“Pse u ulët në tryezë me përfaqësuesit e Edi Ramës?” Kjo është pyetja që u bëhet më shpesh përfaqësuesve të opozitës (PD-LSI) pas vendimit për të krijuar të ashtuquajturin “Këshilli Politik” ku do të hartohet reforma zgjedhore. Drejtuesit e dy partive kryesore të opozitës nuk po i japin ende një përgjigje të qartë, por ‘kapen’ pas kushteve të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave, ku reforma zgjedhore është në krye.
Edhe pse dogjën mandatet, organizuan dhjetëra protesta, bojkoton votimet lokale të 30 qershorit, opozita nuk arriti të nxirrte jashtë reformës zgjedhore as Damian Gjiknurin, shumë të akuzuar prej tyre për vjedhje votash. Madje, tryezës iu shtua edhe “pjesa e paligjshme” e Parlamentit, siç konsiderohen nga PD-LSI, përfaqësuesit e opozitës parlamentare.
E ndërkohë që negociojnë me Edi Ramën për reformën zgjedhore, e cila, sipas tyre, do i jap vendit zgjedhje të lira e të ndershme, do avancojë procesin integrues dhe do të sjellë në pushtet një Qeveri legjitime, deklaratat sa vijnë e bëhen më kontradiktore.
Petrit Vasili është përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, nga ku pritet “ndryshimi i madh”. Teksa negocion “ndryshimin e madh me reformën zgjedhore”, Vasili publikon edhe një status shumë të ashpër kundër kryeministrit Rama.
Ai i bën thirrje SHBA-së dhe BE-së të reagojnë tani kundër përpjekjeve të Ramës për të shkatërruar reformën në drejtësi.
“Reforma në drejtësi është në prag të greminës dhe askush nuk mund të mbyllë më sytë sepse kjo do të sillte kaos me pasoja të paparashikueshme”, shkruan ndër të tjera Vasili.
Por ndërkohë që paraqet këtë situatë alarmante me reformën në drejtësi, Petrit Vasili vijon negociatat me Ramën për reformën zgjedhore. Sa seriozisht e ka LSI kur akuzon se Rama po shkatërron njërën reformë, të miratuar me 140 vota dhe me survejim ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër negocion një tjetër reformë, ku transparenca nuk është edhe aq e madhe?
Çfarë vlere ka reforma zgjedhore nëse zgjedhjet zhvillohen në një shtet “ku drejtësia po asgjesohet”?
Me Ramën që Vasili na përshkruan në statusin e sotëm është e vështirë se mund të arrihet një reformë e duhur zgjedhore, vetëm nëse opozitës i interesojnë negociatat për t’u rikthyer sërish brenda sistemit, por jo për ta ndryshuar për mirë atë./Fjala.al
“SHBA dhe BE, jo duarlidhur”, Vasili: Rama shkatërron Reformën në Drejtësi