Marrëdhëniet prindër-fëmijë, psikologia Lediona Braho: Roli i komunikimit që në moshë të hershme

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Komunikimi prindër-fëmijë konsiderohet si një ndër shtyllat kryesore në edukimin dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve. Në edukimin e fëmijëve gjatë stadeve të zhvillimit të tyre, komunikimi me prinëdërit luan një rol jetik. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, psikologia klinike Lediona Braho shpjegon rolin e komunikimit të prindërve gjatë stadeve të zhvillimit të fëmijëve si dhe rëndësinë që ka për fëmijën imazhi që krijon për veten.

Nga Ina Allkanjari

Komunikimi shihet si një përbërës kyç i marrëdhënies prind-fëmijë, që mbështet dhe nxit zhvillimin tërësor të fëmijëve. Edukimi i fëmijëve është një investim për krijimin kushteve më të mira ekonomike e shoqërore, ndërsa mirëqenia psikologjike e tyre është një “gur themeli” për një shoqëri më të mirë. Fëmijët janë të aftë t’i përgjigjen komunikimit pozitiv dhe të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë, prandaj, komunikimi i të rriturve me fëmijët duhet të respektojë moshën, aftësitë dhe nevojat e tyre. Lediona Braho, Psikologe Klinike, tregon për gazetën “Fjala”, karakteristikat e komunikimit të prindëve me fëmijët, në përputhje me moshën ose stadin e tyre të zhvillimit, ndërsa shpjegon rolin jetik që ka komunikimi në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Sipas psikologes, çështjet që ne duhet t’u komunikojmë fëmijëve variojnë që nga mësimi sesi të lajnë duart kur janë shumë të vegjël deri te përgatitja për shkollën apo të trajtuarit e vetes dhe të tjerëve me respekt.

Çfarë roli luan komunikimi në krijimin e marrëdhënies i rritur-fëmijë?

Komunikimi është themeli i çdo marrëdhënieje njerëzore, mjeti përmes të cilit ne lidhemi emocionalisht me tjetrin (Ëiley, 2007). Aftësia për të komunikuar buron nga nevoja për t’u lidhur me të tjerët. Shumica e fëmijëve mësojnë të komunikojnë, sepse kështu mund t’u plotësohen nevojat. Komunikimi është një proces dinamik, gjatë të cilit ne shkëmbejmë informacione, mendime dhe ndjenja, në mënyrë verbale ose joverbale. Fëmijët komunikojnë me të rriturit që nga dita kur vijnë në jetë. Foshnjat komunikojnë me tinguj (qajnë, gugatin, belbëzojnë), me shprehjet e fytyrës (kontakti me sy, buzëqeshja, grimasat) dhe me lëvizjet e trupit (lëvizin këmbët kur janë të kënaqur ose në stres). Ndërsa motakët dhe fëmijët më të mëdhenj mësojnë të përdorin gjuhën. Fëmijët i zhvillojnë aftësitë e komunikimit, kur të rriturit u përgjigjen përpjekjeve të tyre për të komunikuar nevojat dhe dëshirat. Kur i sapolinduri afrohet tek gjiri i nënës, ajo i jep të pijë; kështu foshnja mëson se nëna do t’u përgjigjet sinjaleve dhe përpjekjeve të tij për të komunikuar.

Çfarë ndikimi ka komunikimi në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës?

Të rriturit duhet ta njohin dhe ta respektojnë nevojën e lindur të fëmijës për të komunikuar dhe t’i përgjigjen atij. Prania e të rriturve përmes dashurisë, kujdesit dhe sigurisë, që u përgjigjet nevojave trupore dhe emocionale të fëmijëve të vegjël, ushqen atashimin (lidhjen emocionale) mes të rriturit dhe fëmijës (Kearns dhe Austin, 2007). Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e karakterizuar nga përkujdesja është thelbësore për një zhvillim të shëndetshëm të fëmijës. Kjo marrëdhënie duhet të lindë dhe të ndërtohet në një mjedis me dashuri dhe stimulim.

