Tritan Shehu rrëfen për herë të parë një detaj se si iu bashkua Lëvizjes së Dhjetorit 1990. Në 30 vjetorin e kësaj lëvizje dhe të themelimit të PD, Shehu tregon për gazetarin Roland Qafoku se ishte duke kryer veprimet si reanimator në sallën e kirurgjisë kur mësoi për lëvizjen dhe ndërpreu punën.
-A mund të ndani sot me publikun diçka që nuk e keni treguar ndonjëherë?
-Ishte një zhvillim normal. Unë kam qenë mjek, kam qenë reanimator në kardio-kirurgji. Në fillim kisha leksion me studentët. Auditori ishte i përgjysmuar. E mbarova leksionin në pak minuta në mënyrë që t’iu jepja mundësi studentëve të largoheshin. Më pas shkova në sallën e operacionit për të marrë pjesë në një ndërhyrje kirurgjikale. Hyj në sallë, merrem me të sëmurin, nuk rrija dot.
-Ju kujtohet pacienti?
-Jo. Thërras kolegët e mi. Iu thashë: “Vazhdoni ju ndiqeni se më duhet të largohem”. Dal dhe shkoj te dhoma e zhveshjes. Kur në këtë kohë vjen profesor Petrit Gaçja. Më sheh jo duke u veshur, por duke u zhveshur. Më pyet se përse po zhvishesha dhe i thashë se nuk mund të rrija më. E kuptoi dhe më tha të veproja siç më thoshte ndërgjegjia ime. Dhe unë shkova që Qytetin Studenti dhe që në atë moment filloi lidhja ime me Lëvizjen Studentore. /Fjala.al/Ke.Ba