Shorti i fatit/ Shqiptarët e Kosovës ëndërrojnë për viza pune në Gjermani

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dikur në dy javët e para të çdo muaji – sa është thirrja e hapur për aplikim – ai thotë se i dedikon rreth 15 minuta kohë për ta kryer aplikimin. Ai nuk dëshiron të identifikohet me emër, pasi që është i punësuar në Kosovë, por thotë se edhe pse 20 aplikimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses, ai do të vazhdojë të aplikojë.

KOSOVË- Fillimi i çdo muaji e gjen një 26-vjeçar nga Suhareka në ueb-faqen e Ambasadës së Gjermanisë, duke aplikuar për vizë pune. Këtë procedurë ai e ka ndjekur që 20 muaj, por… pa fat.

“Jo vetëm që bëhet bajat, por nganjëherë edhe harroj të aplikoj [ditën e parë]. Pastaj, të bëhet rutinë. Janë datat e caktuara kur duhet të aplikosh dhe e kryen”, thotë ai.

Dikur në dy javët e para të çdo muaji – sa është thirrja e hapur për aplikim – ai thotë se i dedikon rreth 15 minuta kohë për ta kryer aplikimin. Ai nuk dëshiron të identifikohet me emër, pasi që është i punësuar në Kosovë, por thotë se edhe pse 20 aplikimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses, ai do të vazhdojë të aplikojë.

“Nuk të dekurajon [mungesa e suksesit në aplikim] sepse… thjesht e provon fatin”, shprehet ai.

Që nga janari i vitit 2021, kosovarët – bashkë me fqinjët e tyre në Ballkanin Perëndimor – fituan “qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës”, siç thuhet në ueb-faqen e Ambasadës gjermane. Kjo, pasi që në Gjermani hyri në fuqi “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor”, përmes së cilës, qytetarët e vendeve të këtij rajoni mund të aplikojnë për vizë pune, pavarësisht kualifikimit të tyre profesional.

Fillimisht, terminët për vizë pune i fitonte kushdo që arrinte të regjistrohej i pari, por më vonë mënyra e përcaktimit të terminëve ndryshoi, duke u bërë përmes tërheqjes së shortit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë në Berlin.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë se sa është numri i kërkesave që parashtrohen për të rezervuar termin për vizë pune brenda muajit, por iu tha se statistika të tilla nuk mbahen. Megjithatë, siç merr vesh REL-i, brenda vitit në dispozicion janë 5.500 vende.

Në ueb-faqen e Ambasadës gjermane në Prishtinë thuhet se mënyra e përcaktimit të terminëve u zëvendësua me procedurën e tërheqjes së shortit, “për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të terminëve, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion”.

E, përderisa djaloshi nga Suhareka thotë se është i rrethuar nga shumë shokë e shoqe që kanë kaluar nëpër faza të ngjashme si ai, disa të tjerë kanë pasur më shumë fat në tërheqjen e shortit. Në vitet e fundit, mijëra kosovarë kanë marrë viza pune për në Gjermani. Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak. Një prej përfituesve të vizës së punës në Gjermani është edhe Ramiz Hoxha, i lindur në fshatin Shalë të Lipjanit. Që gjashtë vjet, ai jeton në Hajllbron të Gjermanisë. Për të, procesi i marrjes së vizës nuk ka qenë aq i vështirë.

Lexo edhe :  Dhuna në oborrin mbretëror/ Gjykata dënon me 1 vit burg Princ Lekën, Elia e pafajshme!

“Për ta marrë vizën, për krejt procedurën kam pritur tre muaj, se atëherë kanë qenë më pak aplikime”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë. Ai thotë se përreth tij ka shumë shqiptarë të tjerë. Këtë e tregojnë edhe shifrat e kosovarëve që kanë hequr dorë nga pasaporta e Kosovës për ta marrë atë të Gjermanisë. Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës raportoi për rreth 1.500 persona të tillë.

Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa në Gjermani ishte 4.105 euro, sipas shifrave zyrtare të publikuara në prill të vitit të kaluar. Por, përveç kushteve më të mira të jetesës dhe pagave më të larta sesa në Kosovë, Lirim Krasniqi nga organizata Germin, e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, beson se Gjermania është bërë vend atraktiv për kosovarët edhe për një arsye tjetër.

“Arsyeja pse njerëzit shkojnë në Gjermani e jo në Francë dhe vendet e tjera të zhvilluara të Bashkimit Evropian, është sepse Gjermania e ka bërë shumë të lehtë emigrimin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se lehtësimi që është bërë përmes “Rregullores për Ballkanin Perëndimor” ka ardhur shkaku i nevojës së Gjermanisë për fuqi punëtore dhe shkaku i plakjes së popullsisë gjermane.

“Aspekti procedural dhe burokratik është lehtësuar jashtëzakonisht shumë nga ana e shtetit gjerman, në mënyrë që të tërheqë sa më shumë të rinj, veçanërisht profesionistë, që të shkojnë të integrohen atje dhe të punojnë në Gjermani”, shton Krasniqi.

Në gusht të këtij viti, kabineti gjerman i miratoi planet për ta lehtësuar rrugën drejt shtetësisë për emigrantët dhe për të lejuar më shumë njerëz të kenë nënshtetësi të dyfishtë. Sipas rregullave të reja të propozuara, të cilat ende duhet të miratohen nga parlamenti, natyralizimi në Gjermani do të ishte i mundur pas pesë vjetësh, në vend të tetë vjetëve sa është tani.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shumica e emigrantëve nga Kosova gjatë viteve të fundit kanë qenë legalë dhe janë larguar për bashkim familjar, gjetje të vendit të punës apo studime afatgjate.

Gjithsej, rreth 15 për qind e vizave të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në vitin 2022 ishin viza pune – pjesa dërrmuese ishin viza turistike për udhëtim në vendet e zonës Schengen. Nga 1 janari i vitit 2024, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Por, kjo leje nuk nënkupton edhe leje pune./I.S

Të fundit

Djali dy vjeçar i Paris Hilton dëshiron të bëhet zjarrfikës pas zjarreve në Kaliforni

Zjarret që “përfshinë” Kaliforninë dhe dogjën mijëra shtëpi, përfshirë atë të Paris Hilton, e ndihmuan djalin e saj të vogël të...

21 Janari, jeta nuk është rotacion

Nga Frrok Çupi Edhe këtë vit, pas 14, në bulevardin e Madh ku u derdh gjak, u shfaqen disa nga të njëjtat fytyra që kemi...

Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend...

Zbardhet vendimi/ 530 kredi me zero interes për punonjësit e administratës

Do të jenë 530 punonjës të administratës publike që do të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes 0% për blerje apartament banimi këtë vit (2025) Në...

Guardiola nxit Fodenin: Të rinovojë përjetësisht me Mançester Sitin

Pep Guardiola i ka kërkuar Fill Fodenit që të bëhet një lojtar i një klubi te Mançester Siti, duke ndjekur Erling Halandin në angazhimin...

Lajme të tjera

Web TV