Nga Ylli Pata
Panorama e ardhur deri nga ato që dimë deri më sot për ngjarjen e veriut të Kosovës është kjo : Lista Serbe, partia politike që ka prej vitesh që përfaqëson serbët e Kosovës, ka formuar krahun e saj ushtarak.
Krah që drejtohet nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojciç. i cili përveçse politikan është bisnesmen, trafikant, i akuzuar për krime të ndryshme, më e rëndësishmja për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ish lider i serbëve në veriun e Kosovës, që kishte lidhje me qeverinë paraardhëse të Aleksandër Vuçiç.
Por më e rëndësishmja në këtë rast është se Radojçiç ka qenë ndër të parët që janë ndëshkuar si Non Grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lista Serbe është një forcë politike në borderotë e Beogradit, aleate e SNS-së së Aleksandër Vuçiçit, e cila si person kontakti me skifterët e Listës ka vendosur Aleksandër Vulinin.
Ish-ministër i Mbrojtjes, ish-ministër i Brendshëm dhe aktualisht shef i shërbimit secret BIA. Vulin është nga më të rinjtë e shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E shpallja Non Grata ka ardhur pikërisht për marrëdhëniet, mbështejtjet, financimin dhe organizimin e një krahu të armatosur të politikës në veriun e Kosovës.
Ngjarja në Banjskë të Zveçanit, po nxjerr gjithnjë e më shumë të dhëna, se nuk ka qenë një aksion i vetëm forcave të Sigurisë të Kosovës, të cilët treguan një nivel të lartë profesionalizimi, e që jep një dëshmi se asgjë nuk ka nisur nga viti zero.
Pamjet satelitore të ofruara mbi vendngjarjen ku ishin fshehur terroristët, pra manastirin e Banjskës tregojnë se kemi të bëjmë me një nivel të lartë bashkëpunimi të SHBA dhe vendeve të BE-së me organet e sigurisë së Kosovës.
Siç dihet, në aksionin e policisë së Kosovës, kanë qenë prezent edhe trupat e Eulex-it dhe KFOR që kanë qenë jo thjesht për monitorim, por kanë dhënë të gjithë mbështetjen Kosovës në këtë aksion që dukshëm ka një fill direkt nga Beogradi.
Aleksandër Vuçiçi, jo më kot në konferencën e shtypit, të dielën në darkë përveç Albin Kurtit u mor shumë me Perëndimin, të cilin e akuzoi, por edhe dha mesazhe të koduara.
Vuçiç, tentoi të vizatonte grupin e armatossur të Listës Serbe si një reagim politik, por që deri tan inga të gjitha qarqet politike të SHBA e BE, ata quhen thjesht terroristë që nuk bisedohet.
Pastaj shpallja Non Grata e të gjithë personazheve kyçe të këtij grupimi është një tjetër lehtësim që SHBA i ka bërë Kosovës.
Ambasadori amerikan Honiefer, deklaroi qartësisht pas takimit të sotëm me Vjosa Osmanin se SHBA di gjithçka pë rata që kanë financuar, organizuar, furnizuar dhe mbështetur grupin e armatosur që vrau oficerin e policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u ngujua në Manastir.
Megjithatë, Beogradi vijon të martirizojë të vrarët nga policia, si luftëtarë për çlirim, në mënyrë që ta përdorë këtë kartë si tezë rezervë. Kujt i leverdis një vatër destabilizuese në Ballkan, si një dhimbje kokë për SHBA e Europën, kur e gjithë vëmendja është përqendruar në Ukrainë?
Serbia në këtë rast nuk ka çfarë humbet. Kosovën e ka humbur, e asaj i intereson një libanizim i veriut të Kosovës, që ta përdorë si kuzhinetë të politikës së saj të brendshme, asaj të jashtme, por edhe të sigurisë.
Kosovës nga ana tjetër, një “palestinizim” i komunave të veriut, nuk i leverdis as nga aspekti politik, ushtarak, e ekonomik.
E këtu është koha për qasje strategjike të mëdha. Çfarë do të bëhet me Listën Serbe, e cila tashmë ka një krah të armatosur, po viktimizon “Martirët” e po krijon një narracion alla Organizatë e Çlirimit të Palestinës?
Si do të sillet Prishtina e Albin Kurtin me të gjithë faktorin shqiptar në rajon që atij nuk i pëlqen, duke nisur nga Tirana zytare që nuk e do fare, nga BDI e Ali Ahmetit, ku përditë lufton për ta dëmtuar politikisht, apo edhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviçin, që nuk e honeps gjithashtu.
Çfarë qëndrimi do të ketë Kosova në aspektin strategjik me partneritetin e madh ekonomik e tregtar që ka me Serbinë.
A ka menduar Prishtina që të kalojë në një plan rezervë për ta rrëzuar me vepra e jo me fjalë, varësinë tregtare nga Serbia?
Veriu i Kosovës ka qenë gjithmonë i fuqishëm, pasi ka shërbyer si një lloj “amazon” e tregtisë mes Serbisë dhe Kosovës. Ka marrë haraçin, me leje nga Beogradi, për ta kanalizuar këtë fitim për të financuar Listën Serbe dhe krahun e armatosur.
Nëse Kosova bojkoton dyqanin Serbi, jo vetëm than buxhetin e terrorizmit, por edhe braktis rrugët e kontrabandës, duke i kthyer në shtigje të padobishme.
Siç ishte ai shteg i kontrave të Zveçanit ku u arratisën trimat e Radojçiçit nga Manastiri i Banjskës. Por që deri sot kanë qenë rrugë për të gjitha trafiqet e mundshme.