Çfarë po ndodh me Barcelonën? Rrëzohen gjigantët e Evropës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga përplasjet e brendshme te skandali i prishjes së imazhit, katalanasit drejt fundosjes

Skandale të njëpasnjëshme kanë kapluar skuadrën e Barcelonës, e cila duket se në këtë fillim viti ndodhet në periudhën më të keqe që ka kaluar gjatë gjithë historisë së saj.

Një klub gjigant e me traditë shumëvjeçare, Barça është duke u zhytur shumë thellë e po humbet shkëlqimin që e veçonte nga pjesa më e madhe e skuadrave jo vetëm në Spanjë, por në të gjithë Evropën.

Vetëm pak ditë më parë, një raport skandaloz u bë publik në Katalonjë, nga i cili u mësua se FC Barcelona ka paguar kompaninë “I3 Ventures”, një kompani që operon në rrjetet sociale, në mënyrë që të dëmtojë reputacionin e figurave kryesore të klubit, si Lionel Mesi dhe Xherard Pike, kandidatët e mundshëm presidencialë, plus ish-lojtarët dhe menaxherët.

Nga mediat spanjolle mësohet se fokusi kryesor i kësaj kontrate ka qenë “krijimi i mendimeve në rrjetet sociale”, “me dy objektiva kryesorë”.

E para është mbrojtja e reputacionit të presidentit Josep Maria Bartomeu dhe bordit të tij dhe e dyta, për të shkatërruar imazhin e njerëzve dhe subjekteve që kanë marrëdhënie me klubin në një shkallë të ndryshme, thënë ndryshe që janë kundërshtarë të klubit ose kreut të Barçës.

“I3 Ventures” drejton dhjetëra llogari në “Facebook” dhe “Twitter”, në të cilat ka publikime që dyshohet se janë bërë me qëllim sulmin ndaj imazheve të lojtarëve si Mesi dhe Pike.

Individë të tjerë që janë përfshirë në këtë sulm janë ish-menaxheri Pep Guardiola, tani trajner në skuadrën e Mançester Sitit dhe lojtarë në pension po aq të respektuar sa Karles Pujol dhe Ksavi Hernandez.

Ksavi Hernandez ishte shumë pranë marrjes së postit të Ernesto Valverdes si trajner i parë i ekipit, por ai refuzoi dhe sulmet ndaj tij ishin të shumta e bashkë me të janë sulmuar edhe kandidati për president i klubit Viktor Font dhe Joan Laporta.

Subjekte politike si presidenti i qeverisë së Katalonjës, Kuim Torra, nënkryetari Oriol Hunkueras dhe kampioni i pavarësisë Karles Puidxhemont, që aktualisht jetojnë në Belgjikë në mërgim, gjithashtu janë sulmuar nga ky website.

Duke komentuar këtë rast koordinatori i projektit “Sí al futur” (Po për të ardhmen), i cili përshkruan vizionin e tij për Barcelonë, ​​tha në një deklaratë zyrtare se drejtuesit e këtij klubi duhet të japin një sqarim për këtë çështje skandaloze që ka përfshirë mediat jo vetëm në Spanjë, por kudo në botë.

“Për shkak të informacionit që është publikuar nga “SER Catalunya”, në të cilin është zbuluar se FC Barcelona ka kërkuar dhe paguar për sulme dhe fushata diskreditimi përmes rrjeteve sociale për anëtarët e Barçës dhe lojtarët e ekipit të parë të futbollit, ndër të tjera, “Sí al futur” deklaron:

“Bordi i Drejtorëve të FC Barcelona duhet të ofrojë menjëherë një shpjegim në lidhje me një informacion të tillë sepse është jashtëzakonisht shqetësues.

Nëse është e vërtetë, do të thotë që Bordi i Drejtorëve ka shënjestruar anëtarët e vet, lojtarët e tij të futbollit të ekipit të parë, entitetet e shoqërisë katalanase dhe mediat. Kjo fushatë për shpifje që sot është raportuar nga një hetim gazetaresk, njollos Barçën, na turpëron si anëtarë dhe e bën edhe më të keqe situatën e klubit, sepse, përveç momentit delikat sportiv dhe ekonomik, është shtuar edhe ndarja morale”, – thuhet në deklaratën e koordinatorit të këtij projekti.

