Më 30 mars të vitit 1981, Presidenti amerikan Ronald Reagan plagoset gjatë një atentati në Uashington, dy persona të tjerë u plagosën. Atentatori u kap. Ai ishte Xhon Uarnok Hinklei. 27 vjeçari u përpoq të vriste presidentin, në përpjekje për t’i bërë përshtypje aktores Xhudi Foster të cilën ai e simpatizonte. Hinkli u gjet i pafajshëm për shkak të çmendurisë dhe u vendos nën kujdes psikiatrik.
Parandjenja
Më 21 mars 1981, presidenti i ri Ronald Reagan dhe gruaja e tij Nansi vizituan Teatrin e Fordit në Uashington, për mbledhjen e fondeve. Reagan kujtoi: “Pashë lloozhën presidenciale mbi skenën ku Abraham Lincoln ishte ulur natën kur u qëllua dhe ndjeva një ndjesi kureshtie … Mendova se edhe me gjithë mbrojtjen e Shërbimit Sekret që kishim tani, ndoshta ishte ende e mundur për dikë i cili kishte mjaft vendosmëri për t’u afruar mjaftueshëm me presidentin e për ta qëlluar atë”.
Rrethanat
Më 28 mars, Hinkli mbërriti në Uashington, DC me autobus dhe u vendos në Hotelin Park Central. Ai fillimisht synonte të vazhdonte në New Haven në një përpjekje tjetër për të magjepsur Fosterin. Ai vuri re orarin e Reganit që u botua në The Washington Star dhe vendosi se ishte koha për të vepruar. Hinkli e dinte se ai mund të vritej gjatë atentatit dhe ai shkroi, por nuk i dërgoi një letër Fosterit rreth dy orë përpara përpjekjes së tij për të vrarë presidentin. Në letër, ai tha se shpresonte t’i bënte përshtypje me përmasat e veprimit të tij dhe se do të “braktiste idenë për të marrë Reganin në një sekondë nëse do të mund të fitoja zemrën tuaj dhe të jetoja pjesën tjetër të jetës sime me ju.
Më 30 mars, Reagan mbajti një fjalim për përfaqësuesit e AFL–CIO në Uashington Hilton. Shërbimi Sekret ishte shumë i njohur me hotelin, pasi e kishte inspektuar më shumë se 100 herë për vizita presidenciale që nga fillimi i viteve 1970. Hilton u konsiderua si vendi më i sigurt në Uashington për shkak të kalimit të tij të sigurt dhe të mbyllur të quajtur “President’s Walk”, i ndërtuar pas vrasjes së Xhon F. Kenedi në 1963. Reagan hyri në ndërtesë përmes vendkalimit rreth orës 13:45, duke ia bërë me dorë një turmë mediash dhe qytetarësh. Shërbimi Sekret i kishte kërkuar të vishte një jelek antiplumb, por Reagan nuk kishte veshur një të tillë, sepse ekspozimi i tij i vetëm publik do të ishte 9 metra midis hotelit dhe limuzinës, dhe agjencia nuk kërkoi jelekë për agjentët atë ditë. Askush nuk e pa Hinklin të sillej në një mënyrë të pazakontë; Dëshmitarët që e raportuan atë si “të shqetësuar” me sa duket e ngatërruan Hinklin me një person tjetër që Shërbimi Sekret kishte monitoruar.
Atentati
Atentati ndaj ish-presidentit Regan është regjistruar në video kaseta nga ekipe kamerash që përcillnin presidentin. Pamjet filmike tregojnë Reaganin dhe anëtarët e stafit duke u larguar nga një hotel i Uashingtonit kur u dëgjuan gjashtë të shtëna me armë. Rojet e presidentit e futën atë në makinë dhe e dërguan në spital. Një nga plumbat e kapi atë në mushkërinë e djathtë, afër zemrës. Por sipas dëshmitarëve, kur ai arriti në spital, presidenti republikan bëri shaka.
