Ekipet dominuese të 5 ligave kryesore të futbollit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Renditja e klubeve të futbollit deri në shkurt 2020, golat e shënuar nga kryesuesit e ligave më të rëndësishme

Tashmë kemi hyrë në muajin shkurt dhe të gjitha klubet kanë për qëllim që të shkojnë më lart se sezoni i viteve 2018-2019. Në fund të çdo viti si dhe fillimin e viteve të reja përzgjidhen diku te pesë ose dhjetë klubet më të mira të botës së futbollit, ato që deri në këtë fazë të sezonit ndodhen në krye të ligave.

Duke folur për pesë ligat e mëdha e më të mira në Evropë, gjithçka në krye të tabelës mbetet goxha e pandryshuar. Të gjitha klubet kishin një kalendar mjaft të egër për t’u ndjekur në muajin e fundit. Performancat e tyre në janar sigurisht kanë ndikuar në formësimin e mënyrës se si po kalon i gjithë sezoni i tyre për momentin.

Megjithatë, që të analizosh klubet më të mira të një sezoni, duhet që ai të jetë mbyllur, por qëllimi ynë është të merremi me ecurinë e tyre deri në këto momente. Pesë kampionatet më të mëdha në Evropë dhe kryesuesit e të cilave do të analizojmë tashmë, janë: Premier Liga (Angli), Ligë 1 (Francë), Bundesliga (Gjermani), La Liga (Spanjë) dhe Seria A (Itali).

Premier Liga Klubi më i mirë i momentit dhe i të gjithë këtij sezoni në kampionatin më të madh të futbollit anglez është Liverpuli. Ekipi i “Të Kuqve” ndodhet në krye të Premier Ligës me plot 73 pikë dhe një diferencë prej 22 pikësh nga vendi i dytë që mbahet nga skuadra e Mançester Sitit.

Muaji janar ashtu si pothuajse i gjithë ky sezon ka qenë mjaft i mirë për ekipin e Liverpulit, i cili ka arritur rekord pikësh.

Që nga fillimi i vitit 2020 skuadra e drejtuar nga trajneri gjerman Jyrgen Klop ka zhvilluar plot 9 ndeshje dhe ndër to ka marrë vetëm 1 barazim dhe 8 fitore. Duke filluar nga 2 janari i këtij viti djemtë e Klopit kanë shënuar plot 17 gola në të gjitha garat në vend, gjë që nuk ishte parë ndonjëherë deri më tani. E vetmja ndeshje, në të cilën nuk mundën që të triumfonin ishte ajo me skuadrën e Shrusbërit, takim që përfundoi me rezultatin 2-2.

Në ndeshjen e radhës për raundin e 1/16-ave të Ligës së Kampioneve, Liverpuli do të ketë përballë ekipin e Atletiko Madridit, i cili ndodhet në vendin e katërt të La Ligës me vetëm 39 pikë, duke i dhënë më shumë siguri për fitore klubit anglez.

Ndërsa, për sa i përket kampionatit anglez, ekipit të Klopit tashmë i mbetet vetëm zyrtarizimi, pasi me pikët e grumbulluara duket e pamundur që një skuadër tjetër t’i marrë trofeun.

Ligë 1 Paris Sent-Zhërmen ka qenë një skuadër e frikshme në këtë fillim viti, por edhe nëse do e marrin në konsideratë të gjithë sezonin 2019-2020. Janari ishte i hidhur dhe i ëmbël për Paris Sent-Zhërmenin, megjithëse ata vazhduan me lehtësi garën e tyre të pamposhtur në Ligën 1.

Kryesuesit e Ligës 1 ndodhen aktualisht në kuotën e 61 pikëve me një diferencë prej 12 pikësh nga skuadra e Marsejës, që renditet e dyta në kategorinë kryesore të futbollit francez. Që nga fillimi i janarit e deri më tani PSG-ja ka zhvilluar plot 11 ndeshje, ndër të cilat vetëm në njërën ka marrë barazim, ndërsa të tjerat kanë qenë triumfe të padiskutueshme.

