Hera e tretë e Lulzim Bashës, me kusht që dy të parat të mos quhen

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli/ Lulzim Basha arriti të bashkojë në një pikë edhe miqtë, edhe armiqtë. Ai i detyroi të dy palët që të ndajnë të njëjtin gjykim të gabuar: të parët e morën me shumë rezerva, i derdhën breshëri kritikash dhe nuk i japin asnjë gram pritshmërie modelit të ri të sjelljes së tij publike, kurse të dytët nisën ta tallin me të njëjtat fjalë, po i bëjnë ironi dhe po tentojnë ta zhvleftësojnë si një humbës të vazhdueshëm që di t’i fitojë në mënyrë të përkryer vetëm humbjet e vazhdueshme të tij.

Është rasti i parë që përkundër edhe të parëve, edhe të dytëve, Lulzim Basha ka të drejtë në këtë tentativë për të rilindur veten nën një portret të ri dhe për të bërë opozitë ndryshe. Për të krijuar një profil njerëzor, ndryshe nga maska që ka mbajtur deri më tani. Duke synuar pushtetin me mjete të tjera. Në ditët e fundit Basha ka bërë hapin minimal dhe gjestin gjithashtu minimal të rikthimit në normalitet, i cili është në fakt një lëvizje gjigante në filozofi dhe në fantazi për t’u rikthyer tek vetvetja.

Kryetari i PD-së në fillimet e tij në politikë këtu e 15 vjet më parë, dukej normal kur dinte të qeshte normalisht përpara tipologjisë së ca burrave socialistë të ngrysur si gra para menstruacioneve dhe ca grave socialiste të ngrysura si burra periferie. Në këtë mënyrë ai i dha një dorë modeste fitores së partisë së tij, që mbante prej krijimit një portret arrogant dhe të vrazhdë, pa kuptuar se kur ai vetë të bëhej partia, do të merrte të njëjtin portret të saj, edhe të vrazhdë, edhe arrogant. Nëse dukej interesant kur ishte normal mes anormalitetit, Basha dukej më shumë se qesharak kur kërkonte të imitonte Berishën, në trashjen e zërit, qëndrimeve dhe të zullumit. Qoftë dhe perfekte, përballë origjinalit, kopja mund të ketë fat të mirë, por fiton fund të lig.

Në ditët e fundit, Basha ka zgjedhur të rilindë vetveten. E nisi me ca kokrra domatesh e shegësh në çantë plastike, më pas me pak sherr në shkallë konvikti e më tej akoma, u shty më tej duke i rënë ziles së një porte apartamenti për të hapur një derë frigoriferi, foli “live” në Facebook me ndjekësit e tij dhe premton të vazhdojë në të njëjtën mënyrë. Kush e tall për një gjë të tillë nuk kupton gjë nga serioziteti dhe kush nuk e merr seriozisht një mënyrë të tillë sjelljeje, do të ketë problem serioze në një të nesërme shumë të shpejtë.

Asnjë pushtet në Shqipëri nuk ka rënë nga forca e dhunës, siç premtoi Basha në shkurtin e vitit të shkuar. Gjysmë përjashtimi bën vetëm 97-ta, por rrethanat që e prodhuan atë tragjedi, i kanë pothuaj zero shanset e ripërsëritjes së të njëjtit skenar nga të njëjtët shqiptarë, që atëherë kishin humbur vetëm paratë në fajde, kurse sot mund të humbasin shumë më shumë se paratë nga kaosi i atij lloji. Në kushte të ngjashme Edi Rama kishte bërë të njëjtën gjë në 2013. Mbasi dështoi me bojkot dhe grevë urie, mbasi humbi me protesta paqësore dhe të dhunshme, mbasi e rrahën dhe nuk e lanë as të qante katër të vrarë në bulevard dhe vjedhjen e bashkisë e Tiranës, ai programoi ardhjen në pushtet nëpërmjet rrugës normale. U rikthye në institucione, bëri kalkulime numrash, realizoi mbi të gjitha edhe koalicionin e duhur dhe fitoi. Fitoi edhe përkundër frikës së tij proverbiale se Sali Berisha nuk mundej me votë. Njëlloj siç thotë sot me terma disfatisti Sali Berisha dhe përsërit çdo portret i trembur frikacaku në opozitë se Edi rama nuk mundet me votë! Në fakt Edi Ramën nuk e rrëzon dot as molotovi i Bashës dhe as çizmja e Monikës: atë e rrëzon vetëm normaliteti dramatik i opozitës normale që e la veten rrugëve dhe e dëmton më së shumti opozita anormale që ka në parlament.

Lexo edhe :  Pse Saliu nuk e mund dot Edin..

Lulzim Basha i ka të gjitha arsyet të ketë frikë nga dhuna dhe të shpresojë tek normaliteti. Gjithkush në vendin e tij do të kishte frikë. I trembur ishte Sali Berisha në 2015-ën, por fitoi. I terrorizuar ishte Edi Rama në 2013-ën, por gjithashtu fitoi në zgjedhje e me votë. Dhe vetëm vota do të jetë alkimia për ta sjellë Bashën në pushtet, nëse kjo do të ndodhte ndonjëherë.

