Janë më shumë se 4 mijë punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë (OSHKSH) që prej 6 ditësh nuk po marrin pagat. Punonjësit duhet të ishin paguar për punën e kryer, ashtu siç ka ndodhur prej kohësh, në ditën e parë të muajit, por kjo nuk ka ndodhur në muajin mars.
Kjo drejtori është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, dhe është pikërisht ky dikaster përgjegjës për financimin e drejtorisë.
Punonjësit e OSHKSH-së në Tiranë ankohen se jo vetëm nuk kanë marrë në kohë rrogat, por nuk kanë ende asnjë informacion për një datë të mundshme se kur paratë do të kalojnë në llogaritë e tyre. Ata kërkojnë reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë të mundur kalimin e rrogave./Fjala.al