Anti-shpifja/ Alfred Peza: Mazhoranca do ta rrëzojë Metën me akt politik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste, Alfred Peza thekson se mazhoranca do ta rrëzojë në Kuvend dekretin e presidentit Ilir Meta për ligjin Anti-shpifje me një akt politik.

Sipas Pezës, mazhoranca qeverisëse do të ketë një reagim të tillë ndaj presidentit Meta, pasi vetë dekreti është një akt politik dhe nuk ka të bëjë aspak me mediat.

Në një intervistë për gazetën ‘Fjala’, Peza shpjegon se ky qëndrim i mazhorancës ndaj ligjit anti-shpifje nuk është përdorim i forcës së kartonit, por një obligim për të kryer reformat në vend, qoftë edhe në fushën e medias.

Intervistoi: Bardhi Quku

Z. Peza, si e gjykoni rikthimin për shqyrtimin nga ana e presidentit Ilir Meta të ligjit Anti-shpifje?

Rikthimi i paketës anti-shpifje nga Presidenti Ilir Meta nuk ishte diçka e papritur po të kemi parasysh se prej afro dy vjetësh, bën të njëjtën gjë me të gjitha dekretet që kanë të bëjnë me mazhorancën qeverisëse. Ndryshimi i vetëm, ka të bëjë me faktin se nuk e ktheu menjëherë sapo Parlamenti ia dërgojë, por bëri sikur u mendua për të kthyer përgjigjen që dihej.

A do të ketë një reflektim nga ana e mazhorancës mbi shkeljet e gjetura nga presidenti në këtë ligj?

Mazhoranca ka reflektuar dhe reflekton gjithmonë ndaj çdo sugjerimi, propozimi apo kërkese racionale në funksion të përsosjes së legjislacionit. Ajo që duhet ditur nga të gjithë, është se në të gjitha rastet, ligjet dhe ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me mediat në Shqipëri, përveç të tjerash, përpunohen dhe dakordësohen 100% me zyrën e OSBE për lirinë e medias. Kjo rrugë është ndjekur edhe në këtë rast nga ana e mazhorancës deri në momentin e miratimit të kësaj pakete në Parlament. E njëjta do të ndiqet edhe kur rikthimi i dekretit nga Presidentit, të shqyrtohet sërish.

A do ta marrë parasysh mazhoranca qëndrimin e fundit të përfaqësuesit të OSBE-së për median, Harlem Desir, i cili kërkon përmirësimin e ligjit ‘Antishpifje’?

Mazhoranca do ta rrëzojë Presidentin nëpërmjet një akti politik, për aq kohë sa edhe vendimi i Ilir Metës për ta rikthyer paketën ishte një akt politik dhe nuk kishte të bënte me mediat, por me raportin e tij përballë mazhorancës.

A do ta marrë parasysh mazhoranca qëndrimin e fundit të përfaqësuesit të OSBE-së për median, Harlem Desir, i cili kërkon përmirësimin e ligjit ‘Antishpifje’?

Asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjëra të mira, ndaj kurrë nuk është vonë për të përmirësuar një ligj apo paketë ndryshimesh ligjore.

Përfaqësuesi i zyrës së OSBE, është shprehur i gatshëm të punojë me autoritetet tona për ta përmirësuar pjesën që lidhet me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit sipas parashikimeve të ligjit ndërkombëtar. Përderisa ekziston vullneti pozitiv, gjithçka është e mundshme.

“Rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”,- thuhet edhe në deklaratën e zyrës së OSBE, pasi Presidenti ktheu për rishqyrtim në Parlament ndryshimet në ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”.

Lexo edhe :  Festojnë ditëlindjet në të njëjtën ditë, ja urimi i veçantë i Arbanës për Eduart Grishajn

A do të tërhiqet mazhoranca nga miratimi i këtij ligji apo do të përdorë forcën e kartonëve pavarësisht protestave të gazetarëve dhe organizmave ndërkombëtare?

Mazhoranca as nuk do të tërhiqet dhe as nuk do të përdorë forcën e kartonit. Mazhoranca ka një mandat legjitim për të ushtruar, të dhënë nga qytetarët shqiptarë me votën e 2017. Kjo e obligon në ndërmarrjen e reformave të shtet-formimit modern dhe këtë do ta bëjë në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, parimet universale të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.

