Nga ROLAND QAFOKU
“Jam në Rinas. Po iki në Gjermani për ndeshjet”. “Jam në Gjermani për kombëtaren”. Nuk kam kohë. Rrezikoj të më ikë avioni”. Këto janë disa fraza më të përdorura të këtyre ditëve nëse merrej në telefon politikanët e Shqipërisë. Një zell dhe një pasion për futbollin e kombëtares nuk është parë kurrë prej tyre. Kanë lënë çdo punë në Tiranë dhe frymën e kanë mbajtur atje në vendin kur për 30 ditë kontinenti plak do të rrotullohet rreth topit të futbollit.
Qeveritarë dhe opozitarë, deputetë dhe ministra, sekretarë dhe ofiqarë të rangjeve nga më të ndryshëm, drejtorë të mëdhenj e të vegjël këtë fundjavë ishin zhvendosur në Dortmund. Me shumë siguri më 19 qershor kur kombëtarja jonë do të luajë me Kroacinë do të jenë në Hamburg dhe më 24 qershor kur do të luajë mje Spanjën do të jenë në Dyseldorf. Me Italinë humbën, por imagjinoni në një moment sikur rezultatet e ndeshjeve të tjera të jenë pozitive.
Kjo do të bëjë që politikanët e Tiranës jo vetëm të stacionohen në qytetet gjermane, por nuk është çudi që prej andej të bëhet politikë. Sa për biletat që në të gjitha rastet janë të shtrenjta, ata nuk e kanë shumë problem. Asnjë prej politiknëve tanë nuk është i varfër dhe një udhëtim në këtë verë është vetëm një nga dhjetra udhëtime që ata ia bëjnë dhuratë vetes.
Kjo fundjavë për ta përveçse një argëtim dukej si të ishte edhe si një detyrë politike. Dukej sikur kishin një garë elektorale dhe kush e kush synonte të spikaste më shumë. Fotot dhe videot mes tifozëve të ngjanin si foto dhe videot mes elektoratit. Mungonin në sfond vetëm logot dhe siglat e partive. Mes tyre janë shquar edhe një takëm që zor se kanë qenë ndonjëherë në stadium në rininë e tyre, për të mos vijuar nëse kanë luajtur ndonjëherë futboll me shokët e lagjes.
Por tani në pleqëri ua do koha dhe statusi i modës moderne. Veshin një fanellë të kombëtares dhe rrethohen nga pjesëtarët e familjes dhe kështu edhe pse të sforcuar arrijnë të kapin statusin që u duhet. Sa për ata që i njohin se në jetën e tyre nuk kanë patur ndonjë lidhje me këtë sport, nuk përbën problem. Do të sillen siç bëjnë në politikë me gënjeshtra dhe mashtrime. Vërtetë u kthyen të dielën dhe sot nisin me agjendën e zakonshme.
Por ama të gjithë e kanë mendjen te ndeshja e dytë me Kroacinë të mërkurën e 19 qershorit dhe te ndeshja e tretë të hënën tjetër të 24 qershorit kur kombëtarja do të luajë kundër Spanjës. Sikur të ndodhë ndonjë mrekulli zelli i tyre do të vijojë edhe më tej me të njëjtin stil dhe me të njëjtën metodë. Të gjithë e kuptojnë se politikanët tanë po shfrytëzojnë sa të mundin edhe Evropianin për të bërë politikën e tyre.
Dhe po e bëjnë pa asnjë elegancë si për të na treguar se betejat e tyre vazhdojnë edhe aty. Kur kombëtarja merr rezultate pozitive, reklamohen sikur edhe ata kanë dhënë një dorë. Dhe kur kombëtarja merr rezultate negative, justifikohen se ky është futbolli. Tamam siç është politika.
QEVERIA DREJT GJERMANISË
Mazhoranca është më e zellshmja për Evropianin. Duket se sikur po kërkon aty një motiv për të krijuar entuziasëm pas 11 vitesh qeverisje. E ku më mirë se një atmosferë si e këtyre ditëve ajo mund të gjejnë tharmin për të vazhduar rrugën që synon të jetë sa më gjatë në qeverisje! Me një konsumim ekstrem pushteti, me dhjetra skandale, me probleme nga më të ndryshme me ministra, drejtorë e zyrtarë gjithëfarësoj pjesë e administratës dhe me një SPAK që po ia gërryen çdo ditë pushtetin, për mazhorancën ky evropian mund të jetë një moment i mirë për ta shfrytëzuar maksimalisht për vete.
Sigurisht që kryeministri Edi Rama është në Gjermani dhe jo vetëm në ndeshjen me Italinë por do të jetë në stadium edhe në dy ndeshjet e tjera. Si një ish basketbollist dhe një tifoz futbolli ai e tregoi edhe këtë herë se sa i lidhur është me kombëtaren kur pa nisur ndeshja me Italinë tha se Shqipëria e fitoi kampionatin e vete evropian kur mediat gjermane njofuan se në stadium “Signal Iduna Park ”do të ishin 40 mijë shqiptarë kundrejt 20 mijë tifozëve italianë.