A janë stadet e zhvillimit të fëmijëve parakusht për komunikimin?

Fëmijët dyvjeçarë mund të përqendrohen për pak minuta në një bisedë, parashkollorët (tre deri në gjashtë vjeç) janë më të vëmendshëm, ndërsa fëmijët më të rritur, mund të qëndrojnë për një kohë më të gjatë. Po ashtu, fëmijët e vegjël mund të kuptojnë një gjuhë të thjeshtë dhe figura konkrete, ndërsa fëmijët më të rritur mund të kuptojnë shprehi gjuhësore dhe figura më të ndërlikuara. Aftësitë fizike, mendore, sociale dhe emocionale të fëmijëve zhvillohen në mënyrë graduale gjatë jetës së tyre, prandaj, mënyra sesi ne duhet të komunikojmë me fëmijët përcaktohet nga mosha dhe zhvillimi i tyre.

Konkretisht, cilat janë stadet e zhvillimit?

Teoritë e ndryshme psikologjike mbi zhvillimin njerëzor bazohen tek koncepti i “stadeve”. Stadi i referohet një periudhe zhvillimi me tipare karakteristike (Karaj, 2005). Sipas kërkimeve psikologjike në fushën e zhvillimit të fëmijës, të gjithë njerëzit kalojnë të njëjtat stade në një rend kronologjik të caktuar, edhe pse faktorët gjenetikë dhe mjedisorë mund ta përshpejtojnë ose ta ngadalësojnë ritmin e kalimit nga njëri stad në tjetrin. Stadet mendohen si universale: fëmijët e kulturave dhe mjediseve të ndryshme, me harta të ndryshme gjenetike, përparojnë në mënyrë të ngjashme nga njëri stad në tjetrin. Mirëpo, kërkimet e reja e sfidojnë konceptin e stadeve dhe ofrojnë mënyra alternative për t’i shpjeguar dallimet në zhvillimin e fëmijëve. Ato nuk përqendrohen te mangësitë e fëmijëve, të cilat dalin nga krahasimi me fëmijët e tjerë, por te mënyrat e ndryshme sesi fëmijët ndërveprojnë me mjedisin. Sipas kësaj pikëpamjeje, zhvillimi i fëmijës mund të ndikohet më shumë sesa mund të mendohej më parë, nga rrethanat e mjedisit (Berry, Greenspan dhe Stanley, 2000).

Kalimi nga një stad zhvillimi në tjetrin është dinamik. Zhvillimi në fëmijëri ndahet në këto periudha: foshnjëria dhe fëmijëria e hershme (lindja deri në gjashtë vjeç), fëmijëria e mesme (shtatë deri në 11-12 vjeç) dhe adoleshenca (12 deri në 14 vjeç). Në shumicën e shoqërive, mosha gjashtë deri në shtatë vjeç përkon me fillimin e shkollës, ndërsa mosha 11 deri në 12 vjeç, me fillimin e pubertetit.

 

Sipas jush cilat janë mënyrat më mira të komunikimit me fëmijët, në përputhje me stadet e zhvillimit?