Në dhomën e urgjencës, ai iu kthye gruas së tij dhe tha: “Zemër, harrova të shmangem”.
Në sallën e operacionit, ai iu drejtua kirurgëve duke u thënë: “Ju lutem më thoni që të gjithë jeni republikanë”. Presidenti u operua dhe shërimi i tij ishte i shpejtë. Ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë pas 12 ditësh.
Ndërkohë, në korrikun e vitit 2016, një gjykatë amerikane vendos se njeriu që u përpoq të vriste ish presidentin amerikan Ronald Reagan do të lejohet të largohej nga një spital psikiatrik në Washington dhe se do të ishte i lirë të jetonte në shtëpinë e tij në Virginia. Gjykatësi Paul L. Friedman vendosi se John Hinckley Jr. është gati për të jetuar sërish në komunitet. Mjekët kanë thënë, se Hinklei asokohe 61-vjeçar, prej vitesh ishte kuruar nga gjendja e tij mendore që e çoi edhe drejt atentatit.
Presidenti i 40
Ronald Wilson Reagan shërbeu si Presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara (1981-1989). Ai kishte qenë Guvernator Kalifornisë (1967-1975) dhe para kësaj aktor radioje, filmi dhe televizioni. Lindur në Tampiko, Illinois dhe rritur në Dixon, Reagan studioi në kolegjin Eureka për ekonomi dhe sociologji. Pas diplomimit, ai shkon së pari të Iowa për të punuar si spiker në radio dhe në vitin 1937 vendoset në Los Angeles ku filloi karrierë si aktor. Reagan shërbeu si president i Shoqatës së Aktorëve të Filmit dhe më pas zëdhënës për General Electric (GE).
Fillimisht anëtar i Partisë Demokrate, pozita e tij u zhvendosur djathtas në vitet 1950, dhe përfundimisht kaloi në Partinë Republikane në vitin 1962. Reagan u bë president pas fitores në zgjedhjet e vitit 1980, ndaj presidentit Xhimi Karter. Si president, politika e tij ekonomike, e quajtur “Reaganomics”, mbështeti uljen e taksave për të nxitur rritjen ekonomike, kontrolloi emetimin e parasë për të ulur inflacionin, liberalizoi ekonominë duke hequr rregullat e tepruara, dhe pakësoi shpenzimet qeveritare.
Dy mandatet
Në mandatin e tij të parë, Reagan mbijetoi një përjekje për vrasje, mbajti qëndrim të ashpër ndaj sindikatave, shpalli luftë të re kundër drogave, dhe urdhëroi pushtimin e Grenadës. Në vitin 1984 rizgjidhet president me shumicë votash, dhe shpalli fitoren duke thënë “Eshtë mëngjes në Amerikë”.
Mandati i tij i dytë si president mbizotërohet nga politika e jashtme; përfundimi i Luftës së Ftohtë, bombardimet më 1986 në Libi, dhe zbulimi i çështjes Iran-Contra. Duke e quajtur publikisht Bashkimin Sovjetik “perandori të së keqes”, Reagan mbështeti lëvizjet anti – komuniste në mbarë botën duke zevendësuar strategjinë e përmbajtjes me garën e armatime. Ai negocioi me Sekretarin e Përgjithshme sovjetik Mikail Gorbaçov, duke arritur traktatin për zvogëlimin e arsenaleve bërthamore të dy vendeve.
Epilogu
Reagan la postin në vitin 1989. Në vitin 1994, u njoftua se ai ishte diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer. Ronald Reagan vdiq dhjetë vjet më vonë në moshën 93 vjeçare. Ikonë e konservatorizmit politik, Reagan renditet mjaft lart në sondazhet e opinionit publik mbi presidentët – atij i jepet merita për rilindjen ideologjike të së djathtës amerikane.
Përgatiti për botim: L.Veizi