Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, është dorëzuar sot në policinë e Kosovës, pasi ndaj tij kishte një fletëarrest për shkak të një rrahjeje që ndodhi në muajin gusht në një klub nate në Pejë.
Babai i tij, Sali Lushaj, për emisionin “Kosova Today” u shpreh se e kishte shoqëruar vetë të birin sot në ora 09:00 në Policinë e Pejës.
Sakaq, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit prej 48 orësh, Sali Lushaj u shpreh se nuk ka ndonjë koment pasi ashtu e ka parë të arsyeshme prokuroria dhe duhen zbatuar ligjet e shtetit.
Dorëzimi i Stresit erdhi pasi avokati i tij negocioi me prokurorinë, tha Lushaj, duke shtuar se nga ky rast pret çka do të vendosë drejtësia.
“Mbi drejtësinë nuk mund të dalë as unë, as Stresi e askush”, përfundoi ai.
Stresi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës pasi dyshohet për përfshirjen në sherrin e rëndë që ndodhi në një diskotekë në Pejë po atë muaj.
Për këtë rast po ashtu Noizy dhe DJ Crax u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës./ S,M