Reshjet e borës në qarkun e Korçës kanë filluar prej orëve të para të mëngjesit në zonat e larta malore ndërsa në qytet ka patur reshje shiu. Me pas reshjet e shiut kanë pasuar edhe me reshje bore në gjithë qarkun duke rikthyer temperaturat e ulëta në minus. Sipas zyrtarëve të autoritetit lokal rrugor, gjatë mëngjesit ka patur probleme segmenti i Dardhës nga ku bora ka shkuar 5 deri në 20 cm.
Vetëm gjatë mëngjesit drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të përdorin zinxhirë ndërsa për sa i përket mesditës reshjet e borës kanë filluar intensivisht në gjithë qarkun. Firmat kontraktore kanë punuar prej orëve të para të mëngjesit në rrugët që sipas tyre paraqesin probleme ndërsa këshillohet për drejtuesit e mjeteve kujdes maksimal në akset kryesore për shkak të prezencës së borës. Moti i keq që ka përfshirë vendin prej mëngjesit të së enjtes, ka shkaktuar probleme edhe në Qarkun e Elbasanit.
Në zonat malore të Elbasanit, Librazhdit, Gramshit e Përrenjasit kanë rënë reshje të dendura dëbore. Në Elbasan janë zbardhur edhe njësitë administrative Gjinar dhe Zavalinës. Në Librazhd po ashtu ka pasur reshje të dendura dëbore ku në Stëblevë trashësia ka arritur 30 cm. Rruga Librazhd-Peshkopi kalohet me zinxhirë. Reshje dëbore ka në Rrajcë e Sopot të Prrenjasit. Mungon energjia elektrike ne fshatrat e Librazhdit dhe Përrenjasit për shkak edhe te erës së fortë të natës së shkuar. n.k/Fjala.al/