Xhevdet Shehu: Puna ime në VOA, si i intervistova krerët e shtetit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfehet korrespondenti i parë i Zërit të Amerikës në Shqipëri: Puna 43 vjeçare me diktofon në dorë. Përse nuk ka ndër mend të dalë në pension

 Nga Leonard Veizi

I angazhuar me një gazetë studentore që tek të 20-tat e tij, tanimë, kur ka mbushur 65 vjeç e sheh se prej 45 vjetësh nga puna e përditshme ka botuar një mal me letra. I duhet të heqë veç pushimin javor dhe lejen e zakonshme. Po të mos e njohësh, nuk e beson që tanimë, ashtu në një nëndërgjegje të heshtur, ka filluar të mendojë se i duhet të mbledhë dokumentet për Sigurimet Shoqërore, e të bëjë llogari se sa do t’i kthejë shteti në formën e një pensioni, për punën e tij të shumëvitshme. Energjik e i papërtueshëm, ai është i përditshëm në shtypin e shkruar me intervista, opinione e shkrime problemore. Ndërsa shokët e tij përtojnë të ngrihen nga karriget e zyrave ku janë rehatuar prej kohësh, Xhevdet Shehu mbetet një gazetar terreni me diktofon në xhep, e stilolaps në dorë. Me një punë aktive në gazeta të ndryshme, autori i disa librave dhe me një kolanë prej njëzet vëllimesh të përkthyer, kulmin e karrierës së tij e ka pasur tek një prej platformave më të mëdha mediatike të botës, “VOA” si korrespodenti i parë shqiptar i saj. E për më shumë se kaq, për gazetën FJALA, ai rrëfen:

Keni shumë vite që punoni si gazetar, si e ndjeni veten kur ktheni kokën pas?

Që prej vitit 1977 bëhen 43 vite punë si gazetar profesionist. Kur e kthej kokën pas tmerrohem, sepse është gjithë ajo punë, lodhje fizike e mendore. Por ndiej dhe një kënaqësi të paparë, sepse në këtë profesion unë kam njohur pafundësisht njerëz,situata, ngjarje. Kam njohur më mirë historinë e popullit e të vendit tim dhe më është shtuar dashuria për të. Ndryshe nga ata që mendojnë se Shqipëria nuk bëhet dhe duan të ikin, mua kjo s’më ka shkuar në mendje, madje edhe fëmijët i kam mbajtur këtu, me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për këtë vend.

Sa e vlerësoni profesionin e gazetarit?

Është nga më të bukurit në botë, pikërisht për shkak të situatave të pambarimta që të krijon dhe që të mban gjithnjë në lëvizje, të motivuar, duke të shtuar frymën krijuese. Gazetaria është një shkollë e madhe, sepse të mëson se si duhet të komunikosh me njerëzit. Gazetari është misionar në jetën tonë shoqërore. Ai është një opinionbërës me ndikim shumë më tepër se një deputet apo ministër. Sepse zyrtarët e shtetit janë të përkohshëm, por gazetari mbetet.

Keni milituar në ndonjë parti politike?

Nuk kam qenë asnjë ditë në asnjë parti politike. Kam qëndruar jashtë partive politike edhe pse gjatë sistemit komunist gjithashtu kam qenë gazetar dhe nuk më kanë munguar ofertat si atëherë si më pas për të qenë pjesë e politikës. Nuk u josha asnjëherë, duke ditur peshën dhe rëndësinë e gazetarit si misionar i së vërtetës. Këtu lind edhe përgjegjësia e madhe morale dhe politike e gazetarit për të kryer sa më mirë këtë mision.

Si e perceptoni ligjin e fundit “antishpifje”?

Nuk kam frikë nga këto ligje. Unë i di vijat e kuqe dhe ato të bardha, kam etikën time gazetareske, nuk fyej dhe nuk shaj kërkënd, dhe e kam mbështetur gjithë punën time tek argument dhe logjika. Fakti është se gjatë këtyre 43 viteve punë si gazetar profesionist, unë nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë apo gjykatat, që të më këtë çuar dikush në gjyq për shpifje apo për denigrim të figurës. Si i tillë ndihem krenar që e kam luajtur rolin që më takon në shoqëri, dhe kjo më bën që të vazhdoj punën dhe tani që mbusha 65 vjeç.

A dalin gazetarët në pension? Ose ti vetë ke ndër mend të dalësh në pension?

Jo. Amerika e ka zgjidhur këtë problem. Aty mund të punosh sa të kesh fuqi. Edhe 80 vjeç nëse je frytdhënës. Unë nuk kam ndërmend të dal në pension. Po më nxorën është tjetër gjë. Por nuk besoj, sepse gazetarët janë të nevojshëm dhe unë besoj se do të vazhdoj të kontribuoj.

Kulmi i karrierës është punë tek “Zëri i Amerikës”. Përvoja juaj?

Kam qenë me fat që në kapërcyell të sistemeve më ra shansi të punoj si korrespodent i “Zërit të Amerikës” në Shqipëri. Si i tillë kam përcjellë të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në vend në fillim të viteve ’90, me aq mundësi sa pata dhe për shkak të vështirësive të mëdha. Ndihem krenar që kam bërë këtë detyrë dhe kjo ka qenë vërtet si një nga kulmet e karrierës time.

Lexo edhe :  Rama inspekton ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit

Mendoni se kjo punë veç miqve krijon dhe kundërshtarë?

Natyrisht që nuk janë të kënaqur të gjithë, dhe është e pamundur të kënaqen të gjithë me opinionin tim, sepse në fund të fundit është një mendim subjektiv i imi për zhvillimet në Shqipëri. Por unë më mirë të shkruaj dhe të flas se sa të hesht. Nuk jam një sehirxhi i zakonshëm apo një qytetar i papërgjegjshëm. Kam përgjegjësinë dhe ndërgjegjen time si gazetar dhe këtë e bëj, mendoj, në mënyrë të mjaftueshme.

