Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar sot kreun e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.
Gjatë një dalje për mediat, Berisha tha se ky i fundit i shiti partinë Tom Doshit për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave në dhunim të Kushtetutës.
“Sot Akademia kremton 50-vjetorin në një regres të madh. Në qoftë se në krye më parë kishte një historian, të nderuar dhe serioz siç ishte Aleks Buda, sot ka një matrapaz, një ish-ministër të diktaturës i cili uzurpoi postin e kryetarit të Akademisë duke i shitur partinë e tij Tom Doshit. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.
Skënder Gjinushi ish-kryetar i PSD-së i shiti partinë Edi Ramës për Tom Doshin, në shkëmbim të kryetarit të Akademisë. Histori më të turpshme në historinë e botës akademike nuk mund të ketë se kjo. Ai qëndron në atë post në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, e cila përcakton se kryetari i Akademisë emërohet nga Presidenti i Republikës.
Nuk ka ditë më të zezë se kjo e sotmja, kur ai institucion kremton 50-vjetorin në një gjendje të turpshme, të turpshme me kryetarin e saj”, tha Berisha.