Një grup studentësh kanë dorëzuar këtë të mërkurë një peticion me 8 mijë firma te Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit për anulimin e tarifave të vitit akademik.
Lajmin e ka dhënë “Lëvizja për Universitetin” e cila në një reagim të sajën e quan të turpshme deklaratën e policisë së Tiranës, e cila e konsideroi si tubim dorëzimin e peticionit.
Për shkak të krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19 studentë kërkojnë që të anulohen pagesat për këtë vit akademik edhe pse në disa fakultete është marrë vendimi që të shtyhen afatet e datave të pagesave.
Postimi i plotë:
Përmes një deklarate të turpshme për shtyp, Policia e Tiranës lajmëroi procedimin penal për katër studentë dhe aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin, të cilët dorëzuan peticionin me 8 mijë nënshkrime për anulimin e tarifave shkollore. Me një patetizëm të pafalshëm për nënpunësit publikë, dorëzimi i peticionit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë qenka zmadhuar në miting, ndërsa largimi i paqtë i aktivistëve në shpërndarje mitingu.
Arsyeja e vërtetë e këtyre procedimeve nuk është as pandemia dhe as mosbindja, ngaqë ata që i shkelën me të dyja këmbët rregullat e higjienës ishin vetë policët, por frika nga kriza ekonomike në mesin e të rinjve dhe revoltat e pashmangshme të së ardhmes. Kriminalizimi i protestës perveçse nuk do të na ndalojë, na bën më të guximshëm dhe vullnetplotë.
Jeta e një brezi nuk mund të shtypet as me dhunë dhe as me frikë, as me xhandarë e as me mashtrime.
/En.Br./Fjala.al
https://www.facebook.com/651561178215203/posts/2992130687491562/