Nga ROLAND QAFOKU
Të hënën do të prezantohet partia më e re politike në Shqipëri. Më saktë një lëvizje që drejtohet nga një personazh publik shumë i njohur tashmë si Adriatik Lapaj. Prej kohësh në Tiranën politike flitej se gjithçka që ai kishte arritur si përfaqësues i shoqërisë civile një ditë do ta kthente në angazhim politik. Pas disa sukseseve me këtë status, kjo tashmë po ndodh. Por, a ka gjasa që Lapaj dhe partia e tij të thyejë mitin e dy partive të mëdha PS dhe PD dhe asaj të mesme Partia e Lirisë. Si fillim, emri i partisë “Shqipëria bëhet” është i gjetur dhe ndjell këdo që e dëgjon. Duket me vizion dhe synon të tërheqë njerëz dhe atë grup shqiptarësh që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri. Tregon se vetë ata të mos mallkojnë nga mëngjesi në darkë këdo që i del në facebook, por të marrin vetë fatet në dorë. Të angazhohen dhe kontribuojnë duke bërë më të vështirën, së pari duke vënë gishtin në plagë për shumë e shumë probleme që ka shteti ynë dhe qeverisja dhe së dyti duke iu kundërvënë establishmentit që sillet si pronar me hipotekë me çdo gjë në këtë vend. Por, a janë të mjaftueshme emri dhe zelli i një njeriu dhe i disa bashkëpunëtorëve të tij për të thyer këtë establishment të koracuar për 33 vjet. Janë të paktën 10 sfida që kjo parti-lëvizje ka përpara për të kuptuar nëse do të arrijë synimin e vet, apo do të jetë një dështim i radhës i një partie të radhës.
1.Adriatik Lapaj është një i ri me cilësi mjaft pozitive. Përçon energji rinore, ka një formim të mirë gjeneralist dhe e ka armë të fortë artikulimin publik. Jo vetëm që nuk është i konsumuar në pushtet, por në çdo angazhim të tij në jetën publike duhet thënë se ka ngjitur duke krijuar një profil interesant dhe kjo ka ndikuar direkt në rezultatet e aksioneve politike që ka drejtuar. Por a mjaftojnë këto në një Shqipëri politike që së paku të ngjyros me të zezë edhe nëse nuk të bën pis? Lapaj ka përpara një supersfidë dhe beteja që do të ketë me establishmentin politik të çimentuar në këto 33 vjet është më e madhja. Është një betejë që jo pak personazhe pak a shumë në stilin dhe zellin e tij e kanë synuar, por nuk e kanë arritur. A do ta arrijë Lapaj? Parametri kryesor që ai mund të bëjë diferencën do të jetë standarti i demokracisë në parti. Ndërsa në të gjitha partitë shqiptare ky standart ka ardhur duke rënë dhe demokracia duke u shuar, Lapaj mund ta ndryshojë me partinë e re. Nëse Lapaj do të arrijë të vendosë këtë, ky do jetë elementi kryesor që do bëjë dallimin. Nëse Lapaj ndryshon mentalitetin se partia është çfarë thotë, dëshiron dhe vendos kryetari, ai do të triumfojë. Në të kundërt, ai thjesht do të bëjë atë që kanë bërë PS e PD, por me të rinj që funksionojnë si të vjetër. E shumta si fillim mund të arrijë disa mijë vota dhe të zërë një cep në politikë dhe më pas të shuhet fare.
2.Partia “Shqipëria bëhet”, edhe mund të bëhet. Por baza e saj që në themelim dhe në vijimësi duhet të jetë institucioni i votës. Nëse forumet dhe gjithçka formëzohet mbi bazën e këtij parimi kjo parti do të thyejë mentalitetin 33-vjeçar që në parti gjithçka e di kryetari, komandon kryetari dhe ndodh çfarë do kryetari.