Sipas “SER Catalunya”, shërbimet totale që kushtojnë 1.1 milionë euro, i janë paguar atij site-i, gjë të cilën klubi e ka pranuar, por duke shtuar se janë dhënë vetëm për postimin e “mesazheve pozitive”. Megjithatë, nëse këto lajme do të vërtetohen, atëherë kjo gjë do të ndikonte shumë tek ylli argjentinas, Lionel Mesi, i cili pas përplasjeve me drejtorin sportiv Erik Abidal, do të kishte një arsye më shumë për t’u larguar nga klubi ku kaloi të gjithë karrierën e tij futbollistike që nga mosha 13-vjeçare.

Lajmi i cili ka disa ditë që ka prishur akoma më shumë qetësinë e katalanasve, ku duhet theksuar se që nga fillimi i këtij viti sulmet dhe përplasjet e brendshme kanë qenë të shumta, është mohuar nga drejtues, që pretendojnë se ata kanë paguar vetëm për monitorimin e komenteve negative ndaj Braçës. Megjithatë, deri në vërtetimin e plotë të kësaj çështjeje, dyshimet dhe aludimet do të vazhdojnë të jenë të pranishme.

Çfarë po ndodh me Barcelonën? Pse gjiganti i futbollit ndodhet në kaos dhe përplasje të brendshme?

Legjenda e klubit që është i lirë të largohet gjatë verës. Një drejtor sportiv në vështirësi, pas deklaratave kundër lojtarëve. Një president nën presion që po detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme këtë verë, të cilit i ka plasur skandali se ka paguar një kompani për të prishur imazhin e kundërshtarëve dhe të lojtarëve të klubit të tij. Një sulmues që ka kushtuar 100 milionë dhe që ka luajtur vetëm 10 ndeshje të plota që nga nënshkrimi e që tani është lënduar dhe do të qëndrojë në stol deri në fund të sezonit. Kjo është situata aktuale e Barcelonës.

Barcelona është një klub në krizë me Lionel Mesin, Erik Abidal dhe Josep Maria Bartomeum në luftë dhe Usman Dembele sërish i dëmtuar.

Le të fillojmë me Mesin, i cili pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2021 mund të shkojë larg nga Barcelona në verë e mbi të gjitha falas. Argjentinasi nuk do të donte që ta mbyllte karrierën e tij te një tjetër ekip, por problemet e brendshme të Barçës duket se kanë ndikuar shumë tek ylli, i cili tashmë mund ta shikojë largimin si zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Shumë pak njerëz rreth skuadrës besojnë se ai do të largohet, por sulmuesi është i pakënaqur me mënyrën se si po drejtohet klubi dhe tani duket se vetëm ardhja e një presidenti të ri gjatë verës dhe përpjekjet serioze për të rinënshkruar Nejmar mund ta mbajnë atë ende te Barça.

Dështimi për të nënshkruar me Nejmarin verën e kaluar dhe dështimi për të marrë një sulmues të vetëm në janar për të zëvendësuar Luis Suarezin, që ka marrë një dëmtim afatgjatë, plus përpjekjet e zjarrta për të rikthyer Ksavin, erdhën në një kohë kur doli intervista me drejtorin sportiv, Erik Abidal, i cili ai fajësoi lojtarët për kaosin e shkaktuar.

Këto deklarata dhe situata e krijuar bënë që Mesi të ngrihej sërish kundër klubit dhe në mbrojtje të shokëve të skuadrës, duke kërkuar emra konkretë nga Abidali e duke i thënë që të tregohej më i kujdesshëm me deklaratat e tij.

Një tjetër rast, kur argjentinasi është ngritur kundër drejtuesve, ka qenë në dhjetor 2013, kohë kur drejtori Havier Faus bëri komente në lidhje me shpeshtësinë e rinovimeve të kontratës së Mesit. Mesi u përgjigj: “Z. Faus është dikush që nuk di asgjë për futbollin dhe që përpiqet të drejtojë Barcelonën sikur të ishte një biznes. Por nuk është”.

