Nga Ylli Pata
Thirrjet e ndezura, e shpesh me nerva të njerëzve të Sali Berishës pas shpalljes së tij të pandehur, nuk duket se janë një shprehje spontane e ndërgjegjes së tyre të vrarë nga marazi për doktorin.
Ngjan, e sipas gjasave është një taktikë për ta përqendruar debatin e diskutimin në një sfond politik e zhurmues, ku sa më shumë të mos flitet për lëndën që po shqyrton Gjykata e Posaçme e që e ka hetuar SPAK, por duke e trajtuar këtë çështje si një “zgjidhje të çështjeve të pronave” nga qeveria e Berishës në favor të gjithë pronarëve.
E si nga Arben Ristani, ashtu edhe nga Gend Strazimiri, duket se mesazhi është i qartë: Çohuni ju që Sali Berisha ju fali apartamentet e Enver Hoxhës, çohuni të gjithë ata që kanë marrë prona nga qeveria e Berishës, sepse ishit fshatarë e u bëtë qytetarë.
Në fakt ky është diskutimi që bën edhe Sali Berisha në lidhje me çështjen e Partizanit: dhëndri im u bë i pasur sepse ka marrë pjesën e tij të pronës, e mund të bënte jo 5.4 milionë euro, por shumë më shumë.
Pra, sot, na ka dalë një Sali Berishë tjetër nga ai që është shitur si fabulë e zbritjes së tij në politikë. Nuk është më ai plebeu i ardhur nga Tropoja, bir i një familje të varfër, ku gjithë jetën, edhe pse ka punuar mjek së bashku me gruan, kishin vetëm një apartament modest. Në të cilin ndenjtën edhe kur ishte President i Republikës. Sepse, nuk vinte nga shtresa të pasura, nuk kishin prona, maksimumi atje në Tropojën e Vjetër, e ku pjesa më e madhe është Zabel, kullota e pyje, pasi toka bujqësore është e mangët.
Sot nuk kemi të bëjmë me një Sali plebe, por me një Berishë patric, i cili pasi kanë mbushur rrjete e media me përralla familjesh fisnikërie që vjen nga koha e Skënderbeut, sot dalin ndër pronarët më të rëndësishëm të zemrës së Tiranës. Apartamente, vila, 17 kulla të ndërtuara në pjesën ku dikur italianët blenë tokën për të ndërtuar një aeroport, e më pas e transferuan hipotekën në shtetin shqiptar.
Mund të hidhet edhe kjo tezë, po ka një masë, kërkon një bazë fillestare për ta ilustruar. Sepse në Shqipëri, këto 33 vjet, Sali Berisha, është konsideruar nga pronarët e vërtetë, me letra me qitap e vula se nuk ju ka dhënë pronat kurrë.
Një pronar, gjegjësisht trashëgimtar i një prone të rëndësishme në zonën e Kamzës, e dinte që kjo pronë kishte qenë një stacion i shërbimit sekret shqiptar atje. Që natyrisht ishte trashëguar nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte të tjera koncepte, prioritete, operativitet e logjistikë. Me logjikë, i zoti i truallit ku ndodhej ish godina e SHIK, e që nuk përdorej për ta para, shkon ta shikojë.
Të prekë truallin e njohur ligjërisht në dokumentet e Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave. Por sa shkeli, në kodrën ku ndodhej trualli i tij, ju hodhën sipër duke e përzënë. E kur takoi kryetarin e atëhershëm të bashkisë, Xhelal Mziu, ja preu: Këtu nuk ka pronarë, jemi vetëm ne qytetarët e kësaj bashkie.
Po, ku fragment, nuk është aspak rast, madje as fenomen, por pikërisht vizioni, koncepti e mentaliteti i Sali Berishës për asaj që quhet çështja e pronës në Shqipëri.
Trajtohet krejt sipërfaqësore, kur thuhet se i gjithë kalvari i pronës në Shqipëri është ligji famëkeq 7501. Ligji 7051, edhe pse një ligj problematik, i padrejtë, e sipas të gjitha gjasave edhe antikushtetues, e i pazbatuar në një pjesë dërrmuese të tij, ai ka trajtuar vetëm një pjesë të pronësisë në Shqipëri. Vetëm tokat bujqësore të kooperativave bujqësore në kohën e komunizmit.