3.Një sfidë tjetër madhore e kësaj partie është thyerja e disa monopoleve politike në Shqipëri. Ligji i vitit 2008 që ndryshoi kushtetutën dhe e bëri kryetarin e partisë tejet të fortë duke dëmtuar rëndë demokracinë në Shqipëri është pika kryesore që Lapaj duhet të ndryshojë. Por si do ta arrijë ai me partinë e tij ta thyej këtë gur në qafën e politikës shqiptare. Ndryshe ai së pari do të ketë shumë vështirësi për t’u bërë pjesë e spektrit politik dhe e dyta thjesht do të drejtojë një parti të vogël që kurrë nuk do të bëhet e madhe.
4. “Shqipëria bëhet” mund të arrijë të thyejë disi establishmentin politik në Shqipëri edhe nëpërmjet figurave të afruara. Këto ditë në faqen e Adriatik Lapajt janë reklamuar disa spote me disa personazhe që tregojnë se i janë bashkangjitur kësaj force politike. Kjo ka jo pak rëndësi. Fjala vjen kur shikon aty një personalitet si Tritan Kalo që i bën nder jo vetëm partisë së Lapajt, por gjithë politikës shqiptare. Por kthimi i emrave në rëndësi parësore në një qëllim në vetvete nuk mund të arrijë kurrë të kthehet në armë për të ndryshuar establishmentin. Në këto reklama bie në sy emri i Florian Binajt, një aktor i njohur humori. Është një gjë e mirë që ai i bashkohet kësaj lëvizje dhe ai ka çfarë mund t’i japë kësaj partie. Por, reklamimi se me “policin e Portokallisë” bëhet “Shqipëria bëhet”, është si të thuash se kombëtarja jonë e futbollit do të shpallet kampione bote nëse ylli Kylian Mbappe do të bëhet pjesë e ekipit. Një njeri që të bën të qeshësh, nuk do të thotë rrjedhimisht të bësh ta votosh. Në një parti sigurisht që kanë rëndësi edhe emrat, figurat dhe vlerat që afrohen. Por ta reklamosh këtë se tani gjithçka u zgjidh është diletantizëm. E vërteta është se asnjë nga emrat e reklamuar nuk kanë bërë ndonjë betejë publike për çështje konkrete dhe të kenë fituar. Atëherë si do të fitojnë ata përballë Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, të cilët kanë edhe pushtet politik dhe ekonomik? Duke i bërë për të qeshur? Vërtetë sfidat e Lapajt kërkojnë emra të pëlqyer në publik, por sfida për të ndryshuar establishemtin siç e synon Lapaj kërkon mbi të gjitha luftëtarë të vërtetë në politikë. Dhe besohet që edhe pse nuk janë publikë, ka plot të tillë.
5.Ka një synim të veçantë kjo parti për të tërhequr edhe diasporën. Një gjetje po aq e veçantë dhe që shkon përtej asaj që po ndodh me politikën e vjetër. Shqipëria ka më shumë popullsi jashtë territoreve të veta se sa në shtetin amë. Llogaritë e bëra nga specialistë të demografisë rezultojnë se shqiptarët në të gjithë botën janë rreth 15 milionë, ndërkohë që në Shqipëri jetojnë rreth 3 milionë. Prurjet në Shqipëri nga emigrantët janë 8 miliardë dollarë në vit, pra shumë më shumë se të ardhurat nga turizmi. Ndërkaq, Shqipëria ka 765 mijë familje dhe nga këto 195 mijë familje i mban diaspora me remitanca, që rezulton janë 25 për qind të familjeve shqiptare. Pra ata janë jo vetëm një rezervuar gjigand votash, por edhe një potencial ekonomik i paanë. Dhe që kjo të kthehet në një potencial politik duhet të arrihet që të votojnë. A do arrijë “Shqipëria bëhet” që të detyrojë politikën për të hartuar një ligj që emigrantët të votojnë? Nëse thyejnë pengesat që PS dhe PD kanë vënë në dekadën e fundit, vërtetë do të jetë një fitore e madhe dhe kjo fitore nuk do të jetë vetëm për këtë parti, por për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
6.Adriatik Lapaj proklamoi se në partinë “Shqipëria bëhet” do të funksionojë me garë. Kështu për të zgjedhur kandiatët për deputetë partia do t’i nënshtrohet garës. Kjo është një risi në politikën tonë dhe nëse ai jo vetëm e arrin, por edhe e vijon do të ketë sukses. Unë mezi pres që për çdo të zgjedhur lokal, kombëtar, struktrurë dhe forum të shikoj live një garë reale mes kandidatëve. Do të ishte vërtetë shumë e bukur!
