Teksa shënohet 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-s, kjo ngjarje i ka gjetur dy vendet duke përdorur një logo të re.
Bëhet me dije se logo është prezantuar nga vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Teksa ka postuar një video-mesazh në rrjetet sociale, Kim thotë se viti 2022 do ë shënojë një stacion të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ky vit shënon një gur kilometrik të veçantë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Dhe përgjatë gjithë vitit 2022, ambasada e SHBA do të përkujtojë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona të mrekullueshme. Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju sot logon që SHBA dhe Shqipëria do të përdorin për këtë gur kilometrik të rëndësishëm”, shprehet Kim.
Ndër të tjera sipas Kim, logo ‘100- Së bashku krah për krah’, simbolizon miqësinë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Ambasadorja shpjegon se numri 100 është i dizenjuar në atë mënyrë që simbolizon ‘infinity-in’, shenjën e pafundësisë.
“Shpresojmë të jeni dakord se ajo shpreh miqësinë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar nëpërmjet ngjyrave, skicimit dhe fjalëve. Ajo që personalisht më pëlqen është që numri 100 përfshin simbolin e pafundësisë. Ne festojmë se sa shumë kemi ecur bashkë dhe gjithashtu mirëpresim arritjet që do të vijnë. Ndërsa ecim përpara uroj që populli amerikan dhe shqiptar të qëndrojnë gjithmonë krah për krah. Gëzuar. Edhe 100!”, thotë ambasadorja amerikane Yuri Kim.