Më 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë e vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupi. Në këtë periudhë Forcat e Armatosura arritën të organizohen në: Forcat Vullnetare, Rezerviste, Xhandarmëria dhe Forcat Aktive. Për ndërtimin e këtyre strukturave dhe përgatitjen e xhandarmërisë ndihmuan dhe asistuan një grup ushtarakësh holandezë nën drejtimin e gjeneral De Weer dhe kolonel Thomson. Ushtria në total arriti deri në 12.000 vetë e organizuar në 14 batalione me 400 – 500 vetë.
Lufta e Parë Botërore
Në rrugëtimin e vështirë, që iu desh të përballej, shteti shqiptar në hapësirën kohore 1912 – 1939, nga qeverisja e Princ Vidit (mars 1914 – shtator 1914), Lufta e Parë Botërore (korrik 1914 – nëntor 1918), Qeveria e Përkohshme e Durrësit (1918 – 1919), disa qeveri të dala pas Kongresit të Lushnjës janar 1920, organizimi ushtarak mori formën dhe modelin që i përngjante ushtrive të kohës. Në vitin 1920 ushtria ishte e organizuar në një divizion me tre regjimente, që operonin në drejtimet më të rëndësishme për mbrojtjen e vendit. Në vitin 1927 sistemi milicor u zëvendësua me sistemin e organizimit të ushtrisë së rregullt. Në vitin 1929, ushtria u organizua në tre forca: Tokësore, Detare dhe Ajrore. Forca Ajrore ishte akoma një strukturë organike ekzistuese vetëm në letër. Forca Tokësore kishin peshën më të madhe dhe më të rëndësishme dhe formacioni më i madh ishte divizioni. Ushtria përbëhej nga forcat aktive dhe ato rezerviste.
Lufta e Dytë Botërore
Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura. Në këto rrethana lindën Forca të reja të Armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit. Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë efecientë, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab të Përgjithshëm, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare.
Traktati i Varshavës
Pas çlirimit të vendit, ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi dhe riorganizimi dhe më 9 korrik 1945, ajo mori emrin Ushtria Kombëtare, kohë kur filloi transformimi i saj në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, FT, FD, FAj, Forcat Rezerviste dhe ato Territoriale.
Në vitin 1951, ushtria shqiptare krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 Armën e Kimisë, Shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. Forcat Detare, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan.
Nga vitet 1950 – 1968, Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, dhe si rrjedhojë ushtria shqiptare u pajis me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë shënoi fillimet e stërvitjeve të mëdha, si ajo e vitit 1950.
Në vitin 1966, sipas udhëzimeve të PPSH me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat dhe heqja e sistemit të gradave. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 1970-1980, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike, duke arritur shifrën 61,000 forca aktive dhe 260,000 rezerviste dhe një numër i madh i forcave vullnetare.
Rrëna e komunizmit
Në vitet ‘90, me ndryshimin e sistemit politik edhe ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvendësimin e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin. Në bazë të koncepteve të reja për përdorimin e FA, u bë ristrukturimi e riorganizimi i tyre me tendencë kryesore zvogëlimin e sasisë dhe rritjen e cilësisë. Hapja ndaj botës ishte një aspekt tjetër që i shërbeu modernizimit të FA dhe rritjes së shkallës së ndërveprueshmërisë së tyre me partnerët ndërkombëtarë.
Në vitin 1992, Shqipëria shpalli publikisht dëshirën e saj për t’u bërë anëtare e NATO, dëshirë, e cila u pasua me ndërmarrjen e hapave konkrete në këtë drejtim. Kështu, në vitin 1994 firmoset dokumenti në kuadrin e PfP dhe në qershor 1995, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e nismës PfP. Në vitin 1999 u përgatit për herë të parë Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP).
Megjithëse si pasojë e krizës së vitit 1997, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë. Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për t’u shtrirë edhe përtej kontinentit.
Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992, ku në qershor Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC) dhe në mars të 1993 për herë të parë Shqipërinë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner, dhe në maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.
Lufta e Kosovës
Në mars 1998, Aleanca shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës, ku pala shqiptare u paraqiti vendeve të NATO shqetësimet dhe qëndrimet e saj pas përkeqësimit të situatës në Kosovë. Në qershor 1998, duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, Ministrat e Mbrojtjes të NATO vendosën adoptimin e një sërë masave konkrete ku veçohen, mbajtja e një stërvitje të përbashkët ajrore të NATO mbi Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe hapjen e zyrës së NATO/PfP në Tiranë
Në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria de facto reagonte e vepronte sikur të ishte një vend anëtar i NATO.
Në NATO
Pas Samitit të Ëashingtonit 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera (me vonë dhe Kroacia) u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.
Gjatë viteve 2004 – 2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës dhe gjatë kësaj periudhe FARSH kanë dhënë një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO, por edhe BE e OKB.
Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.
Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.