-Kosovë-Shqipëri/ Kufiri që ndan Ramën dhe Kurtin
Dritëhijet e takimit Kurti-Rama dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen jo vetëm në marrëdhëniet personale, por për të mirën e dy vendeve. Ndarja e fortë për “Minishengenin Ballkanik” dhe lufta inatçore e një grushti politikanësh që po mbajnë “peng” qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë.
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi në Tiranë vizitën e tij të parë si kreu i qeverisë, ku pati takime me homologun Rama dhe personalitete të tjera në vend. Si e konsideroni këtë vizitë, veçanërisht për mesazhet që përcolli?
Enver Robelli: Kosova ka një Kryeministër të ri dhe është e logjikshme që vizitën e parë ta zhvillojë në Tiranë. Në Gjermani e Francë ka një traditë: Kancelari gjerman vizitën e parë e zhvillon në Paris, Presidenti francez vizitën e parë e bën në Berlin. Për Albin Kurtin ardhja në Tiranë në rrethana të reja si Kryeministër është zbulim i një bote të re protokollare, ku duhet të qëndrojë gatitu para himnit të Kosovës dhe para flamurit të Kosovës. Në karrierën e Kurtit ka pasur momente kur ai priste te dera e Kuvendit të Kosovës deri kur brenda mbaronte jehona e himnit të Kosovës. Sa u përket mesazheve: së pari, duhet thënë se atmosfera nuk ishte aq e ngrohtë, kjo vërehej në çdo gjest, në pothuaj çdo fjalë, në çdo veprim të Edi Ramës. “Ti je i ri në këto punë”, “Ti nuk e di se pa Minishengen nuk ka Makroshengen Shqiptar”, “më shumë kanë kinezët të drejta në Kosovë se shqiptarët e Shqipërisë”. Pak a shumë këto qenë mesazhet e Ramës. Kjo me kinezët nuk është e vërtetë, por, hajt, batutë argëtuese e Edi Ramës. Kurti u përpoq t’i thoshte opinionit se më i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërshqiptar se ai ndërballkanik. Mospajtimet vazhdojnë, por takimi gjithsesi është një hap i parë për shkrirjen e akullit. Nëse pyesim se cili ishte rezultati i takimit, atëherë mund të thuhet: dy kryeministrat u dakorduan të takohen sërish në fund të marsit në Shkodër.
Që në takimin e parë u vunë re ndarjet, sidomos në momentin kur dy kryeministrat u pyetën për “Minishengenin Ballkanik”, ku specifikisht Kurti foli për “Makroshengenin Shqiptar”, ndërsa Rama mbrojti idenë se “s’ka Makroshhegenin Shqiptar pa Minishengen Ballkanik”. A do të jetë kjo çështje një ndarje thelbësore mes dy qeverive edhe në të ardhmen?
Për shkak se ka përkrahur atë që po quhet “Minishengen Ballkanik”, Edi Rama nga një pjesë e opinionit të Kosovës është etiketuar si tradhtar. Por nuk duhen marrë shumë seriozisht këto mallkime. Shqiptarët gjatë historisë janë zgjuar në mëngjes me liderë heronj dhe në mbrëmje të njëjtit i kanë shpallur tradhtarë. Edi Rama ka një prirje ta mitizojë dhe fetishizojë “Minishengenin Ballkanik”. Më shumë se “Minishengen Ballkanik” është një përpjekje e zbehtë për një “Mini-BE në Ballkan”, një imitim i asaj që praktikohet në BE me “katër liritë”: lirinë e qarkullimit të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe personave. Politikanët ballkanikë që e përkrahin këtë lloj “Mini-BE-je në Ballkan” thonë se ajo nuk i zëvendëson integrimet evropiane. Përse po krijohet atëherë? Nga ana tjetër: politikanët e Kosovës nuk kanë qenë të sinqertë kur janë treguar aq të mllefosur kundër kësaj nisme. Për “Shengen Ballkanik” politikanët e Kosovës kanë folur tri vite para se Edi Rama të bëhej Kryeministër. Debati për “Minishengenin Ballkanik” do të ishte më racional po të mos ngrihej në nivelin e “aktit të tradhtisë” apo “veprimit gjenial”. Kur edhe vetë maqedonasit e malazezët janë skeptikë ndaj kësaj nisme, përse të mos jenë shqiptarët, të cilët me Serbinë i ndan një hendek i thellë me gjak? Problemi nuk është nëse do të lejohen serbët të gjejnë një punë në Durrës. Le të punojnë kamerierë, madje mund t’u japim edhe ndonjë bakshish. Problemi është refuzimi i Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe energjia e politikanëve shqiptarë duhet të koncentrohet këtu: në mbajtje të qëndrimit të qartë se nuk mund të ketë afrim të madh dhe jokritik pa njohje të pavarësisë së Kosovës. Është fatale nëse në opinionin e gjerë shqiptar krijohet përshtypja se Kosova është pengesë për normalizimin e raporteve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Historikisht Kosova ka qenë mburoja e Shqipërisë. Shumë shqiptarë të Kosovës e ndiejnë veten të lënduar kur në Tiranë nuk vlerësohet sa duhet ky rol historik i Kosovës. Domethënë: po aq sa ka të drejtë të zemërohet Edi Rama me etiketat e tradhtarit që ia ngjitin militantët partiakë apo digjitalë, po aq të drejtë kanë edhe shqiptarët e Kosovës të zemërohen kur në opinion qarkullojnë lloj-lloj lajmesh mbi “ndarjen e Kosovës”, “korrigjimin e kufijve”, “shkëmbimet territoriale” dhe Tirana zyrtare këtu më shumë shkakton tollovi sesa që sjell qartësi. Por t’i lëmë pak anash grindjet e politikanëve: pas tërmetit në Shqipëri mijëra njerëz në Kosovë dhe në diasporë treguan solidaritet me shqiptarët e prekur nga kjo tragjedi natyrore. Ky solidaritet i lë në hije kacafytjet verbale mes politikanëve.
