“Kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetuës, që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për aq kohë sa ai është në këtë detyrë.” Kjo ishte përgjigjja që presidenti Ilir Meta dha në emisionin “Hard Talk” në Fjala.al, teksa gazetari Roland Qafoku i kujtoi betejat më të rëndësishme që ai ka patur përgjatë viteve si politikan.
I pyetur nëse beteja e fundit për Gjykatën Kushtetuese është më e forta në të gjithë karrierën e tij politike, Meta dha këtë përgjigje: “Nuk e di se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që… Do dëshiroja të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitetit Kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend sepse kur bëhet fjala për betejën në mbrojtje të Kushtetutës, nuk bëhet fjala thjesht për të mbroijtur një dokument. Unë sapo vij nga një vizitë tre ditore në zonën e Kolonjës, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë ku pashë disa zhvillime pozitive siç ishte qendra e re e Ersekës, që e kanë ndryshuar pamjen dhe disa investime të tjera, por ajo që më trishtoi shumë që më bind edhe një herë në bërjen e kësaj beteje për të rikthyer Kushtetutën, ligjshmërinë, shanset e barabarta të qytetarëve, është pikërisht fakti që njerëzit vazhdojnë të largohen, zonat vazhdojnë të zbrazen, dhe kjo është shokuese për të ardhmen tonë dhe për ato investimet që ju përmendët dhe që unë i përmenda mbeten pa vlerë sepse mbeten pa njerëz nëse do të vazhdojnë kështu. Mos harrojmë që bëhet fjalë për një zonë me resurse të jashtëzakonshme, që edhe në të kaluarën ka qenë e zhvilluar, gjithë zona e Leskovikut, Kolonja dhe është zona apo krahina që përsa i takon Rilindjes Kombëtare nuk ka një të dytë që ka bërë aq shumë për gjuhën tonë, për Kongresin e Manastirit, për alfabetin dhe pavarësinë tonë. Duhet të rikthejmë besimin e njerëzve për të qëndruar këtu, për tu kthyer këtu dhe për të zhvilluar vendin tonë.”
https://youtu.be/fy6C0cTdczQ