6 shkurt 1981/ Stërvitja e Fekenit, orteku që mori 11 ushtarakë dhe plagosi 92 të tjerë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga dëshmia e Petrit Murzaku, ish-shefi i katedrës së përgatitjes fizike në shkollën e Bashkuar të Oficerëve

Nga Leonard Veizi

Ata ecnin njëri pas tjetrit njëshkolonë. Dëbora trajtësisht e bardhë reflektonte drita pafund. Data 5 shkurt e vitit 1981, dhuroi një atmosfera mrekullueshme, aty diku pas malit të Dajtit, të paktën 40 km larg Tiranës, ku studentët e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve kishin shkuar për stërvitjen e radhës. Por mrekullia, që të jepte pareshtur ndjesi ëndërrimtare, nuk do të zgjaste shumë. Një ditë më pas, më 6 shkurt gjithçka do ndryshonte. Bora do të fillonte të binte sërish dhe era gjithashtu do të fshikullonte gjithçka gjente përpara. Temperaturat ranë nën zero. Ndërsa ata, duhet të vazhdonin të ecnin në kolonë, për të zbatuar detyrën deri në fund. Nuk kishte më lodra e shaka, dhe as ëndërrime. Ekzistonte vetëm ankthi për të mbijetuar nën tehun brisk të erës dhe ngricës që kërciste nën peshën e këpucëve ushtarake. Dhe marshimi vazhdonte i heshtur. Ndërsa pak më vonë gjithçka do të përfshihej nga një rapullnajë… Do dëgjoheshin klithma të epërme e të shtëna armësh në panik… dhe më pas, asgjë. Orteku i kishte mbuluar të gjithë…
Një nga të mbijetuarit, Petrit Murzaku, ish-shef i Katedrës së Përgatitjes Fizike në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, e një prej sportistëve më të shquar shqiptar, i cili për më tepër se 40 minuta, përjetoi vdekjen në një intervistë të disa viteve më parë, për gazetarin Leonard Veizi, ka rrëfyer:

“6 shkurt 1981 mbetet një ditë e paharruar. Ishte një kohë e ftohtë me erë dhe binte borë. Disa pedagogë që zhvillonin mësim në majën e Meçekut, erdhën në kapanonët ku jetonim ne e më raportuan mua si shef i katedrës së përgatitjes fizike, se kishte erë të madhe e binte borë, ndaj duheshin marrë masat e duhura për atë lloj situate. Ne kishim një efektivi që përgatitej të përballonte të gjitha situatat. Në fakt tre pedagogë gjatë një stërvitjeje u dëmtuan dhe këta ishin Durim Gorishti, Bekim Mataj dhe Isa Tare. Atëherë, komandanti i shkollës, që ishte Rustem Peçi, m’u drejtua: “Çfarë do të bëni për të zëvendësuar komandantët e togave që janë dëmtuar, për më tepër kur kemi për kontroll dhe një ekip nga ministria?”. Mendova që të aktivizoja pedagogët me eksperiencë. Ndërkohë, zv/shefi i katedrës që kisha në varësi, Mark Mici, më tha: “Shoku shef, dy toga i marr unë”. Në këtë mënyrë dy toga i mori Bashkim Lika, dy toga të tjera Ylli Rama. U bënë gjithsej 6 toga me një efektiv të prej 220 vetësh. U formua një kolonë e gjatë, që llogaritej: çdo student mbante një distancë dy metra larg shokut, e shkonte në 500 metra gjatësi. Në këtë mënyrë mësimi stërvitor do të vazhdonte rregullisht. Mark Mici, pasi rreshtoi togat mbi fushim, dha detyrat, shpjegoi mënyrën e lëvizjes, e si duhet të mbroheshim nga çdo rrëshqitje e mundshme, dhe bërjen e parmakëve, siç i quajmë ne, të cilët japin mundësinë e tërheqjes nga litarët. Për këtë, pedagog Marku drejtoi togat drejt Majës së Meçekut, në drejtim të vendit të quajtur “Tre pemët e vetmuara”. Kolona vazhdoi me zik-zake. Meqenëse ishte një kolonë shumë e gjatë pedagogët u ndanë sipas grupeve mësimore.
Sipas rregullores, në krye të kolonës ishin vendosur pesë studentë, të cilët ishin të armatosur me automatik. Po kështu, 5 studentë të armatosur ndodheshin në mes të kolonës e 5 të tjerë në fund të saj, gjithashtu të armatosur me “Kallashnikov”. Për çdo gjë që të ndodhte, ata ishin në pjesën tjetër të efektivit. Ata garantonin jetën e shokëve nga çdo e papritur gjatë marshimit. Kështu veprohej gjithnjë në demonstrime që bënim jashtë fushimit e sidomos gjatë stërvitjeve në lartësi dhe në pyje, ku edhe gjatë verës nuk ka jetë. Na kishte ndodhur jo rrallë përballja me kafshë të egërsuara, maje edhe me arinj të uritur. Gjithsesi, vështirësive të kësaj natyre ua kishim marrë dorën dhe u paraprinim me masa sigurie të veçanta. Gjatë rrugës studentët bënin edhe ndonjë bisedë apo shaka, por kishin marrë me vete dhe radio me bateri ku dëgjonin muzikë. Për këtë arsye u dha urdhër që të mbylleshin radiot dhe të ulej toni i bisedave.