Djemtë e drejtuar nga trajneri gjerman Tomas Tuhel kanë shënuar në këto takime plot 38 gola në të gjitha kompeticionet e vendit. I vetmi ekip që ka mundur të marrë një barazim nga ekipi më i mirë i momentit në Francë është skuadra e Monakos, në një ndeshje që u mbyll me barazimin 3 me 3.

Në takimin e raundit të 1/16-ave të Ligës së Kampioneve francezët do të kenë përballë skuadrën e Dortmundit, në një sfidë që deri diku mund të konsiderohet e vështirë, pasi gjermanët nuk ndodhen në momentin e tyre më të mirë. Skuadra e Dortmundit renditet e treta në kampionatin gjerman me 39 pikë.

Skuadra e PSG-së duket e pathyeshme në kampionatin vendas, megjithatë problemet e brendshme të saj mund të ndikojnë në një përkeqësim të situatës. Përplasjet midis trajnerit Tuhel dhe yllit francez Kilië Mbape, i cili duket se dëshiron me çdo kusht të largohet duket se janë një rast jo i mirë. Nga ana tjetër marrëdhëniet jo të mira midis Nejmar dhe Mauro Ikardit, po ashtu mund të sjellin largimin e njërit prej tyre dhe duket se me shumë mundësi i humbur në këtë mes do jetë argjentinasi, pasi francez nuk do e lejonin largimin e brazilianit.

Kjo situatë, nga ku duket se mund t’i largojë klubit emrat më të mëdhenj nuk është shumë favorizuese për PSG-në, megjithatë për momentin duhet të shijohet suksesi që rrallë herë është parë.

Bundesliga Sezoni në të cilin ndodhemi nuk mund të cilësohet si një nga më të mirët për kryesuesit e kampionatit më të madh gjerman njëkohësisht edhe kampionët në fuqi, megjithatë ndeshjet e fundit duket se kanë qenë deri diku të frytshme për ekipin e Bajernit të Mynihut.

Bavarezët renditen aktualisht të parët me 43 pikë dhe diferencën minimale prej një pike nga skuadra surprizë e këtij sezoni, Lajpcig, të cilët deri para pak javësh ndodheshin në krye të kategorisë. Nga fillimi i janarit deri më tani klubi gjerman ka zhvilluar vetëm 5 ndeshje, nga të cilat 4 i ka fitore, ndërsa 1 mund të cilësohet humbje e turpshme.

Takimi i parë i këtij viti ishte e vetmja ndeshje që humbi skuadra e drejtuar nga gjermani Hans-Diter Flik, e cila u mund me rezultatin e turpshëm 5-2 nga skuadra e Nurembergut. Deri më tani djemtë bavarezë kanë shënuar plot 18 gola, duke u ngritur pak a shumë në nivel që duhet të jenë.

Raundi i 1/16-ave i Ligës së Kampioneve i vendos kampionët e Gjermanisë përballë ekipit të vendit të 4-t të kampionatit anglez, Çelsit, në një sfidë që duket se nuk do të jetë shumë e lehtë për bavarezët, megjithatë gjermanët dinë sesi të ngrihen fuqishëm dhe nuk do ishte habi nëse shohim një super ndeshje nga ana e tyre.

Nëse ekipi i Flikut do të ecë me rezultatet e javëve të fundit, me plotë gojë mund të themi se në ditët në vazhdim do të shohim një Bajern të frikshëm siç duhet të jetë.

La Liga Kampionati më i madh i futbollit spanjoll gjithmonë ka pasur një përballje të fuqishme midis ekipit të Barcelonës dhe Realit të Madridit, të cilat zakonisht kanë zëvendësuar ose ndarë vendin e parë të La Ligës, ndonëse katalanasit numërojnë më shumë trofe se rivalët e tyre. Megjithatë ky sezon duket se ka qenë më i mirë për madrilenët sesa për katalanasit.

Lexo edhe :  “Pensione 500 e 1000 euro”/ Rama thumbon opozitën: Këta shesin qylyma fluturues si Sudja

Ekipi i drejtuar nga trajneri francez Zinedin Zidan ia ka dalë që ta marrë veten mirë pas largimit të yllit portugez, Kristiano Ronaldos te skuadra e Juventusit. Të bardhët e Spanjës kryesojnë kategorinë më të madhe të futbollit në vend me 52 pikë dhe një diferencë të vogël prej 3 pikësh nga kundërshtarët e përhershëm.

