Policia ka shoqëruar 12 persona lidhur me ekzekutimin e 31-vjeçarit Tauland Beqiraj në mes të ditës në Vlorë, në një rrugë të populluar.
Në këtë ekzekutim raportohet se kanë marrë pjesë 3 persona, ku dy prej të cilëve kanë dalë nga makina dhe kanë qëlluar Tauland Beqirajn, ndërsa një i tretë i ka pritur në makinën tip “Ford” me targa AA 403 PX për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima Tauland Beqiraj ishte duke ecur në këmbë në rrugën “Transballkanike” pranë Gjykatës së Apelit në momentin që është ndalur nga dy persona të cilët ishin të pamaskuar dhe të veshur me të zeza. Ata duket se flasin për pak sekonda dhe me pas njëri prej dy autorëve e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi duke e lënë të shtrirë në tokë 31-vjeçarin.
Pak minuta pas vrasjes policia arrestoi një nga autorët e dyshuar Hans Andi Jonuzi, 44 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tij.
Arrestimi i tij u bë te Pylli i Sodës, ku policia sekuestroi makinën “Ford” me targa AA 403 PX, me të cilin u larguan 3 personat, si dhe një armë zjarri kallashnikov më të cilën u vra 31-vjeçarin Beqiraj. Kallashnikovi u gjet në sendiljen e pasme të mjetit tip ‘Ford’ që përdorte 44-vjeçari Jonuzi.
Tauland Beqiraj është një person me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje dhe vrasje e mbetur në tentativë.