Duke theksuar se koha për të vepruar nuk pret më, Presidenti Ilir Meta i ka bërë sërish thirrje Qeverisë të dëgjojë shkencën dhe të vërë nën kontroll pandeminë duke shtuar masivisht numrin e testimeve.
Sipas kreut të shtetit, testimi është mundësia e vetme “për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19”.
Presidenti thotë se duhet të testohen menjëherë personeli shëndetësor, arsimtarët, të moshuarit në shtëpitë e kujdesit social dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.
“Në këtë moment kritik të përhapjes së pandemisë, është jetike të shtohet masivisht numri i testimeve. Testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19. Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19”, shkruan Meta.
Më tej ai rendit disa hapa. “1.Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.
2.Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë.
3.Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social.
4.Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese”.
Sipas Metës, për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor.
“Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment.
Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen. Çdo ç’organizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë. Shkenca ka folur. Koha për të vepruar nuk pret më”, përfundoi Meta./Bl.Ba/Fjala.al