Dhe kjo nuk është pak në fakt. Por mes atyre 40 mijëve janë me qindra politikanë të mazhorancës që në shumë raste kanë marrë me vete edhe bashkëshortet, fëmijët dhe disa edhe nipër dhe mbesa. Kjo dalldisje ndaj kombëtares dhe një evenimenti si Kampionati Evropian nuk është parë kurrë më parë.
Nëpër faqe dhe profile në facebook, instagram dhe tik tok shpërthyen stautuset, fotografitë dhe videot nga Gjermania. Disa e nisnin që në Rinas me tifozët në një atmosferë vërtetë të rrallë në fakt. Të tjerë duke patur në krah futbollistët e kombëtares duke bërë edhe një garë mes njëri-tjetit se kush e kush ka më shumë shokë duke e treguar këtë me selfie-t që bëjnë me ta.
Disa publikojnë pamje nga stadiumi dhe disa në ambjente me pamje shqiptarë të veshur me uniformën e kombëtares në rrugët e qyteteve gjermane. Nuk mund të mos bëheshin pjesë të kësaj koreografie në prag të ndeshjeve edhe ministra që në studio televizive morën statusin e analistit të futbollit dhe ngatërruar hobet e rinisë me detyrën që ushtrojnë.
Ishte një atmosferë që në jo pak momente të ngjante sikur po zhvilloheshin zgjedhje parlamentare. Politikanët e mazhorancës ishin gati të thoshin se këto arritje të kombëtares kanë ardhur falë qeverisë, politikave të saj, mbështetjes që i ka dhënë ekipit dhe fakti që edhe ata janë aty i konfirmon këto të gjitha.
PD ME VULË DREJ GJERMANISË
Më 11 qershor gëzimi në grupimin e Rithemelimit ishte në kulmin e tij. Gjykata e Apelit vendosi që vula t’i përkasë këtij grupimi ndërkohë që PD që e quanim zyrtare mbeti me gisht në gojë. Prej asaj dite e në vjim këtë lajm të madh ia sfumoi vetëm Evropiani. Nuk kaluan shumë ditë dhe nga e premtja opozitarët e tashmë me vulë dhe logo nuk i gjeje në Tiranë. Në avionët e linjës Tiranë-Dortmund ishin plot e përplot me ata.
Nëse do të ndiqje protestën e të premtes përpara bashkisë së Tianës në një moment u duk sikur siuata percipitoi me një përplasje me dhunë me policinë. Por ndërsa akrepat e orës shkonin afër 12-tës, transmetimi live në faqet e rrjeteve sociale të politikanëve befas u ndërprenë. Rrjedhimisht pamjet nga ajo protestë të lidhura me faqet dhe drejtuar nga regjia qendrore u ndërprenë. U duk se diçka po ndodhte. Por të gjithë ishim gabuar.
Politikanëve të protestës u shkoi vonë për diçka më të rëndësishme se protesta. Ishin vetëm pak orë përpara nisjes së avionit të linjës Tiranë-Dortmund dhe të gjitha e lanë protestën dhe e mbajtën frymën për në Rinas.
Nuk kishte shans të premten mbrëma dhe përgjatë të shtunën që në Tiranë të gjeje dikë nga opozita. Të gjithë ishin në Gjermani dhe të gjithë e provonin këtë me statuse, foto dhe video nga rrugët e Dortmundit dhe stadiumi ku u luajt ndeshja. Ishte si një garë me politikanët e mazhorancës se kush e kush ishe më shumë tifozë. Se kush e donte më shmë kombëtaren dhe kush bënte më shumë politikë. Edhe në statuset e publikuara bëhej politikë.
Sa për në stadium pamjet ishin edhe më interesante. Dikush publikoi edhe një foto në të cilët shfaqej një parrullë ku shkruhej “Rama ik”, të tjerë shkruanin se pikërisht ai kryeministri ishte tersi i kombëtares dhe se nuk duhet të ishte fare në stadium dhe kjo tregonte se edhe atje në ndeshje ata po derdhnin djersën dhe po bënin politikë.
Dhe kur Shqipëria humbi me Italianë me rezultatin 1 me 2, të njëtët polikanë nisën të justifikojnë humbjen e ndeshjes siç bëjnë kur justifikojnë humbjen në zgjedhje. Gjetën fajtorët e humbjes, shkaktarët e golave dhe defektet e të tjerëve dhe asgjë te vetja, tamam si në situata kur dalin rezultatet e votimeve. Edhe Lulzim Basha nuk mbeti pas në këtë garë. Ai publikoi një video me një grusht mbështetësish që ndiqnin kombëtaren duke thënë edhe ai vetë disa fjalë se edhe ai vetë e mbështeste ekipin.
Të dielën të gjithë politikanët tifozë të opozitës u kthyen në Tiranë dhe do ta vijojnë politikën atje ku e ndërprenë. Do të vijojnë të festojnë për vulën. Do të vazhdojë hemoragjia nga grupimi i Bashës dhe kapërcimi për te Rithemelimi.
Do të vijojnë debatet në komisionet e posaçme hetimore me të njëjtën dështim siç ka ndodhur deri tani. Do vijojnë edhe protestat para bashkisë. Por ditët e ndeshjeve edhe ata do marrin avionin drejt Gjermanisë. Janë dhe ndjehen edhe ata si pjesë e kontinentit që këto ditë po ka epiqendër topin e futbollit.