Presidenti i Republikës, Ilir Meta e konsideron të pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira, marrëveshjen e arritur para pak minutash për kodin e ri zgjedhor.
Përmes një reagimi nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi, kreu i shtetit gjithsesi i ka falenderuar palët për arritjen e konsesusit si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik për kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshje.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapoarritur për Reformën Zgjedhore. Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave. Falenderime edhe partnerëve tanë europianë për durimin e tyre! Falenderim të veçantë edhe për SHBA dhe Britaninë e Madhe që mbështesin të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkruhet në postimin e zëdhënësit të Presidencës./E.B./Fjala.al