Komisioni Evropian ka nënshkruar deri më sot disa kontrata paraprake për sigurimin e vaksinave që janë në faza zhvillimi dhe testimi kundër virusit COVID-19 nga disa kompani të ndryshme, por këto kontrata për momentin mbulojnë vetëm vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk dihet ende nëse vendet e Ballkanit do të përfitojnë apo jo.
Komisioni Evropian ka bërë përpjekje për bashkë-financimin për kërkimin dhe zhvillimin e disa vaksinave kundër Covid-19, si dhe ka nënshkruar kontrata paraprake për sigurimin e tyre, nëse këto vaksina do të konsiderohen të pranueshme nga organizatat përkatëse që merren me miratimin e tyre.
“Aktualisht nuk kam asnjë informacion të veçantë për kontakte me asnjë prej atyre vendeve. Ajo që mund t’ju them është se kontratat që kemi nënshkruar do të mundësojnë sigurimin e vaksinave për të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe për dhurimet ndaj vendeve më të ardhura të ulëta apo të mesme, apo ridrejtimin e vaksinave ndaj vendeve të tjera evropiane. Por e përsëris se nuk kam më shumë detaje për ndonjë bisedë të veçantë me gjashtë vendet që ju përmendët”, ka thënë Tim McPhie, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ndërkohë nuk dihet ende nëse dhurimi i tyre për vende të tjera me të ardhura të ulëta apo të mesme jashtë vendeve anëtare të BE-së apo për vende të tjera evropiane do të përfshijë dhe vendet e rajonit.
“Kemi bërë një rezervim për vaksinën e COVID-19 kur të dalë. Pa llogaritur kompetentët e “Facebook”, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur,” theksoi Rama.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se nga ana e autoriteteve shëndetësore në Shqipëri është bërë një rezervim për vaksinën e COVID-19 kur ajo të dalë.