Deri më tani madrilenët kanë zhvilluar 8 ndeshje në të gjitha kompeticionet në vend dhe ndër to njërën e kanë humbur, ndërsa shtatë të tjerat i kanë vetëm fitore. Nga këto takime djemtë e Zidanit kanë shënuar plot 19 gola dhe i vetmi takim që kanë humbur ka qenë ai i gjysmëfinales për Kupën e Mbretit, ku u mundën nga skuadra e Real Sociedadit me rezultatin 3-4, që u konsiderua edhe i turpshëm për madrilenët.

Në raundin e 1/16-ave të Ligës së Kampioneve skuadra e Realit do të përballet me klubin anglez të Mançester Sitit, në një sfidë që duket se do të jetë goxha e vështirë për të bardhët e Spanjës. “Qytetarët” e trajnerit spanjoll Pep Guardiola janë në një moment të mirë dhe renditen të dytët në Premier Ligë me 51 pikë dhe duket se për tekniku katalanas fitorja e këtij takimi tashmë është objektivi kryesor.

Ndërsa, sa përket titullit brenda vendit skuadra e teknikut francez është goxha e favorizuar edhe nga problemet e brendshme të rivalëve të tyre të përjetshëm. Barcelona ndodhet në ditët e saj më të zeza ku konfliktet midis lojtarëve më të rëndësishëm si ai mes Lionel Mesit dhe Ter Shtegenit, si dhe nga ana tjetër ai midis po argjentinasit, por në këtë rast me drejtorin sportiv dhe ish-shokun e skuadrës Erik Abidal, i favorizojnë akoma më shumë madrilenët.

Ekipi i bardhë është në formë deri diku konsideruar të mirë dhe situata në të cilën ndodhet futbolli spanjoll i favorizon ata edhe më shumë drejt titullit kampion, kaq shumë të munguar te kjo skuadër, sa dhe vetë trajneri i tyre është shprehur së fundmi se është shumë e habitshme sesi është marrë kaq rrallë trofeu vitet e fundit.

Seria A Skuadra më e mirë, ose më saktë, skuadrat më të mira të momentit në kampionatin e fundit, por jo për nga rëndësia, pasi nëse do të bënim një kategorizim të tillë Seria A pa frikë mund të quhet e para në futbollit evropian dhe atë botëror, janë Interi dhe Juventusi me pikë të barabarta. Këto dy ekipe ndajnë momentalisht vendin e parë të Serisë A me nga 54 pikë dhe 23 ndeshje secili prej tyre. Sezoni 2019-2020 duket se i ka gjetur pothuajse gjatë gjithë kohës kokë më kokë bardhezinjtë dhe zikaltrit e Italisë.  Duke qenë se Seria A momentalisht ka dy kryesues, do të na duhet që të bëjmë një analizë të veçantë për secilin prej tyre.

Le të fillojmë së pari me ekipin e Juventusit. Bardhezinjtë e Italisë ndodhen në kuotën e 54 pikëve, me një diferencë prej vetëm 1 pike nga Lacio e vendit të tretë që vjen pas saj dhe Interit. Megjithatë, duhet theksuar se javët e fundit nuk kanë qenë më të mirat për ekipin e drejtuar nga tekniku italian Mauricio Sarri. Juve ka zhvilluar 8 takime që nga fillimi i këtij viti deri më tani, nga të cilat 6 i ka fitore ndërsa dy humbje. Gjatë këtyre sfidave djemtë e Sarrit kanë bërë plot 22 gola, që konsiderohen deri diku statistika të mirë. Mirëpo ndeshja me ekipin e Napolit dhe atë të Veronës më së fundmi duket se i ka tronditur pak bardhezinjtë, të cilët u mundën dy herë me rezultatin 2-1.

Në raundin e 1/16-ave të Ligës së Kampioneve, Juventusi do të përballet me skuadrën franceze të Lionit në një takim që duket se mund të jetë i lehtë për italianët, megjithatë asnjëherë nuk u dihet surprizave. Ndërsa, për ecurinë në Serinë A duket se marrja e trofeut do të varet edhe nga ecuria e rivalëve të momentit, të cilët duket se i kanë vënë syrin titullit dhe nuk duan të heqin dorë në asnjë mënyrë.

