej të dilte në pension në verë, ishte për “arsye private”.
Megjithatë, Financial Times zbuloi se “arsyet private” kanë të bëjnë me marrëdhënien që admirali 59-vjeçar, siç u zbulua, kishte pasur me një oficere femër, vartësen e tij.
Kjo u pasua nga një raport në gazetën “The Sun” se Admirali Key, i cili është i martuar dhe ka tre fëmijë, po hetohet për shkelje të kodit të rreptë të shërbimit të Marinës Britanike që ndalon marrëdhëniet seksuale midis oficerëve dhe vartësve të tyre.
Në vitin 2022, një vit pasi mori detyrën si kreu i Marinës Britanike, Ben Key ishte zotuar të “zhdukte” sjelljet e ngacmimit seksual nga Marina.
“Ata që nuk duan të shërbejnë bazuar në vlerat dhe parimet e jetës në Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar do të largohen”, tha ai në atë kohë.
Një vit më vonë, ai shpalli një doktrinë të “tolerancës zero për sjellje të papranueshme” në Marinën Britanike.
Edhe pse Admirali Key konsiderohet, sipas mediave britanike, popullor brenda radhëve të Marinës Britanike, ka raportime për sjelljen e tij të papërshtatshme.
Admirali Key u bashkua me Marinën si kadet në vitin 1984 dhe komandoi dy fregata, një minahedhëse dhe aeroplanmbajtësen HMS Illustrious.
Marina e rendit integritetin si një nga gjashtë vlerat e saj kryesore.
Sipas Marinës, “integriteti është cilësia e karakterit të një personi që përfshin ndershmërinë, integritetin, besueshmërinë dhe vetëmohimin. Është një kusht i domosdoshëm si për lidershipin ashtu edhe për shoqërinë. Nëse nuk e ruajmë integritetin tonë, të tjerët nuk do të na besojnë dhe puna në grup nuk do të bëhet.”/e.s