Rithemelimi ka njoftuar mbajtjen e primareve për të përzgjedhur kandidatin që do të garojë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në Kukës më 24 shtator.
Përmes një komunikate për media Rithemelimi bën me dije se ditën e mërkurë, ora 13.00 në selinë blu do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë që do të miratojë emrat që do të kandidojnë për primaret.
Rendi i ditës së mbledhjes së Kryesisë:
- Miratim i kandidaturave që do t’i nënshtrohen “Primareve” për kryetar të Bashkisë Kukës.
- Përcaktimi i datës së “Primareve”.
Kujtojmë se Arif Rexhmati dhe Admir Sinamati janë dy emrat më të përfolur për të garuar nën siglën e “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki. Nga ana tjetër PD zyrtare e Bashës, mbështetet Arif Rexhmati dhe kërkon nga Rithemelimi që të bashkohet në mbështetje të këtij kandidati.
Krejt e ndryshme është situata në kapin socialist, ku tashmë e kanë pikasur kandidatin me të cilin do të garojnë në 24 shtator. Ai është Albert Halilaj, që prej korrikut është emëruar prefekt i Kukësit dhe tashmë pret vetëm zyrtarizmin nga Partia Socialiste.
Afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve që do të garojnë në Kukës është 8 shtatori dhe koha në dispozicion për zhvillimin e fushatës është 2 javë./E.T