Lexo edhe :  Sot mbledhja e përbashkët e parlamenteve Kosovë-Shqipëri, i pranishëm Rama dhe Kurti

Problemet në fushë po ashtu po e prekin Mesin, i cili gjatë ndeshjeve të këtij sezoni ka qenë një figurë e nënshtruar. Një tjetër media spanjolle, më konkretisht “Diario AS”, raportoi një grindje të martën e kaluar në mes të dy lojtarëve të profilit të lartë në stërvitje. Tashmë puna kryesore e drejtorit sportiv të këtij klubi, Erik Abidal në këtë rast, është që ta mbajë Mesin të lumtur dhe nëse nuk do ta bëjë atë gjë, ka për të pasur një humbje të madhe.

Ndërkohë, Abidal është drejtori i katërt sportiv i Barcelonës në pesë vjet. Roli i tij është i ndërlikuar nga mungesa e përvojës dhe nga mungesa e qartësisë se cila është përgjegjësia e tij. Me fjalë të thjeshta, ai është aty për të nënshkruar me lojtarët dhe për të punësuar trajnerët.

Barcelona nuk ka bërë një nënshkrim të suksesshëm me drejtorët sportivë që nga viti 2014 kur Andoni Zubizareta solli Luis Suarezin, Ivan Rakitiçin dhe Mark-Andre ter Shtegenin. Zubizareta u shkarkua më pas nga presidenti në janar 2015.

Intervistat e Abidalit në “Mundo Deportivo”, mbase pa dashje, dukeshin se ia hidhnin fajin e shkarkimit të Ernesto Valverdes dhomës së zhveshjes, pra vetë lojtarëve me në krye Mesin. Për këtë arsye kapiteni i Barçës u acarua dhe reagoi keq ndaj këtyre deklaratave, duke kërkuar edhe emrat e atyre lojtarëve, pasi ai thoshte se kishte qenë në mbështetje të trajnerit të shkarkuar deri në momentin e fundit.

Abidal gjithashtu pohoi në intervistë se Ksavit nuk iu ofrua kurrë punë e trajnerit pasi Valverde u shkarkua. Kjo u ndie si një përpjekje për të mbuluar faktin që Barcelona u hodh poshtë nga të dy, Ksavi dhe Ronald Koman, përpara se t’i ofronin punë Kike Setienit, por ajo deklaratë nuk bindi asnjë. Do të ishte fatale nëse marrëdhënia midis Mesit dhe Abidalit nuk do të qetësohej, pasi në vitet 2007 dhe 2013 kanë qenë edhe shok skuadre, megjithatë nëse argjentinasi nuk do të jetë i kënaqur me situatën, dihet që ai do vazhdojë të mbajë qëndrimin e deri më tanishëm.

Presidenti Josep Maria Bartomeu nga ana tjetër ndodhet në një situatë shumë të keqe, pasi që prej fillimit të janarit klubi i drejtuar prej tij është përfshirë në skandale dhe probleme duke pasur një sërë përplasjesh të brendshme, madje ai vetë është pjesë e skandalit më të madh dhe më të fundit në të cilin është përfshirë Barcelona.

Përpjekjet e Bartomeut për të rinënshkruar Nejmar dhe për të punësuar Ksavin janë dështime që dëshmojnë se ai nuk është i dëshiruar nga ish-lojtarët e Barçës, por edhe nga ata aktualët po ashtu.

Nga ana tjetër, situata në fushë, ku katalanasit renditen të dytët me rezultate zhgënjyese, siç ishin ndeshjet për Superkupën e Spanjës ku u mund në gjysmëfinale nga skuadra e Atletiko Madridit me rezultatin 2-3 dhe ajo për Kupën e Mbretit ku humbi sërish në çerekfinale nga ekipi i Atletiko Bilbaos me rezultatin 1-0, tregojnë se Barcelona është në periudhën më të keqe të saj.

Nëse sezoni do të përfundojë pa trofe, ai do të ketë pak zgjedhje ta çojë mandatin e tij si president në fund para një viti.

Çështja “Dembele”. Dembele ka luajtur vetëm 10 ndeshje të plota që kur u bashkua me 100 milionë në vitin 2018. Ai e dëmtoi krahun e tij në fillim të këtij sezoni dhe kaloi tre muaj duke u rikuperuar, duke kaluar pjesën më të madhe të asaj kohe në Katar.

Edhe pas rehabilitimit më të mirë sportiv ai u kthye në stërvitje dhe tani ka këputur tendinën lidhëse të krahut. Trajneri i ri i klubit Kike Setien foli me entuziazëm për kthimin e menjëhershëm të lojtarit, por ajo gjë nuk u arrit e mbi të gjitha ai tashmë e ka humbur të gjithë sezonin me lëndimin që ka marrë.