Vitet e hershme janë periudha më kritike në ciklin e zhvillimit njerëzor, ndaj investimi në këto vite hedh themelet e të mësuarit në të ardhmen. Në vitet e para, fëmijët kanë nevojë të dinë se të rriturit i duan dhe i mbrojnë, kanë nevojë të krijojnë ndjenja pozitive për njerëzit, të njohin dhe të shprehin një shumëllojshmëri emocionesh, të kuptojnë që frika është normale, të përfshihen në përvoja të mësuari dhe të kërkojnë ndihmë. Në fëmijërinë e hershme, komunikimi varet nga kujdestarët e parë të fëmijës: pjesëtarët e familjes, edukatorët dhe profesionistët. Zhvillimi tërësor i fëmijëve ushqehet nga një lidhje emocionale e fortë dhe e sigurt me personat e rëndësishëm. Biseda, librat e përshtatshëm, këngët dhe rrëfimet – të gjitha këto plotësojnë nevojat e fëmijëve të vegjël për komunikim. Ka shumë pikëpamje dhe pikëpyetje për sasinë e medias që duhet t’u lejohet fëmijëve të kësaj moshe (në veçanti, fëmijëve nën dy vjeç), por ajo që nuk vihet në pikëpyetje është sasia e ndërveprimit pozitiv me të rriturit e rëndësishëm. Të rriturit duhet të komunikojnë në këto mënyra: të përdorin një ton të ëmbël zëri dhe një gjuhë të thjeshtë, të ndërtojnë marrëdhënie të sigurta dashurie dhe përkujdesjeje, të inkurajojnë kërkimin, dëshirën për të mësuar, kuriozitetin dhe vetëbesimin te aftësitë vetjake (për të cilat fëmija bëhet pak nga pak i vetëdijshëm), t’u mësojnë konceptet dhe vlerat përmes lojës, të tregojnë histori të thjeshta dhe t’ua përsërisin ato, t’u këndojnë këngë dhe vjersha, të përdorin përvojat e jetës së përditshme, t’i ndihmojnë të shprehin një shumëllojshmëri emocionesh dhe të përballojnë frikërat e tyre kur përballen me çështje të vështira.

Sa rëndësi ka për fëmijën imazhi që krijon për veten?

Një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të fëmijës është vetëkoncepti. Vetëkoncepti, imazhi mendor që ka fëmija për veten, përbëhet nga disa elemente: si e shohim veten, si mendojmë se na shohin të tjerët, a ndihemi të vlerësuar dhe a mendojmë se jemi të aftë dhe të zotë për t’i bërë gjërat. Vetëkoncepti ndërtohet në periudhën dy deri në gjashtë vjeç (Nixon dhe Gould, 2000). Komunikimi pozitiv i të rriturve mbështet zhvillimin e një vetëkoncepti të shëndetshëm te fëmija. E kundërta ndodh nëse të rriturit nuk përgjigjen, nuk kujdesen dhe bëjnë kritika të pandjeshme. Fëmija mund të zhvillojë një vetëkoncept të varfër dhe nëse ai ruhet gjatë adoleshencës dhe moshës së rritur, do të shfaqet rreziku për probleme të shëndetit mendor.

Lexo edhe :  Terapitë "magjike" të kripës/ Altin Joka: Ju tregoj recetën si ta përdorni

Në fëmijërinë e mesme, fëmijët bëhen qenie më të pavarura dhe të zotë për të zbuluar botën përreth tyre. Ata mësojnë një gjuhë më të sofistikuar dhe fitojnë aftësi të reja në lexim, matematikë dhe fusha të tjera. Pak nga pak, i largohen perspektivës së tyre egocentrike (besimi se janë në qendër të botës) dhe fillojnë të bëhen më empatikë. Ata janë kuriozë dhe zhvillojnë aftësi të reja shoqërore, krijojnë miqësi të reja dhe marrin më shumë përgjegjësi për sjelljen. Modelet që fëmijët e kësaj moshe shohin në shtëpi, në shkollë dhe në komunitet, ndikojnë te sjelljet, qëndrimet dhe pikëpamja e tyre për botën. Nevojat për komunikim, te fëmijët shtatë deri në 11 ose 12 vjeç, lidhen me ushqyerjen e ndjenjave pozitive për veten, të tjerët dhe botën, me zbulimin dhe testimin e ideve, aftësive e talenteve vetjake, si dhe kuptimin e respektimin e ndjenjave e shqetësimeve të tyre. Prandaj, komunikimi me fëmijët e kësaj moshe duhet të përfshijë ngjarje e përvoja më të gjata, të inkurajojë të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve dhe të modelojë veprime prosociale (Berk, 2003). Në fund të kësaj periudhe, disa fëmijë fillojnë të hyjnë në pubertet dhe kalojnë nëpër sfida të reja.

Cilat janë sfidat e adoleshencës, si duhet të komunikojnë prindërit me fëmijët e tyre gjatë kësaj periudhe?