Ligjet më të tmerrshme të trajtimit të çështjes së pronës në vend, janë ai i ndarjes së tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore, pra fermave, që kishin sasinë më të mëdha dhe më të mirë të pronësisë në vend, ligji mbi pyjet e kullotat, që gjithashtu kishte një sasi të madhe pronash, e më e tmerrshmja është mënyra sesi u operua në ndarjen dhe ligjërimin e trojeve ku kanë qenë objektet gjigande të industrisë shqiptare në komunizëm, pronat e ushtrisë, e të Ministrisë së Brendshme që kishte në administrim kufirin.
Përkatësisht tokat më të lakmuara sot në tregun shqiptarë. Bëhet fjalë për zona që në shumicën e tyre kanë trashëgimtarë në mos direkt, në margjinat e tyre. Por asnjë prej pronarëve realë nuk ka përfituar nga këto prona që kanë përfunduar më pas në duar të zyrtarëve e politikanëve të lartë. Fshatrat turistik të Durrësit në Qerret e Gjirin e Lalzit janë dëshmia më autentike për këtë menaxhim.
Zonat e reja të Tiranës që dikur kanë qenë ferma bujqësore që nga Astiri në Yzberish apo ish zonat industriale që u kthyen në Pallate, janë kthyer në vite e vite në ngjarje të kronikës së zezë për vrasje e krime pafund në lidhje me mbivendosjet e konflikteve për pronën. Nëse numërohen viktimat e vrasjeve për pronat në Shqipëri, ata kalojnë një numër tragjik viktimash lufte. Bëhet fjalë përr reth 8500 vetë të vrarë për konflikt pronësie në harkun e 25 viteve.
Pra çfarë problemi prone paska zgjidhur Berisha që po e mbrojnë politikisht një akuzë që është thjesht penale?
Lehtësia e përdorimit të termit: se “apartamentet ua fali Berisha” është e tmerrshme. Si mund të falë Sali Berisha një pronë, që në thelb ishte e të gjithëve-publike. Qeveria e PD-së i privatizoi pallatet e shtetit, duke vendosur një tarifë që nuk ishte aq e rëndë për qytetarët. Nuk bëhet fjalë për argument ekonomik, pasi shqiptarët i kishin paguar me qiratë e tyre mujore ato apartamente. As me argumentin politik, se kjo ishte thjesht një menaxhim i transformimit të pronësisë, për ta kthyer atë në private. Gjë që ndodhi në gjithë vendet komuniste.
Por bëhet fjalë në mentalitetin e tmerrshëm: “ua fali Berisha”. Asnjëherë në historinë civilizimit botëror, të paktën sa dolën në skenë qytetërimet Greqisë së Lashtë apo Roma e Lashtë e deri më sot, nuk ekziston koncepti që një udhëheqës sado diktator të jetë, e konsideron pronën tokësore e nëntokësore si të tijën dhe e jep, e fal, apo e shet me lekë, letra me vlerë apo me këmbim vote, individëve apo grupeve të njerëzve.
Çezari arriti të fitojë zemrat e qytetarëve të Romës, pasi në 8 vitet e pushtimeve të tij në Gali, shpërndante para e gjësende për popullin masivisht. Ndihmonte njerëzit në nevojë, e në testamentin e tij që u lexua pasi vdiq, shkruante se shumica e pasurive të tij, ua shpërndau qytetarëve të Romës. Edhe Kosova që erdhi nga një pushtim 100 vjeçar i Serbisë, në përfundim të luftës së 1999, mori thuajse të gjithë të dhënat kadastrale siç kishin qenë.
Në fakt është pikërisht ky mentaliteti i filozofisë së Berishës në pushtet: është “Ay” që jep prona për të ndërtuar pallate, ay jep prona për të ndërtuar qytete, apo edhe punishte për demontimin e municioneve. Por pikërisht ky mentalitet përbën shkelje ligjore e madje penale. Kjo është thënë për vite e vite, por për herë të parë këtë e ka thënë edhe një Gjykatë e Republikës. Kaq e thjeshtë është.