Orteku i parë

Sapo kolona e parë kaloi vendin ku ndodheshin “Tre pemët e vetmuara”, siç e kishim koduar në hartat tona topografike, ndihet një zhurmë e madhe. Ishte orteku. Ky ortek kishte një gjatësi prej rreth 200 metrash, ndërsa kolona e studentëve shkonte në rreth 500 metra. Faqja e malit që u shkëput, e këputi kolonën përgjysmë. Rreth 150 ndoshta dhe 200 vetë u përfshinë në ortekun që i mori me vete. U bë një alarm i madh. Ishte një ulërimë e madhe që fillimisht vinte nga orteku, por ulërima vinin edhe nga studentët. Në këtë kohë u dha sinjali i parë me të shtëna automatiku. Unë ndodhesha në fushim së bashku me drejtuesit e komandës. Vjen një student dhe më raporton: “Shoku shef, lart janë dëgjuar ulërima dhe të shtëna armësh”. “Çfarë ka ndodhur”, pyeta unë i alarmuar. Por akoma nuk dihej gjë me saktësi. Pastaj komandant Rustemi urdhëroi të ngjitej drejt malit dhe toga e gatishmërisë që drejtohej nga Vasil Nathanaili. Në atë kohë vjen drejt nesh dhe komandanti i batalionit Dushan Shameti, i cili thotë: “Shoku komandant, kam edhe unë studentët e mi atje lart”. Rustemi pa e bërë dysh e urdhëron: “Nisu edhe ti me të tjerët”. Kështu, unë, Çlirim Pulaj, Myzafer Kambo dhe Dushan Shameti morëm rrugën në drejtim të vendngjarjes. U ndeshëm me disa studentë që transportonin në krah njëri-tjetrin. Ishin të plagosur. I pyesim: “Ç’ka ndodhur”. Ata na thonë: “Ka rënë ortek, por lajmëroni komandën dhe ministrinë se është bërë nami”. Mirëpo disa grupe që zhvillonin taktikën si pedagogë, Luftëtar Guri me togën e vet, pedagog Nikollaq Bero me togën e vet si dhe pedagogë të tjerë që zhvillonin stërvitjen në terren, morën vesh për ngjarjen dhe erdhën menjëherë në ndihmë. Unë, Abaz Çipi, Myzafer Kambo, Çlirim Pulaj dhe Sali Gjokuti erdhëm nga poshtë për në vendngjarje. Gjëja e parë që bëra ishte të gërmoja me duar për të hapur dëborën atje ku pashë se kishte njerëz. Disa studentë filluan të gërmonin me lopata, por i ndaloi Çlirim Pulaj që tha: “Jo me lopata se do të dëmtoni njerëzit që janë brenda”.

