Një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregon se punët e grave në vendet me të ardhura të larta kanë më shumë gjasa të zëvendësohen ose të ndikohen nga inteligjenca artificiale (IA).
Sipas studimit të ri, automatizimi përmes teknologjisë inovatore mund të zëvendësojë rreth 10% të profesioneve të dominuara nga gratë në shtetet me të ardhura të larta, krahasuar me vetëm 3.5% të profesioneve të mbajtura nga burrat.
Diferenca më e madhe mes profesioneve vërehet pikërisht në vendet e zhvilluara, ku 41% e punëve të grave mund të jenë të ekspozuara ndaj inteligjencës artificiale, kundrejt 28% të punëve të burrave.
Në përgjithësi, raporti vlerëson se një në katër punonjës në botë punon në një profesion me një shkallë të caktuar ekspozimi ndaj teknologjisë së re.
Për të arritur në këto përfundime, studiuesit anketuan 1,640 persona në Poloni nga fusha të ndryshme profesionale dhe të dhënat u analizuan nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë.
Bazuar në këto të dhëna, u zhvillua një model i inteligjencës artificiale, i cili vlerësoi se sa të automatizueshme janë rreth 2,500 profesione dhe mbi 29,000 detyra pune.
Studimi zbuloi se profesionet administrative si operatorët e të dhënave, operatorët e përpunimit të fjalëve, kontabilistët dhe nëpunësit financiarë, janë më të rrezikuarat, për shkak të natyrës së detyrave që përfshijnë, si shënimi i takimeve apo organizimi i agjendës.
Profesione të tjera me nivel të lartë ekspozimi ndaj teknologjisë janë zhvilluesit e web-it dhe medias, specialistë të databazave, punonjës financiarë dhe IT.
Raporti thekson se këto statistika reflektojnë potencialin e ekspozimit, por nuk përfaqësojnë ende humbje reale të vendeve të punës. “Zëvendësimi i plotë nga inteligjenca artificiale mbetet ende i kufizuar. Pjesa më e madhe e profesioneve përfshijnë detyra që kërkojnë ndërhyrje njerëzore, ndaj ndikimi më i mundshëm është transformimi i natyrës së punës, jo zhdukja e saj,” thuhet në raport.
Sipas studimit, faktorë të tillë si kufizimet teknologjike, mungesa e infrastrukturës dhe e aftësive të duhura, mund të ndikojnë ndjeshëm në nivelin e adoptimit të teknologjisë dhe ndikimin e saj në tregun e punës.
Për këtë arsye, raporti u bën thirrje qeverive, punëdhënësve dhe sindikatave që të ndërtojnë strategji gjithëpërfshirëse për të mbrojtur cilësinë e punës dhe për të rritur produktivetin në sektorët më të rrezikuar./e.t