Cila mund të jetë e ardhmja që e pret Barcelonën tashmë?

Një Barçë tashmë pa Luis Suarezin për katër muaj dhe Dembele deri në fund të sezonit ngelet vetëm në duart e Mesit, Antuan Grizmanit dhe 17-vjeçarit të talentuar Ansu Fati.

Problemi qëndron te fakti se nëse ata nuk ishin në gjendje të nënshkruanin me një lojtar në janar, çfarë shansi kanë tani kur mundësitë janë zvogëluar më tej? Rregullat speciale lejojnë që ata të nënshkruajnë me një lojtar nëse ata mund të dëshmojnë se dëmtimi i Dembelesë e përjashton atë për pjesën tjetër të sezonit.

Por ata mund të nënshkruajnë vetëm me një lojtar, i cili ose është duke luajtur në Spanjë, ose aktualisht është jashtë kontratës. Dhe cilido qoftë ai lojtar nuk do të jetë në gjendje të luajë në Ligën e Kampioneve.

Po ashtu, problemet që kanë krijuar pakënaqësi te Mesi janë një faktor që e dëmtojnë akoma më shumë klubin katalanas, pasi sulmuesi nuk jep dot maksimumin tij kur ka probleme me pjesëtarë të skuadrës dhe kjo është vërtetuar nga performanca e tij së fundmi. Megjithatë, duhet theksuar se këto janë probleme të së ardhmes afatshkurtër, pasi në terma afatgjatë shtohen të tjera çështje që duhen zgjidhur.

Zgjedhjet në verë tani duken të pashmangshme. Emili Rousaud është kandidati i vazhdimësisë së Bartomeut sepse ai vetë nuk mund të qëndrojë përsëri, e sidomos me skandalin e kontratës për dëmtimin e kundërshtarëve të tij dhe të yjeve të klubit në rrjetet sociale.

Biznesmeni i telekomunikacionit Viktor Font ka të ngjarë të garojë kundër Rousaudit dhe me Ksavi Hernandez në anën e tij dhe ka të ngjarë të ofrojë vetveten në ndonjë kapacitet, ndoshta si kryesues, post që me siguri do ta fitojë.

Puna e parë në listën e presidentit të ri do të jetë sigurimi i shërbimeve të Mesit përtej verës së ardhshme, e duke parë situatën aktuale do të jetë një mision shumë i vështirë, por jo i pamundur. Kthimi i Ksavit mund të ndihmojë për rikthimin e Nejmarit, duke e ndihmuar akoma më shumë qëndrimin e Mesit te ky klub.

Megjithatë, pavarësisht aludimeve që po qarkullojnë në çdo media, e vërteta pritet të mësohet kur t’i vijë koha, por deri në atë moment Barcelona duhet të mobilizohet që të mos humbasë akoma më shumë shkëlqimin e arrirë me shumë mund në kaq vite histori.

/Nga Katerina Tafa/ Gazeta Fjala/

 

Të fundit

Ish-forcat e sigurisë së Asadit i dorëzojnë armët qeverisë së re siriane

Ish-forcat e sigurisë të regjimit sirian i kanë dorëzuar armët e tyre qeverisë kalimtare të lidhur me rebelët në...

Sulmi në tregun e Krishtlindjeve/Rama: I tmerruar! Shqipëria në solidaritet me Gjermaninë

Pas sulmit të ndodhur në Gjermani, ku një makinë hyri në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg duke marrë përpara turmën, ka reaguar edhe Tirana...

Ligji për pensionet: Pensionistëve do iu njihet pensioni mbi bazën e librezës së punës

Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin që synon njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore për llogaritjen...

FJALA E ATJONIT E RE SIÇ ISHTE I RI

Pasionant i fjalës, Atjon V. Zhiti, e kërkonte dhe e donte atë. Gazeta jonë ka botuar më parë shkrime nga vëzhgimet e tij rinore,...

Në ditëlindjen e Stalinit, Tirana vazhdon të përkujtojë “21 Dhjetorin”

Nga Leonard Veizi   Në një ditë të zakonshme të dimrit në Tiranë, kur ajri është i mbushur me grimca të pamasa ndotjeje dhe aromë kafeje...

Lajme të tjera

Web TV