Një tjetër ngjarje shokuese e brutalitetit nga policia kundrejt qytetarëve ka ndodhur në Memphis në SHBA, ku ka mbetur i vdekur një 29-vjeçar si pasojë e dhunës nga efektivët e policisë.
Departamenti i Policisë së Memphisit ka publikuar pamjet tronditëse të kamerës së trupit të pesë oficerëve të policisë që rrahin për vdekje Tire Nichols pas një ndalimi trafiku për drejtimin e supozuar të pakujdesshëm.
Videoja e publikuar të premten në mbrëmje tregon Nichols, 29 vjeç, duke qarë për nënën e tij disa herë gjatë sulmit brutal të 7 janarit, i cili ndodhi vetëm 80 metra larg shtëpisë së tij.
“Mami! Mami!” Nichols bërtet teksa është duke u mbajtur në tokë nga oficerë, me spray në fytyrë, shkelma dhe grushta në kokë, ndërsa në fund goditet dhe me një shkop metalik. Videot e kamerave të trupit tregojnë se policia e ka goditur të paktën nëntë herë punonjësin e FedEx.
Edhe pasi mjekët mbërritën, Nichols qëndroi i prangosur dhe i rrëzuar në trotuar për gati gjysmë ore pa ndërhyrje të rëndësishme mjekësore.
Të pesë oficerët e përfshirë në vrasje u përballën me akuza për vrasje të shkallës së dytë, me prokurorin e qarkut që tha se megjithëse ata luajtën role të ndryshme, “ata janë të gjithë përgjegjës”.
Policia në të gjithë vendin u përgatit për trazira të mundshme të dhunshme ndërsa protestuesit u mblodhën për të shprehur zemërim në përgjigje të pamjeve shumë shqetësuese. Në disa qytete të ndryshme amerikane kanë shpërthyer protestat.