Kryetari i PD-së vjen në momentin e bastit të madh të jetës së tij pas së paku dy dështimeve gjigante: zgjedhjeve të 2017-ës dhe gafave spirale të gjithë 2019-ës. Sprova e tij e tretë drejt pushtetit me të gjitha gjasat do të jetë edhe e fundit. Parë me këtë sy, ai ka në dorë vetëm sjelljen e tij dhe asgjë më shumë. Dhe tani duket se ka kuptuar që i vetmi mjet dhe mekanizëm që mund ta ndihmojë, edhe rikthimi në normalitet.

Si hap të parë kryetari i opozitës duhet të bindë në fillim veten e më pas ndjekësit e tij se çfarë dëshiron nga e nesërmja: të jetë kryeministër i vendit apo të jetë një nga ministrat e Edi Ramës, për të shpresuar në rotacion paqësor brenda të njëjtës qeverie miks me socialistët. Në 2017-ën, kur ishte shumë pranë realizimit të kësaj skeme, për shkak të së cilës, shiti, shkeli dhe shkrehi gjithçka, ai humbi më thellë sesa pritej.  Tani i duhet të bëjë pikërisht atë që askush nuk e pret nga ai, atë që nuk e presin prej tij as miqtë dhe as kundërshtarët: të jetë vetvetja dhe të ketë veten si model. Të ikë nga vila në periferi dhe ose të shkojë në apartamentin e vjetër, ose të rrijë me qera tek Fresku. Të dëshmojë sakrificë vetjake dhe të ftojë me hir e pahir gjithë njerëzit e tij të afërm që të sakrifikojnë bashkë me të për të pasur shansin që të qeverisë vendin. Të përpiqet t’u ngjajë si model dhe jo si kopje e shëmtuar atyre që kërkon t’u hapë derën e frigoriferit: jo në varfëri, por në shpresë.

Ky është shansi i fundit i Bashës që të mos vazhdojë të sillet ai dhe opozita e tij si një adoleshente e llastuar nën furtunën e hormoneve të moshës. Të ketë kurajon që i mungon asaj  adoleshenteje që mbas nja dy dramash dashurie, të mos ketë frikë se mbetet me barrë nëse puth shokun e bankës. Apo edhe bën marrëveshje me Damianin në tryezë dhe me Ramën në sfond.  Ndryshe, në Tiranë do t’i kujtojnë një histori të vjetër që e tregojnë shpesh për viktimën e tre gënjeshtrave të njëpasnjëshme. Sepse në Tiranë betohen se hera e e parë dhe nën zor quhet përdhunim dhe për përdhunimin e ka fajin agresori; herën e dytë gjykojnë se faj ka edhe vetë viktima që nuk i mban dot b..kët veshur. Ndërsa kur akti ndodh edhe herën e tretë, atëherë të gjithë kanë bindjen se me shumë gjasa, edhe “viktimës” vetë i pëlqen t’ja marin pak si me zor. Virtyti i epërm njerëzor për të luajtur kafshën me dy kurrize, siç thotë Shekspiri, në politikë ka kuptim tjetër. Në Shqipëri fituesi i merr të gjitha dhe fituesit i përulen të gjithë. Basha e fitoi betejën e parë me veten, tani i duhet që të mundë edhe Edi Ramën në mënyrë që ta adhurojnë miqtë dhe ta kenë frikë armiqtë. Sepse nëse humb, do t’i bashkojë sërish të gjithë në një pikë: me dështimin e tij do të gëzohen më shumë miqtë sesa do të festojnë armiqtë e tij.

Të fundit

Pse po i mënjanon Berisha krerët e degëve të PD?

Nga Ylli Pata Kjo qarkore, është njëjtë siç e gjithë retorika që bën Sali Berisha prej 2021-shit kur u shpall...

“Nëse jeni çift mund të debatoni…”/ Horoskopi për 23-29 janar 2025: Lërini ndjenjat të…

Dashi Këtë javë dashuria ju sfidon të gjeni një ekuilibër mes pasionit dhe durimit. Nëse jeni çift, mund të ndiheni të prirur të debatoni për...

Zgjedhjet e 11 majit, juristja: Bardhi, Tabaku, Gjekmarkaj jashtë listës së Berishës!

Juristja Brisida Gjikondi u shpreh se shqiptarët e diasporës kanë treguar një interes të lartë me rreth 60,000 aplikime deri më tani. Sipas saj,...

Çfarë ndodhi? Egli shpërthen në lot: Dëgjova diçka që është shumë rëndë…

Para pak minutash, Egli Tako ka qenë duke qarë në krevat. Afër i ka ndejtur vetëm Loredana, e cila e ka këshilluar që ti marr...

Investimet strategjike, ja cilët janë 6 sektorët që favorizohen dhe kushtet për secilin

Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) listoi në një publikim të fundit 6 sektorët kryesore që trajtohen si strategjikë në vend ku investitorët...

Lajme të tjera

Web TV