Të gjithë subjektet dhe individët kanë nisur të aplikojnë për përfitimin e kësaj page në portalin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Nga Silvana Tresa
Ditën e djeshme ka nisur zyrtarisht aplikimi për të përfituar “pagën e luftës” nga qeveria shqiptare. Janë rreth 60 mijë punonjës dhe rreth 30 mijë biznese me nipte aktive, që do të përfitojnë këtë ndihmë financiare prej 40 mijë lekësh. Të gjithë subjektet dhe individët kanë nisur të aplikojnë për përfitimin e kësaj page në portalin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku duhet të plotësojne një formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”. Aplikimi duhet bërë nga bizneset, ndërsa paga do kalojë në llogaritë e punonjësve. Sipas njoftimit të publikuar ne faqen zyrtare të tatimeve, tatimpaguesit të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing, dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 prill e në vijim. Formulari nr.2, do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë. Krahasuar me fondin e parë, nga ky fond pritet të përfitojnë një numër shumë më i gjerë punonjësish rreth 176 mijë të punësuar. Kategoritë e bizneseve që nuk përfitojnë nga paketa e dytë, janë ato që edhe përgjatë periudhës së karantinës kanë vijuar të ushtrojnë aktivitetin e tyre, siç janë dyqanet ushqimore, farmacitë, OJF apo profesionet e lira. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 prill 2020.
Kujdes, ja çfarë mund t`ju penalizojë
Sipas administratës tatimore, aplikantët duhet të kenë parasysh se për të përfituar ndihmën financiar, duhen ndjekur me rigorizitet disa hapa, pasi nëtë kundërt mund të penalizohen. Kështu aplikimi për të përfituar ndihmë financiare, duhet të kryhet nga kompania për punonjësit e tyre.
Punonjësit që figurojnë të punësuar në disa kompani, nuk do të përfitojnë më shumë se sa një pagesë. Në formular janë të detyrueshme të dhënat e llogarisë bankare. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues, dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.
Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare, janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave, bllokon edhe proçesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.
Kategorite që përfitojnë
Të punësuarit në subjekte që kanë të ardhura vjetore mbi 14. 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, dhe që janë mbyllur sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Punonjësit e subjekteve të lejuara që të ushtrojnë aktivitetin e tyre, dhe që janë larguar nga puna pas datës 10 prill 2020.
Punonjësit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara të ushtrojnë aktivitetetin e tyre.
Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve.
Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturave akomoduese.
Kategoritë që nuk përfitojnë
Individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Punonjesit e institucioneve shtetërore, si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror.
Organizatat jofitimprurëse.
Individët e subjekteve me objekt veprimtarie:tregti të produkteve ushqimore, fruta-perime, aktivitetet farmaceutike.
Nuk përfitojnë as individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.
Individët e subjekteve të regjistruara si persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitet sipas profesioneve të tilla si avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin.
Nuk përfitojnë nga kjo paketë individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.