Kërkimi nën dëborë

Duke rikujtuar ato çaste me emocione të forta, Petrit Murzaku thotë: “Pasi ndava grupet e studentëve dhe pedagogëve për të kontrolluar në hapësirën ku orteku ishte përplasur së fundi e kishte gëlltitur në thellësi të tij trupat e pesë studentëve që ende nuk ishin gjetur, fillova të gërmoj pranë trungut të një lisi, ku dalloheshin gjurmë gjaku dhe një palë dorashka të zeza që kishin mbetur mbi sipërfaqe. Gati në gjysmë metri thellësi, duart më prekën trupin e studentit Besnik Shehu dhe fillova ta nxjerr me kujdes. E dallova që në vështrimin e parë, ndërsa i bëja frymëmarrje artificiale. Ai ishte njëri nga studentët e njohur në mjediset e pedagogëve jo vetëm për rezultate të shkëlqyera në mësime, por edhe për emrin e mirë që kishte bërë në ekipin e futbollit të shkollës dhe në grupin polifonik të Ansamblit Artistik të Ushtrisë. Bëra ç’është e mundur për ta risjellë në jetë, po zemra e tij me sa dukej kishte pushuar së rrahuri. Pak më tej, gjeta trupin e coptuar të studentit Aleko Gjoni. Vazhduan gati dy orë gërmimet në dëborë. Me grupin tonë ishte bashkuar ndërkohë edhe pjesa e komanduesve dhe pedagogëve të tjerë, që kishin ndërprerë stërvitjen në terren dhe kishin mbërritur aty me një frymë. Ndër ta, më kujtohet Dushan Shameti, Nikollaq Bero, Çlirim Pulaj, Luftar Guri, Myzafer Kambo, Abaz Cipi, Sali Gjokutaj e dhjetëra të tjerë, që për çaste të tëra, me lot në sy, kërkonin trupat e studentëve të fundosur. Tre të parët do të kishin fatin e keq që, gjatë këtij operacioni për të shpëtuar shokët, do të mbeteshin dhe vetë, duke u bërë pishtarë të humanizmit e solidaritetit njerëzor. Në atë çast i them Sali Gjokuti dhe Abaz Çipit: “Kini kujdes, duhet të jemi të vëmendshëm se mos na vjen ndonjë ortek tjetër, sepse pas të parit vjen i dyti”. Por ata nuk besuan se do të ndodhte sërish një gjë e tillë. Në atë kohë vjen Nikollaq Vero, Luftëtar Guri dhe më tregojnë se Mark Mici kishte pësuar një tronditje të madhe, një krizë nervore nga ajo që pa. Atëherë i urdhërova ata që ta çonin poshtë në fushim. Ndërkohë që Marku zbriti poshtë, dëgjoj britmën e Abaz Çipit: “Shef, orteku!”

Lexo edhe :  TikTok do të mbyllet, ja aplikacioni popullor që do ta "zëvendësojë"

Orteku i dytë

Ndërkohë që po bënim një bilanc të asaj që kishte ndodhur, ia befi orteku i dytë, i befasishëm, tronditës dhe me një zhurmë të llahtarshme, na ra mbi krye sa hap e mbyll sytë. Dëgjova britmën e Abaz Çipit që thoshte: “Shef, orteku!” Në këtë rast ishim ne që erdhëm për ndihmë dhe ata që i kishte zënë nën vetë orteku i parë. Kështu njerëzit e goditur nga kjo fatkeqësi natyrore u dyfishuan. Edhe orteku i dytë ishte më i tmerrshëm, pasi ai mori shumë jetë njerëzish. Kështu na mori vala. Më rrëmbeu masivi i borës dhe nuk dija ku më çonte me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Por, për të thënë të vërtetën nuk dinim se ku na çonte. Di që përplaseshim nëpër pemë e gurë dhe vazhdoja të rrëshqitja pa u orientuar se çfarë po ndodhte. Për çaste të tëra kështu, derisa orteku mbi mua do të përplasej furishëm në honin e rrugës, ku fillonte një masiv i dendur pemësh. Edhe pse kohë e shkurtër më erdhën disa mendime. Mirëpo unë, duke pasur dhe mendimin se isha gjuetar peshku dhe isha mësuar me zhytjet nën ujë mendoja: “Unë të vdes? Unë të bëhem si të tjerët?” Atëherë mendoja: “Unë kam tre vajza, kam gruan dhe nënën në shtëpi”. Dhe i dhashë forcë vetes, duke i thënë: “Nuk vdes”. Pata një optimizëm të madh në ato çaste. Edhe pse përplasesha vazhdimisht nëpër pemë e gurë dhe nuk e kuptoja se çfarë frakturash ndodhnin në trupin tim. Në një vend afër një rruge, më shumë se 300 metra poshtë, rashë në një gropë dhe u mbulova nga dëbora. Nuk dija se ku isha dhe në ç’pozicion ndodhesha, me kokë lart apo poshtë. U mbusha me frymë dhe e ndjeva se isha gjallë. Atëherë lëviza pak duart, u mbusha me frymë dhe tentova të ngrihesha në këmbë, por bora më zhyti më poshtë. I thashë vetes: “Petrit mos lëviz se po shkon më poshtë akoma”. Fillova të orientohesha. Poshtë dukej blu e errët, sipër bluja ishte më e çelur. Mendova: “Me siguri këtej do të jetë dalja”. Gërmova me duar dhe gishtat dolën jashtë. Për më shumë se 40 minuta kam qëndruar në atë pozicion. Ndërkohë, Myzafer Kambo ishte nja dhjetë metra më poshtë meje, kur studentët thirrën: “Shoku pedagog, një dorë po lëviz atje”. Filluan të gërmonin menjëherë, ndërsa unë, duke ndjerë dhimbje u thoja: “Ngadalë se më morët frymën”. Myzaferi sapo pa dorën time më njohu edhe pse flokët më ishin ngritur përpjetë: “Petrit, ti je?”, – më tha. Unë aprovova dhe aty më ranë fuqitë. Kur po më ngrinin u them: “Mos më prekni nga brinjët”. Brinjët e mia kishin qenë të thyera. Atëherë më ngritën nga këmbët. Kur dola thashë: “Shpëtova”. Por në fakt unë vura re se isha pa një çizme. I drejtohem njërit prej shokëve: “Myzafer më ka mbetur çizmja brenda”. Ata nxorën çizmen, kur rastësisht doli dhe cepi i një kapote. Tek këmbët e mia kishte qenë një student, i cili kishte dy këmbët e thyera, krahun dhe klavikulën. Megjithatë shpëtoi falë kësaj rastësie. Ishim jetëgjatë. Zbritëm në fushim. Pyeta: “Shokët, a erdhën”. Më thanë: “Petrit mos kërko më njeri. Çdo gjë në rregull”. Më dhanë sasi të mëdha çaji të nxehtë me gjalpë. Falënderova 100 herë grupin e mjekëve ushtarakë, me në krye Feruz Çarçanin. Ai më kontrolloi dhe me stilolaps shënonte brinjët e thyera. E pyes: “Doktor, çfarë kam”. Më thotë: “Mjaft që je gjallë se të tjerat rregullohen”.

