Kjo nismë do të kishte sukses, nëse do të zbatohej në mënyrë serioze, transparente e do të vendoseshin protokolle të forta për prodhimin, si dhe kontrata të qëndrueshme eksporti. Kështu shprehet Fatjona Mejdini, gazetare freelancer, për gazetën “Fjala” në lidhje me projektin e qeverisë për legalizimin e hashashit.
Si e konsideroni projektin e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor? Çfarë përfitimesh dhe problematikash sjell zbatimi i tij?
Mendoj që kjo ide duhet konsideruar dhe sigurisht drafti dhe implementimi i tij duhen parë dhe ndjekur me kujdes. Në thelb legalizimi i kanabisit për arsye mjekësore është sot një praktikë që zbatohet prej kohësh në 22 vende të Evropës, duke përfshirë edhe vende si Gjermania, Norvegjia, Britania e Madhe, Zvicra, për të mbërritur tek vende fqinje si Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Nuk duhen harruar këtu edhe vende si SHBA-të dhe Kanadaja, të cilat jo vetëm e kanë legalizuar kanabisin për arsye mjekësore, por edhe për ato që quhen arsye rekreative, thënë ndryshe tymosjen e kanabisit për arsye argëtuese ose çlodhëse. Në Evropë pritet që Luksemburgu dhe Holanda gjithashtu t’i hapin së shpejti rrugë kanabisit rekreativ. Parimisht duhet të kuptojmë se legalizimi i kanabisit për arsye mjekësore konsiderohet si pjesë ose zgjerim i industrisë farmaceutike.
Ajo që shumë nuk kuptojnë në këtë proces është kohëzgjatja e tij. Nga momenti i miratimit të draftit dhe deri në momentin kur puna nëpër fermat e kanabisit mjekësor të nisë duhen 2-3 vite. Fillimisht nis një proces licencimi për kompanitë që fitojnë të drejtën për të marrë licencë kultivimi dhe më pas ndërtimi i këtyre fermave i shoqëruar me teknologji të avancuar dhe certifikuar me protokolle të forta sigurie. Duke iu referuar Maqedonisë së Veriut, vlera e investimeve në këto ferma ka qenë shumë e lartë e në disa raste ka kapur edhe 10 milionë euro.
Te përfitimet e këtij procesi pa dyshim më kryesori është ai ekonomik. Nisma të tilla nga vende të vogla si Shqipëria merren kryesisht për të eksportuar. Sot ka një nevojë gjithmonë e më të madhe për kanabis mjekësor dhe përllogaritet se deri më 2024 vlera e kësaj industrie të shkoj në 44 miliardë dollarë. Vetë Maqedonia e Veriut parashikon që brenda këtij viti kanabisi mjekësor të gjenerojë 100 milionë euro fitime për kompanitë që janë licencuar. Në këto kushte ky proces do të krijonte fitime dhe për Shqipërinë, për bizneset vendase, nëse do të përfshiheshin në kultivim dhe në rast të përfshirjes së kompanive të huaja në taksa dhe në punësim. Kërkesat për kanabisin mjekësor janë të mëdha, sidomos nga vende si Gjermania, Kanadaja etj. Kjo për shkak se vende si Shqipëria kanë kushte të favorshme për prodhim, diell, burime natyrore dhe krah të lirë pune, duke e bërë më leverdi importimin e kanabisit nga Shqipëria.
Një nga efektet e tjera pozitive do të jetë edhe prania e medikamenteve me bazë kanabisi në Shqipëri, të cilat do t’u vinin në ndihmë pacientëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, duke nisur nga kanceri deri tek epilepsia. Deri tani kjo kërkesë e këtyre pacientëve është plotësuar nga tregu i zi.
Një nga rreziqet e këtij procesi është korrupsioni dhe shpërndarja e licencave në kompani të cilat nuk i kanë kapacitetet e duhura apo eksperiencën për të marrë pjesë në industri të tilla. Duke iu referuar përsëri Maqedonisë së Veriut, aty është vërejtur dhe nepotizëm në kuadër të ndarjes së licencave, me opozitën e cila ka akuzuar qeverinë se i ka shpërndarë këto licenca mbi baza politike dhe fisnore. Shqipëria, sigurisht, është shumë e rrezikuar nga mungesa e meritokracisë dhe shpesh korruptive në ndarjen e licencave, ashtu siç ka ndodhur në fakt dhe me shumë procese të tenderimit publik dhe partneritetit publik-privat.
Si një vend ku kultivimi i hashashit është i paligjshëm, a mund të keqkuptohet ky projekt i qeverisë dhe të nxisë kultivimin e paligjshëm?
Sigurisht që është e lehtë ta paragjykosh këtë proces, për shkak të problematikës që ka pasur dhe ka Shqipëria në këto 28 vite me kultivimin e paligjshëm të kanabisit, por mendoj se proceset në thelb janë të ndara, ndonëse bëhet fjalë për të njejtën bimë. Unë mendoj se ka hapësira që gjërat të qëndrojnë të pangatërruara në kushtet kur një biznes që investon miliona euro për ngritjen e strukturës për prodhimin e kanabisit mjekësor, do të ishte i pari që jo vetëm do të mbante paligjshmërinë larg, por do të ishte i interesuari kryesor për zhdukjen e tregut informal. Nga ana tjetër, nëse projekti për kultivimin e kanabisit mjekësor do të bëhej në mënyrë rigoroze dhe do të ishte i suksesshëm, do të krijonte shtysën, që shumë njerëz, të cilët kultivimin e kishin zhvilluar në kushtet e paligjshmërisë, të përfshiheshin tashmë në një biznes të ligjshëm.
Çfarë modeli mund të marrim nga vendet e tjera për ta realizuar këtë gjë?
Të gjitha modelet janë pothuajse të njëjta me njëri-tjetrin. Çelësi i suksesit të kësaj nisme është serioziteti, procesi transparent i licencimit, vendosja e protokolleve të forta për prodhimin dhe kontrata të qëndrueshme eksporti.