Policia e Shtetit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë urgjentisht distancën në çdo vend publik që ndodhen, veçanërisht në ushqimore, supermarkete, apo pranë bankave. Policia ka nisur nga ana e saj patrullimet për të monitoruar qytetarët që të ruajnë distancën.
Njoftimi i policisë: Ruani distancën nga njëri-tjetri për të mirën e shëndetit të të gjithëve
Në të gjithë vendin punonjësit e Policisë së Shtetit janë angazhuar në zbatimin e masave kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19
Patrullat e Përgjithshme të Policisë, në oraret e lejuara janë të pranishme pranë bankave, supermarketeve dhe marketeve, ku ka dhe grumbullime të qytetarëve, me qëllim ruajtjen e distancës së duhur, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ruajnë distancën nga njëri- tjetri, të respektojnë oraret e lejuara të lëvizjes, si dhe të evitojnë daljet nga shtëpia pa pasur arsye thelbësore e jetike.
Më herët, policia vendosi gjoba ndaj qytetarëve, mbylli lokale dhe iu hoqi patentën 75 drejtues të automjeteve.
Duke parë indiferencën e shqiptarëve ndaj koronavirusit, policia ka zbritur në të gjithë territorin e vendit duke hequr patentat e 75 drejtuesve të mjeteve dhe duke iu vendosur gjoba 234 qytetarëve në 24 orët e fundit.
Njoftimi i policisë: Strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuara maksimalisht për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga Qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 75 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, si dhe janë bllokuar 75 mjete, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve për zbatimin e masave shtesë për mbylljen e lokaleve, në të gjithë vendin u ndëshkuan me masë administrative me nga 100.000 lekë secili, 8 administratorë lokalesh.
Po gjatë 24 orëve të fundit, për mosrespektimin e vetëkarantinimit, janë ndëshkuar 2 shtetas, me masë administrative 700.000 lekë.
Gjatë orareve kufizuese për moslëvizje të këmbësorëve, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe ndëshkuar 234 shtetas, me masë administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.