Si mendoni se do të jenë marrëdhëniet në vijim? A besoni se do të vijojnë të jenë të tendosura dhe në një pikë gati absurde, ku Kosova dhe Shqipëria kurrë më parë në aspektin e marrëdhënieve politike nuk kanë qenë kaq të ngrira? Përse ka ardhur kjo ftohje, e cila assesi nuk pranohet nga qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri?
Shpresoj se nuk do të ketë acarim të mëtutjeshëm. Në shtendosjen e raporteve duhet të japë kontributin e tij edhe Kryeministri i Kosovës. Ai tani përfaqëson shtetin e Kosovës dhe jo një parti politike. Ai tani flet në emër të Kosovës dhe jo në emër të militantëve të tij. E njëjta vlen, natyrisht, edhe për Kryeministrin e Shqipërisë. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte të hiqte dorë nga roli i idhnakut, i cili është i bindur se çdo veprim që ka ndërmarrë në politikat rajonale ka qenë veprim i mençur. Madje, edhe Edi Rama mund të gabojë! E një gabim i tij është se e redukton Kosovën në një duzinë njerëzish me të cilët ka miqësi. Miqësitë i qofshin të përjetshme, por Kosova është pak më e madhe se ç’shihet me dylbi nga kabineti i Ramës. Ndërsa Albin Kurti duhet të kuptojë se ekziston një Shqipëri përtej studiove televizive të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama ka paditur ish-kryeministrin Haradinaj për akuzën e shpifjes, lidhur me çështjen e “korrigjimit të kufijve”, por nga ana tjetër, nuk ka shprehur vlerësime të dukshme pas fitores së Kurtit. Çfarë do të thotë kjo politikisht për Ramën, që nga Prishtina zyrtare ka shumë pakënaqësi, sidomos me nismat e përbashkëta të Ramës dhe takimet me Presidentin Serb Vuçiç, duke anashkaluar Kosovën?
Ashpërsinë e kritikës së Ramush Haradinajt e konsideroj të tepërt, të panevojshme, provokuese. Të thuash se Edi Rama ka dashur ta shesë gjysmën apo një të tretën e Kosovës për disa miliardë euro a dollarë dhe këto para t’i ndajë në ndonjë mulli në mal bashkë me kusarët politikë Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi – kjo tingëllon bukur në veshët e adhuruesve të Ramush Haradinajt nëpër odat e Kosovës, aty ku duhani është më i sertë se rakia, por është larg nga e vërteta. Ideja për ndarjen e Kosovës është ide e Beogradit. Pas kësaj ideje viteve të fundit janë kapur politikanë të Prishtinës, duke e maskuar si ide për “korrigjim kufijsh” apo “shkëmbim territoresh”. Nuk është Edi Rama nismëtari i kësaj aventure. Por Edi Rama ka bërë një gabim, që nuk është distancuar qartë nga kjo nismë. Ai po ashtu ka bërë gabim kur ka dorëzuar padi kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Së pari, kjo është një praktikë e pazakonshme mes shteteve. Pastaj: çfarë Rama e ka nënçmuar ose nuk bëhet merak fare është se asnjë politikan shqiptar askund nuk duhet të hyjë në histori se e ka paditur tjetrin. Politikanët e pjekur i zgjidhin problemet duke u ballafaquar me argumente për idetë e tyre. Në këtë betejë nuk ka shkëlqyer as Rama, as Haradinaj.
Prej disa muajsh në Tiranë është hapur edhe zyra e Lëvizjes Vetëvendosje. A është kjo një nga arsyet që Rama ka shprehur pakënaqësi për Kurtin, pasi shihet si forcë e cila është kundër estabilishmentit politik të dekadave të fundit dhe kjo frymë mund të shtrihet edhe në Shqipëri?
Pas fitores (relative) në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Albin Kurti lejoi të përdoret si një “anti-Ramë” i ri, i cili vjen nga Prishtina dhe e nis revolucionin për ndryshime të mëdha politike edhe në Tiranë. Kurtit i pëlqente ky rol i një Azem Bejte me kravatë. Ndryshimet politike në Shqipëri mund të ndodhin kur njerëzit nga Kukësi në Sarandë të kenë vullnet për ndryshim. Kushdo që ka besuar se Kurti do t’ia rrezikojë pushtetin edhe Edi Ramës, duhet të jetë injorant dhe iluzionist i madh. Shqipëria nuk mund ta huazojë opozitën apo ndonjë lider inspirues në Kosovë – dhe anasjelltas. Por, që njerëzit në Shqipëri mund ta shohin Vetëvendosjen si diçka inspiruese, për këtë nuk mund të akuzohet Albin Kurti. Ky nuk është faji i tij. Për këtë nuk duhet të stigmatizohet në Tiranë. Është shumë normale që tri dekada pas rrëzimit të komunizmit, njerëzit në Shqipëri të kërkojnë alternativa të reja politike, përtej socialistëve dhe demokratëve. Nëse janë lodhur gjermanët me Angela Merkelin, e cila është në pushtet nga viti 2005 pa asnjë aferë korruptive, përse të mos lodhen shqiptarët me Sali Berishën, Gramoz Ruçin apo Edi Ramën?/ FJALA.al
*Enver Robelli është redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”