Kyrian Nwabueze ka marrë sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit trofeun “Këpuca e Artë” pasi u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit që sapo lamë pas. Futbollisti nigeriano-amerikan që luan me ekipin e Laçit ka shënuar 24 gola këtë edicion.
Këpuca e Artë iu dorëzua sulmuesit nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku.
Në fund të ceremonisë, Nwabueze u shpreh i lumtur për arritjen dhe për trofeun e fituar. “Ndihem mirë, mendoj se gjithçka që kisha parashikuar në fillim të sezonit të bëja, funksionoi në mënyrë perfekte për mua. Ky është një lloj dedikimi për familjen time dhe veçanërisht për vëllain tim që ka ndërruar jetë dhe kjo këpucë e artë është për të. Niveli është i mirë, jam i lumtur këtu dhe ndihem rehat kur luaj në këtë ligë. Mendoj se është një çmim i përbashkët, si skuadër, është një histori për Laçin, mendoj se çdokush ishte shumë entuziast që diçka e tillë e madhe të ndodhte këtë sezon, jam i lumtur. Është një çmim individual por mendoj edhe si skuadër pasi ka bërë shumë mirë”, u shpreh sulmuesi i Laçit./Fjala.al/Ke.Ba