Skuadra e Interit nga ana tjetër s’mund të ishte në një moment më të mirë sesa pas fitores me rezultatin 4-2 në derbin me Milanin. Ashtu si Juvja edhe zikaltrit kanë një diferencë prej vetëm një pike nga ekipi i Lacios, ku kujtojmë se luan dhe portieri i kombëtares shqiptare të futbollit, Thomas Strakosha. Interi po ashtu ka zhvilluar 8 ndeshje që nga fillimi i janarit, por në ndryshim nga skuadra e Sarrit, ekipi i drejtuar nga Antonio Konte ka 5 fitore dhe 3 barazime të konsideruara deri diku të turpshme, për faktin se janë marrë nga skuadra të dobëta. Djemtë e Kontes kanë shënuar 18 gola në këto ndeshje ose 4 më pak se rivalët e tyre të momentit. Skuadrat të cilat kanë mundur të marrin barazim nga zikaltrit e Serisë A janë, Leçe, Kaljari dhe Napoli, të tria ndeshje që janë mbyllur me rezultatin 1-1. E ardhur pas këtyre statistikave, triumfi i derbit solli motivim dhe forcë tek ekipi i trajnerit italian, i cili duket i sigurt në fitoren e trofeut të këtij sezoni.

Zikaltrit duken të vendosur për të korrur sa më shumë suksese në vazhdim në Europa Ligë, por sidoqoftë pikësynimi i momentit për këtë skuadër, si dhe për Juventusin, është kryesimi i vetëm i Serisë A dhe këtë gjë do ta vendosë edhe situata e njëri-tjetrit.

5 ligat më të mëdha të futbollit evropian i kanë tashmë kryesuesit e tyre, diku me diferenca të mëdha nga vendi i dytë, si Liverpuli e PSG-ja, e diku me diferenca të vogla që mund të ndryshojnë totalisht renditjen në javët në vazhdim si Bajern, Real Madrid dhe Juventusi me Interin në Itali. Deri në përfundim të këtij sezoni na ndajnë edhe shumë javë dhe emocionet pritet të jenë gjithmonë e më të larta, por në të njëjtën kohë dhe pak ditë e Liga e Kampioneve do të rikthehet për të startuar me raundin e 1/16-ave të klubeve kampione të kontinentit evropian. Disa nga këto skuadra duket se janë me fat në takimet që u ka rezervuar fati e disa të tjera do të kenë ndeshje ferri përpara, megjithatë të jesh një prej skuadrave kryesuese të 5 ligave më të rëndësishme është një arritje e madhe dhe tregon nivel të lartë për ekipet në fjalë. Për momentin të gjashta këto skuadra ia vlen ta shijojnë suksesin e triumfin.

/Nga Katerina Tafa/ Gazeta Fjala/

Të fundit

Çmim i kripur/ Ja sa ka kushtuar fustani në daljen e fundit të Bora Zemanit

Përveçse është një nga moderatoret më të njohura dhe të përfolura, Bora Zemani shpesh di të rrëmbejë vëmendjen edhe...

Politika nuk i njeh më shqiptarët

Ben Andoni Kur dëgjon ligjërimin e fundit të z. Berisha për rishikimin e Reformës në Drejtësi, ngritjet e pensioneve dhe rrogave, kupton se ai dhe...

Abone falas/ Si të aplikojnë pensionistët për ta përfituar, çdo fund muaji duhet të…

Nga shkolla “Besnik Sykja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj rikujtoi sërish pensionistët e qytetit, që të paraqiten pranë njësisë së tyre administrative...

“Berisha s’ka njerëz luftarakë”/ Elezi: SHBA-të duan ta çojnë vendin drejt institucioneve

Në një intervistë në “Real Story” në ABC News, Ibsen Elezi, foli për situatën politike në vend, ndërsa deklaroi se është krijuar një sistem...

Amerika teston të ardhmen e PD?/ Leka: Rama e ka të sigurt mandatin e katërt

Takimi i të dërguarës me punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn me disa deputetë të Partisë Demokratike, dëshmon se SHBA i kanë mbyllur...

Lajme të tjera

Web TV