Rehabilitimi

“Një përkujdesje e madhe nga Ministria e Mbrojtjes, ku të shtruarit në spital u vizituan që nga ish- kryeministri Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu që ishte Ministër i Mbrojtjes e nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Një ndihmë të madhe dha dhe shefi i pavijonit të Spitalit Ushtarak, Petraq Xoxe. Gjatë të gjithë kohës në spital qëndrova në të njëjtin pavijon më studentin që shpëtoi nga çizmja ime. Ishte djalë i vetëm mes pesë motrash. Klubi sportiv “Partizani” detyrë kryesore vuri dhënien e dietave të sportistëve në shërbim të atyre që u dëmtuan nga orteku. Pas daljes nga spitali më akorduan një muaj pushim falas në kampin e punëtorëve të Vlorës. Atje u rehabilitova dhe më pas puna filloi normalisht”, është shprehur Petrit Murzaku.

Viktimat e ortekut
1-Çlirim Pulaj – shef i planizimit
2- Dushan Shameti – komandant batalioni
3- Nikolla Bero – pedagog
4-Besnik Shehu – student
5-Ilir Gramatikoi – student
6-Bujar Ago – student
7-Aleko Gjoni – student
8-Pëllumb Rrapo – student
9-Qemal Lika – student
10-Bilbil Pashaj – student
11-Nexhip Çoba – student
(Dëshmorë të Atdheut)

Të fundit

KLP: Qeveria të respektojë pavarësinë dhe integritetin e tyre profesional

Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka reaguar sot (12 Shkurt) edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndaj deklaratave të...

Bashkia me kryetar të ri/ Si paraqitet atmosfera, pas komandimit të Anuela Ristanit

Në bashkinë e Tiranës, sot ka qenë një ditë normale pune. Gazetarja Ajgena Korbi raporton se kryetarja e deleguar, Anuela Ristani  ka qene në zyrë...

Kthehet në Amerikë mësuesi i liruar nga Rusia, pritet nga presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump priti mbrëmë vonë në Shtëpinë e Bardhë mësuesin amerikan . pas lirimit të tij nga Rusia ku ishte arrestuar që nga gushti...

Vota e diasporës/ 157 mijë aplikime, miratohen 125 mijë! Refuzohen mbi 32 mijë të tjera

Mbi 157 mijë emigrantë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Mbi 157 mijë emigrantë kanë aplikuar për t’u bërë...

Zbardhen detaje nga seanca në GJKKO, Erion Veliaj – prokurorit Dado:E ke personale me mua

Zbardhen detaje nga seanca me dyer të mbyllura për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Erion Veliajt në GJKKO Kryebashkiaku i Tiranës i drejtohet Olsi Dados: “Ti...

Lajme të tjera

Web TV