Adoleshenca shihet si një periudhë e stuhishme, pasi të rinjtë përjetojnë ndryshime të mëdha fizike, sociale, emocionale dhe kognitive. Adoleshentët përjetojnë ndryshime të shpeshta humori dhe shpërthime zemërimi, pasi kalojnë një periudhë tranzicioni nga fëmijëria në moshë të rritur. Kërkimet e fundit mbi zhvillimin e trurit në adoleshencë mbështesin konkluzionin se adoleshenca karakterizohet nga kërkimi i vëmendjes dhe marrja e risqeve (Arnett, 2010). Në fillim të adoleshencës, të rinjtë kanë vështirësi në përdorimin e aftësive racionale, planifikimit dhe marrjes së vendimeve. Detyra madhore e këtij stadi – kërkimi i identitetit – është burimi i zbulimit dhe shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave për një sërë çështjesh. Adoleshentët mbështeten më shumë te miqtë sesa te familja. Presioni shoqëror luan një rol të rëndësishëm në formimin e personalitetit dhe sjelljeve, duke çuar ndonjëherë në sjellje të pashëndetshme dhe të rrezikshme (agresiviteti, alkooli, abuzimi me substancat, seksi i pambrojtur). Shoqëritë perëndimore e inkurajojnë autonominë dhe individualizmin, por ato mund të kthehen në burim konflikti mes adoleshentëve dhe prindërve.

Adoleshentët janë të aftë për të menduar në mënyrë abstrakte dhe logjike, bëjnë plane për të ardhmen, kanë më shumë pavarësi dhe duan ta sfidojnë autoritetin prindëror, eksperimentojnë me sjellje të reja, ndikohen nga kultura e bashkëmoshatarëve dhe krijojnë marrëdhënie romantike. Prandaj, me adoleshentët duhet të bisedojmë për çështje që i shqetësojnë, që nga miqësitë deri te marrëdhëniet romantike. Ata duhet të informohen dhe të drejtohen kah jetës së rritur, sidomos për sjelljet që i vënë në rrezik, t’u ofrohen modele pozitive të forta, me standarde morale, të respektohen për idetë dhe mendimet që kanë dhe t’u lejohet që të mësojnë nga gabimet e tyre. Teksa rriten, adoleshentët vazhdojnë të kenë nevojë për të rritur të dashur dhe empatikë, që u japin mbrojtje, që shërbejnë si modele pozitive, që vendosin kufij dhe pritshmëri dhe i drejtojnë ata për të bërë zgjedhje të shëndetshme.

Çfarë ndikimi ka teknologjia në funksion të komunikimit njerëzor?

Shumë fëmijë jetojnë në mjedise që kanë lehtësi përdorimi të teknologjisë, në sajë të globalizmit. Nga njëra anë, hyrja në internet u ofron fëmijëve mundësi për rritje dhe zhvillim. Kërkimet e shumta sugjerojnë se teknologjia (televizioni, kompjuterat, interneti dhe aparatët celularë), shërben si agjente socializimi, pasi formësojnë sjelljet, qëndrimet dhe pikëpamjet e njerëzve (Drotner dhe Livingstone, 2008). Mirëpo, teknologjia është parë gjithmonë në mënyrë dualistike: si shumë e mirë ose si shumë e keqe. Nga njëra anë, ajo pasuron jetën e fëmijëve, zgjeron dijet, inkurajon përfshirjen në shoqëri dhe tolerancën. Nga ana tjetër, ajo mund të frenojë imagjinatën dhe lojën, të na bëjë më indeferentë ndaj dhimbjes së tjetrit, të inkurajojë sjellje shkatërruese, të shpjerë në çorientim të vlerave dhe të kontribuojnë në tëhuajësim shoqëror. Për shembull, dhuna në televizion dhe në videolojëra ndikojnë te sjellja, duke shtuar agresivitetin; te mendja, duke shtuar frikërat dhe ankthin, si dhe te marrëdhëniet sociale, duke ulur empatinë apo aftësinë për të ndjerë vuajtjen e të tjerëve. Teknologjia ndikon te fëmijët në mënyra të ndryshme, varësisht prej personalitetit, gjinisë, familjes dhe mjedisit të tyre social. Një nga çështjet më të kërkuara është ndikimi i medias në krijimin i stereotipeve, bazuar te mënyrat sesi portretizohen djemtë (të dhunshëm, liderë, racionalë) dhe vajzat (seksi, të nënshtruara dhe emocionale). Këto portretizime ndikojnë mbi mënyrën sesi djemtë dhe vajzat zhvillojnë identitetin e tyre gjinor, pritshmëritë e tyre për veten dhe për seksin e kundërt, besimin e tyre tek vetja, perceptimin e tyre për trupin dhe përvojat seksuale të hershme. Megjithatë, teknologjia nuk duhet të shihet me lente bardhë e zi apo të cilësohet si vetëm e mirë ose vetëm e keqe. Dobia ose dëmi i lidhur me të varet nga mënyra sesi do të përdoret, konteksti në të cilën përdoret dhe karakteristikat e fëmijëve. Teknologjia duhet të përdoret në funksion të komunikimit dhe të ushqejë komunikimin e shëndetshëm.

