Gazetari rus Dmitry Muratov ka nxjerrë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel për Paqe. Të ardhurat do t’i shkojnë drejtpërdrejt UNICEF-it për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
Muratov, i vlerësuar me medaljen e artë në tetor të vitit 2021, ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktori i saj kur u mbyll në mars pas kërcënimeve të qeverisë së Vladimir Putin.
Përpos medaljes, ai do të dhurojë për bamirësi edhe çmimin prej 500,000 dollarë. Muratov tha (via Euronews) se ai ishte i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë. “Ne duam të kthejmë të ardhmen e tyre.”
Muratov ndau Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar me gazetaren Maria Ressa nga Filipinet. Të dy u nderuan për betejat për të ruajtur lirinë e fjalës në vendet përkatëse, pavarësisht se u sulmuan nga qeveritë përkatëse.
Për tre dekada, nën udhëheqjen e Muratov, gazeta kishte sfiduar kërcënimet e jashtëzakonshme pasi ka mbuluar korrupsionin e qeverisë dhe biznesit, politikën e Kremlinit dhe konfliktet e armatosura. Disa gazetarë të Novaya Gazeta, duke përfshirë Yuri Shchekochikhin, Anna Politkovskaya dhe Anastasia Baburova, janë vrarë që nga viti 2000, për shkak të hetimeve të tyre.