Ndonëse ishte një shpresë se konflikti mund të ndalej qoftë edhe për kohë, bisedimet mes palës ruse dhe asaj ukrainase janë mbyllur pa marrëveshje. Saknsionet dhe kërcënimet ndërkombëtare ende nuk lëkundin Putinin, betejat ashpërsohen në çdo zonë në Ukrainë. Çfarë ndodhi me bisedimet dhe fati i një lufte që po prek mbarë Evropën.
Ukraina dhe Rusia u ulën dje në bisedime për herë të parë që nga nisja e konfliktit. Në pesë orë diskutim, Rusia nuk pranoi kërkesën e Ukrainës për armëpushim, duke shtyrë bisedimet në një raund të dytë. Rusia u tregua kokëfortë për të pranuar kërkesat e Ukrainës, ku diplomacia dhe shteti i quajnë në shkelje të ligjit dhe konvetave luftën e hapur nga Rusia. Delegacionet ruse dhe ukrainase do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime të mëtejshme, para se të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh për paqen. Ndërsa bisedimet përfunduan pa një qëndrim të qartë, Rusia intesifikoi luftimet ku epiqendra është kryeqyteti Kievi i cili po përjeton orët e tmerrin nga bombardimet e shumta, duke pësuar humbje jetësh edhe në radhët e civilëve. Në delegacionin ukrainas merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov dhe këshilltari presidencial Mikhailo Podoliak. “Delegacioni i Ukrainës dhe Rusisë mbajtën raundin e parë të negociatave. Qëllimi i tyre kryesor ishte të diskutonin armëpushimin dhe përfundimin e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës. Palët kanë përcaktuar temat ku do të përqendrohen në diskutim në një takim të dytë për të cilin është rënë dakord”, ka thënë Mikhaylo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas. Pak minuta më herët nga mbyllja e bisedimeve, Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin francez, Macron. Mësohet se Putin është shprehur se marrëveshja me Kievin mund të arrihet pas çmilitarizimit dhe denazifikimit të Ukrainës dhe kur ky vend të ketë një status neutral. Gjithashtu, një tjetër kusht i Putin është njohja ndërkombëtare e Krimesë si territor rus. Nga ana tjetër “Elysee” deklaron se Macron i kërkoi presidentit rus të ndalojë të gjitha operacionet dhe sulmet kundër civilëve, të ruajë infrastrukturën civile dhe të sigurojë rrugët kryesore. “Putin konfirmoi gatishmërinë e tij për t’u përkushtuar ndaj këtyre kërkesave”, shkruhet në deklaratën e presidencës franceze. Dje, Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i kërkoi Bashkimit Evropian që t’i japë vendit të tij anëtarësimin e menjëhershëm në bllok. Presidenti Zelenski kërkoi një anëtarësim të shpejtë në BE në një video-mesazh përmes së cilit ai gjithashtu u bëri thirrje trupave ruse të dorëzonin armët. “Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe më e rëndësishmja, të jemi në një pozitë të barabartë”, tha ai. “Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur”, përfundoi Presidendti i Ukrainës.
Reagimi i Ukrainës
Ministri i Brendshëm ukrainas Denys Monastyrskyy në një prononcim për BBC është shprehur se duhet të përgatitemi për çdo skenar. I pyetur nëse vendi po përgatitej për një sulm më të fuqishëm rus në Ukrainë, duke përfshirë në Kiev dhe qytete të tjera, ai tha: “Presidenti çdo ditë më pyet, çdo ditë ne bashkërendojmë përpjekjet tona për situatën dhe atë që po ndodh dhe çdo ditë përgjigjemi se situata është e rëndë, por e qëndrueshme. Po, me të vërtetë, armiku çdo ditë dërgon gjithnjë e më shumë forca. Por forcat tona të armatosura të lavdishme në thelb po shkatërrojnë gjithçka që mbërrin në Kiev. Unë e kuptoj se çdo ditë ne po përgatitemi për çdo skenar, përfshirë në Kiev. Ai përfshin mbrojtjen territoriale, forcat e armatosura, Gardën Kombëtare, policinë kombëtare, shërbimin e sigurisë dhe Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake të ministrisë së mbrojtjes. Ne po krijojmë grupe të lëvizshme për të kërkuar dhe për të kapur diversantë. Ne kemi deri në 100 grupe të tilla aktive në Kiev, në varësi të orës së ditës. Ju mund të dëgjoni të shtëna armësh në qytet. Shumë njerëz janë kapur, specialistët tanë janë duke punuar me ta. Ne e kuptojmë që ne e kemi qartë në kontroll situatën në qytet në përgjithësi, por ka shumë çështje që vendosen çdo orë apo edhe çdo minutë”, tha ministri i Brendshëm.
Britania
Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se trupat ruse vazhdonin të ishin mbi 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e fortë ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin rus”. Ky vlerësim përputhet me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën, se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti”.
Inteligjenca ukrainase ‘bëhet e gjallë’: Po merremi me punë
Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës ka bërë të ditur se është duke punuar për të zbuluar vendosjen e armikut dhe kjo është arsyeja që po rri e “heshtur”. Pothuajse çdo institucion shtetëror në Ukrainë është shumë aktiv në rrjetet sociale. Kurse Inteligjenca e vendit “u bë e gjallë” pas tri ditësh, me një postim për Rusinë. “Të dashur ukrainas, na falni për heshtjen e përkohshme. Shumë punë po bëhet, nëse e keni parasysh se për çfarë e kemi fjalën…,”thuhet në postimin e tyre. “Ne po punojmë 24/7, për të gjetur vendet e trupave dhe mjeteve ushtarake të pushtuesit, për t’i shkatërruar pa mëdyshje. Armiku do të shkatërrohet. Rroftë Ukraina. Vdekje armiqve”, thuhet më tej në postim. Kujtojmë se autoritetet e mbrojtjes së Ukrainës njoftojnë vazhdimisht dhe mobilizojnë qytetarët, përmes faqeve të tyre zyrtare në rrjetet sociale. Prej disa orësh tashmë, delegacioni i Ukrainës është takuar me atë të Rusisë për negociata. Takimi po mbahet në një kohë kur Ukraina ndodhet në ditën e pestë të luftimeve pas hyrjes së forcave ruse në vend.