Cila është këshilla juaj për prindërit gjatë periudhës së rritjes dhe edukimit të fëmijëve?

Marrëdhënia mes të rriturve dhe fëmijëve përmirësohet kur ata komunikojnë në mënyrat e duhura. Fëmijët mësojnë sesi të komunikojnë duke parë prindërit e tyre, prandaj prindërit duhet të aftësohen për të komunikuar në mënyrë të hapur dhe efektive me fëmijët. Mirëpo, agjendat e ngjeshura të prindërve dhe të rriturve të tjerë bëjnë që shumë fëmijëve dhe të rinjve t’u mungojnë mundësitë për komunikim të rregullt dhe pozitiv. Prandaj, të rriturit duhet të kenë parasysh se duhet me patjetër të plotësojnë nevojat e fëmijëve për komunikim, sidomos kur ata janë të vegjël. Sa më shumë aftësi të fitojnë fëmijët dhe sa më herët në jetë, aq më mirë do të mësojnë më vonë gjatë jetës. Ndaj, një nga aspektet kryesore të punës sonë me fëmijët, prindërit e kujdestarët e tyre, është ofrimi i këshillave, mbështetjes dhe orientimit të nevojshëm për të ushqyer, mbrojtur, stimuluar dhe komunikuar në mënyra pozitive me fëmijët. Një prindërim i karakterizuar nga dashuria, përkujdesja dhe komunikimi i mirë është një themel i fortë për një zhvillim  të shëndetshëm të fëmijëve, sot dhe në të ardhmen. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

“Në gojë të ujkut”/ Ja urimi ‘pikant’ i Ledion Liços për pozicionin e ri të Heidi Bacit

Komentet për pozicionin e ri të Heidi Bacit si moderatore e “Fan Club BBVA4” kanë qenë të shumtë, si...

Skocia ndalon qeveritarët të përdorin WhatsApp, Signal dhe Messenger

Qeveria e transferuar skoceze do të ndalojë përdorimin e WhatsApp, Signal dhe Facebook Messenger në telefonat zyrtarë, njoftoi të martën. Të gjitha “aplikacionet e mesazheve...

Zgjedhjet në Kosovë/ Emigrantët do të votojë në ambasada dhe në konsullata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se emigrantët e Kosovës do të mund të votojë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në ambasada dhe...

Një muaj nga vrasja e Martin Canit/ Nëna e tij në protestë: Duam drejtësi!

Po mbahet protesta për vrasjen e Martin Canit rreth një muaj më parë. “Për autorin nuk dua të them gjë, ai ishte fëmijë si fëmija...

Ju maftojnë vetëm dy filxhanë/ Ja çaji që bën ‘mrekulli’, djeg dhjamin edhe kur rini ulur

Të gjithë ne thuajse përballemi me pyetjen: Çfarë do të ndodhë me dhjamin e tepërt, të cilin ende nuk kemi arritur ta heqim qafe?...

Lajme të tjera

Web TV