Ju njiheni dhe si përkthyes. Cilat janë librat më interesantë që keni sjellë për lexuesit?

Më janë bërë rreth 20 libra. Fatmirësisht autorët janë bashkëkohorë dhe të gjallë, me të cilët kam pasur kontakte. Janë Xhejms Petifer e Miranda Vikers dy historianë anglezë. Është Bato Tomasheviç, një mik i Shqipërisë, i cili u nda nga jeta më shumë se një vit më parë. Është Piter Lukas që jeton në Amerikë, por edhe Evërill Kamerun në Angli. Ndër librat më të rëndësishëm që kam përkthyer janë: “Në syrin e ciklonit” një libër voluminoz i Xhorxh Tenet me kujtimet nga koha kur drejtonte CIA-n amerikane. “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, i Bato Tomasheviç është gjithashtu një libër i mrekullueshëm. Më pas vjen korpusi i librave të Xhejms Petiferit dhe Miranda Vikersit, që flasin për historinë shqiptare. Libër shumë i rëndësishëm është “Misioni Amerikan në Shqipëri” i Piter Lukasit, i shkruar me objektivitet dhe i mbështetur mbi dokumente autentike të dhënë nga CIA. Personazhe të rëndësishëm të atij libri zgjojnë gjithnjë interes pasi kryepersonazhi është Enver Hoxha, por është dhe Mehmet Shehu e Harri Fulci, që ishte dhe shefi i misionit amerikan me qendër në Bari. “Misioni Amerikan në Shqipëri” është ana tjetër e medaljes së librit “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” të Enver Hoxhës.

Puna e paanshme

Në filtrin e gazetarit

Në shtypin e kohës ai ka sjellë në vazhdimësi zëra të nomenklaturës së vjetër, ata që janë më të kontestueshmit, zakonisht. Dhe ja si i përgjigjet Xhevdet Shehu pyetjes se sa i shërben një gjë e tillë lexuesit? “Nuk jam ndrojtur që të marr në intervistë këdo që është pjesë e historisë. Tek “Zëri i Amerikës” unë kam marrë në intervistë Leka Zogun. E mora si gazetar jo se isha zogist. Kam intervistuar kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhin, dhe jo se jam ballist. Por kam intervistuar edhe personalitete të jetës kulturore, që nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare e me radhë. Më pas kam intervistuar të gjithë presidentët e Shqipërisë, të gjithë kryeministrat, me të cilët kam krijuar njohje dhe miqësi dhe e quaj veten me fat që kam komunikuar me ta ku secili ka dhënë përvojën e tij në politikë apo në drejtimin e shtetit. Këtu nuk mund të përjashtoja edhe kontaktet me Nexhmije Hoxhën, gruan e Enver Hoxhës, që sundoi Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Ndërkohë që Enver Hoxha ka 35 vjet që ka vdekur, kjo zonjë jetoi gjatë dhe ka lënë shumë kujtime, sepse në 20 vitet e fundit ka shkruar 6 libra ku të fundit e botoi një muaj para se të ndërronte jetë. Dhe nga kontaktet e vazhdueshme që kam pasur me të, unë kam zbuluar edhe gjëra të tjera që janë të pathëna nga historiografia shqiptare. Gazetari nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me personalitete të historisë e politikës kap nuanca që s’i kap një sy i zakonshëm. Kap mimikën kur i bën një pyetje të vështirë, një gjestikulacion, një nervozizëm apo kënaqësi të atyre kur flasin për atë periudhë. Dhe unë i kam pyetur për të gjitha problemet e asaj kohe, që nga spastrimet politike, vdekjet e vetëvrasjet e dyshuara, të gjitha i kam pasqyruar në shtyp. Por edhe kjo nuk do të thotë se unë jam enverist apo nostalgjik i diktaturës. Para disa vitesh unë botova një libër me titullin “Prapaskena” me hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste. E bëra këtë si gazetar jo si historian, ku futet edhe meditimi, analiza, logjika dhe intervista që kam pasur me personalitetet. Ata që e shohin bardhezi atë periudhë gabojnë. Sepse edhe në atë periudhë ka pasur arritje, siç ka pasur edhe krime, dhe probleme të tjera. Ndaj dhe u përmbys”.

Të fundit

Zbrazja e Shqipërisë, “amnistia“ Bardhi dhe liria e shtypit

Nga Ben Andoni Problemi më i madh (nga të fundit) i ditëve të sotme, që iu adresua Shqipërisë, lidhej me...

Balla i feston Pashkët në Vlorë/Apel për gratë e vajzat:Askush s’ka lindur për të vuajtur

Në festën e bekuar të Pashkëve, ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte në Qendrën “Vatra” në Vlorë, ku janë akomoduar vajza e gra, viktima...

Krist Aliaj nuk ka mendim të mirë për romancën Heidi-Romeo

Kristi Aliaj iu bashkua të ftuarve në “Fun Club” për të folur rreth ngjarjeve të fundit në BBV. Ish-banori i shtëpisë më të famshme,...

“Mos u dorëzo”, takim drithërues mes Romeos dhe të vëllait!

Ishte drithërues takimi mes Romeo Veshajt dhe të vëllait të tij, Marios. Pas një rrëfimi emocionues në linjën e jetës, Romeo u surprizua nga vëllai...

“Jam Taulant Balla, më duhen 100 mijë euro”/ Biznesmeni bie pre e mashtrimit

Një biznesmen në Prrenjas ka rënë pre e një mashtrimi pasi dikush është shtirur si ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe i ka kërkuar...

Lajme të tjera

Web TV