Përse i intereson mazhorancës qeverisëse një ligj i tillë kur media ka procesin e saj vetërregullues?

Në një Shqipëri ideale, vetë-rregullimi do të ishte qershia mbi tortën e një “pushteti” perfekt mediatik. Por faktet tregojnë se mediat tona kanë dështuar në këto 30 vite që të vetë-rregullohem.

Këtë nuk kemi pse ta fshehim, pasi këtë e tregon vetë realiteti. Kjo gjë është pranuar nga shumica e përfaqësuesve të komunitetit të medias, pjesë e së cilës jam edhe vetë prej çerek shekulli.

Në situatën ku ndodhemi, ndoshta një harmonizim mes rregullimit ligjor dhe vetë-rregullimit të brendshëm nga komuniteti i medias, do të sillte një kapërcim më të shpejtë të gjendjes dhe do ta relaksonte klimën e përgjithshme të mosbesimit mes palëve.

Përse me anë të këtij ligji i keni dhënë kompetencat e gjykatës AKEP-it dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive për ndëshkimin e botuesve të mediave online?

Kjo pyetje është e tejkaluar prej kohësh, si pjesë e miteve të rreme që prodhoi debate publik me këtë temë. Çka tregon mosnjohje as në tërësi e as të detajuar të ligjit. Në asnjë rast, për asnjë çështje, as AKEP dhe as AMA nuk kanë asnjë atribut të vetëm gjykatash. Në çdo rast fjalën e fundit do ta thotë gjithmonë gjykata dhe vetëm gjykata.

A është ky ligj një tentativë për t’u mbyllur ‘gojën’ mediave online?

Demokracia nuk është e rrezikuar nga liria siç janë diktaturat. Demokracitë liberale dhe funksionale, janë të rrezikuara nga abuzimi me lirinë.

Asnjë profesionist nuk trembet nga ligjet që rregullojnë veprimtarinë dhe mënyrën e funksionimit të fushës së tyre. Ata që bërtasin më shumë në të tilla raste, janë abuzuesit që fshihen prapa maskave të lirisë së shprehjes dhe të së drejtës për informim.

E kuptoj shumë mirë dhe e mirëkuptoj skepticizmin e atyre që janë djegur në këto 30 vite nga tendencat e klasës politike për t’i ikur transparencës, llogaridhënies dhe kritikës kur ato kanë abuzuar me pushtetin. Sikundër duhet ta ndajmë këtë shqetësim të arsyeshëm, nga të gjitha zhurmat e tjera, që nuk kanë asnjë lidhje me fjalën e lirë dhe luftën e medias profesionale, për të vërtetën në funksion të interesit publik. /Fjala.al/

Lexo edhe:

Ligji Anti-shpifje/ Çfarë do të ndodhë me dekretin e Presidentit?

Të fundit

Saimir Mane flet pa ‘dorashka’, zbulon për herë të parë sesa lekë fiton në ditë

Saimir ishte shumë i hapur për të na treguar disa detaje ekskluzive nga jeta e tij personale Salsano Rrapi: Sa lekë...

Edi Ramës nuk i bën puna Rezoluta, por rruga që ndoqi për Reformën në Drejtësi

Nga Mero Baze Projekti i Edi Ramës për të përfshirë opozitën në një projekt që pretendon modernizmin e shtetit shqiptar që përgatitet të hyj në...

Paris Saint-Germain synon përmbysjen ndaj Dortmund, formacionet zyrtare të sfidës

PSG zbret në fushën e “Parc des Princes” këtë mbrëmje me synimin e qartë: të përmbysje humbjen 1-0 të një jave më parë në...

Pankarta fyese ndaj Theo Hernandez, Federata Italiane merr vendimin për Dumfries

Zyra e Prokurorit të FIGC ka mbyllur hetimin e saj ndaj Denzel Dumfries pasi mbrojtësi i Interit u pa duke mbajtur një pankartë që...

Hakohen faqet e institucioneve të Kosovës, ministrja Gërvalla ngre akuza ndaj Rusisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka njoftuar sot se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës. “Rusia...

Lajme të tjera

Web TV