Giovanni Di C., 46 vjeç është i burgosuri që sipas të dhënave të Burgjeve është mbartës i Covid-19. Askush nuk di të thotë se nga e ka marrë infeksionin italiani që u arrestua dy vite më parë në vendin tonë, por burime nga burgjet thanë ditën e djeshme se i burgosuri te ‘313’ në Tiranë është i infektuar me koronavirus.
Ai është shtetas italian dhe është vënë në pranga për trafik narkotikësh, ndërsa zyrtarisht lajmi nuk konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Më herët në këtë burg, është konfirmuar një punonjës si i infektuar, por sipas Drejtorisë së Burgjeve ai nuk ka pasur kontakte me persona të tjerë. Pak ditë më parë ishte vetë ministrja e Drejtësisë e cila doli publikisht e iu këkroi mediave të bënin kujdes me dhënien e informacionit për të infektuar nëpër burgje.
Në fillimin e muajit prill ishte një i paraburgosur, ish-drejtor spitali që iu kërkoi Drejtorisë së Burgjeve të merrnin masa sepse ai dyshonte se ishte i prekur nga ky virus, por në fakt Burgjet nuk bënë me dije asnjë të dhënë në lidhje me fatin e tij! Gjykata vendosi që t’i bëhet testi, por më pas nuk u fol për gjendjen e tij shëndetësore.
Giovanni Di C., i cili dyshohet se është me virus në burg u arrestua pasi u arratis nga urdhëri i arrestit të shtëpisë. Ai konsiderohet si një nga bosat e klanit mafioz Di Cosimo në Bari.