7.Lapaj ka reklamuar se në parlament duhet ntë miratohet një ligj për referendumet. Shumë ide e mirë dhe mëse e nevojshme. Por si do të arrijë Lapaj ta bëjë këtë kur dy dinosaurët e politikës PS dhe PD nuk e kanë pranuar prej kohësh? Të presim nëse kjo do të bëhet realitet.
8.Një nga sfidat e partisë që drejton Lapaj është financimi. Ai disa herë ka reklamuar se financimet do të jenë modeste dhe do të jenë nga vullnetarët. Këtë gjë nuk e beson kush. Parti me 7 kompjutera dhe 2 televizorë është e denjë vetëm për një skeç në “Portokalli”, por jo për një parti që synon të “thyejë në mes” Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën. Një parti në Shqipëri që të funksionojë duhet të ketë para dhe mbështetje të fortë financiare. Me minimalizma dhe me vullnetarë, kjo nuk arrihet. Se si do ta zgjidhë Lapaj këtë ne nuk e dimë. Urojmë që të vijojë si vrulli i parë, ndryshe dështimi është mëse i dukshëm.
9.Raporti me median do të jetë një sfidë dhe ndoshta nga më të fortat për partinë e drejtuar nga Lapaj. Nga një star i ekranit për lajmet dhe veçanërisht për emisionet politike, ajo që pritet është se Lapaj do të përballet me bllokada në front të gjerë. Është mëse e dukshme që televizionet janë pjesë e pronarëve, por ato kanë kahje të dukshme editoriale. Por përse këto media të pozicionuar duhet t’i japin hapësirë partisë së Lapajt? Edhe angazhimi në rrjetet sociale nuk mjafton. Këtu nis një betejë që ndoshta deri tani ose e kishte menduar pak ose nuk ishte menduar fare. Fakti që Lapaj apo edhe bashkëpunëtorët e tij ishin të preferuar të gazetarëve deri dje lidhej edhe me faktin se kanë qenë kritikues ndaj qeverisë. Dhe këto media të mbështetur nga partitë politike e kishin interesin e madh që të kishin sa më shumë njerëz që krijojnë dhe akuzojnë pushtetin. Por në momentin që krijojnë vetë partinë, çështja ndryshon shumë. Hapësira pritet të jetë minimale dhe unë nuk e di se e ka menduar Lapaj zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dhe, nëse nuk je në media, nuk je në politikë.
10.E fundit, por jo për nga rëndësia cila është qëllimi kryesor i kësaj partie? Çfarë kërkon dhe synon të arrijë? A do të mjaftohet me një apo disa deputetë në kuvend dhe kjo do të ishte fitorja më e madhe? Nëse ka vetëm këtë synim partia ëshë e destinuar të dështojë me sukses. Nëse këtë frymë që ka krijuar synon të zgjerojë dhe të krijojë një parti të madhe pas një tranziconi të gjatë kjo kërkon akoma më shumë vizion dhe më e rëndësishme të të besojnë njerëzit. U bënë shumë sfida që “Shqipëria bëhet” i duhet t’i mbajë në kurriz. Të presim nëse do t’i arrijë.