Shkruaj e botoj në shqipe, qysh pas ardhjes sime në Greqi e tani që po flasim. Tentoj dhe provoj vetë edhe në greqishte, por sa për qejfin tim. Nuk pretendoj të arrij të bëj në greqisht atë që kam bërë e bëj shumë mirë në gjuhën shqipe.
Nga Leonard Veizi
Tanimë i përket dhe botës greke, megjithëse shqiptar mbetet gjithsesi. Prej vitesh rreket të bëjë me alfabetin helen atë çfarë bën lehtësisht e rrjedhshëm me alfabetin latin. Dhe së fundi ka arritur të ketë botime veç gjuhës bazë edhe në një gjuhë tjetër. I lindur në Korçë dhe rezident në Selanik, Edmond Shallvari, poet e prozator së bashku, vjen në këtë intervistë për gazetën “Fjala”, duke treguar vështirësitë e momentit dhe ato që kanë kaluar tashmë për një njeri dhe shkrimtar gjithashtu.
-Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto ditë?
Nëse karantinën mund ta quaj si një gjendje ngujimi brenda njërës pjesë të përmasës së kohë-hapësirës të jetës së njeriut, unë pata fatin të jetoja pjesën tjetër të kësaj përmase, që ishte dhe vazhdon të jetë ajo jashtë karantinës. Dhe kjo sepse nuk u ndërpre puna. Por ndërsa puna nuk u ndërpre, ndryshuan shumë relacionet e mia me mjedisin, lëvizjet dhe njerëzit. Jetova pra karantinën jashtë karantinës dhe kjo është një përvojë e veçantë, që do më ndjekë dhe ndikojë jo pak në jetë dhe krijimtari.
-A ka qenë frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Frymëzimi ndodh që të lindet dhe nga diçka e padukshme, e pazhurmshme dhe e paprekur nga njerëzit, por që për mua shfaqet në shpirt e fantazi njëlloj si e dukshmja. E tillë ishte kjo situatë, sa e dukshme, aq dhe e padukshme, sa e zhurmshme, aq dhe e pazhurmshme, sa e prekshme, aq dhe e paprekshme. Me fjalë të tjera, sa reale aq dhe ireale, sa e vërtetë, aq dhe absurde. Është e pamundur që kjo gjendje kaq e ndryshme nga e mëparshmja, mos ngacmojë e frymëzojë njeriun në përgjithësi dhe atë të artit letrar në veçanti. As vetë nuk di si u radhitën fjalët në vargje dhe vargjet formësuan disa poezi, si u radhitën fjalët në fraza dhe frazat formësuan disa shkrime të shkurtra prozaike dhe në formë refleksionesh apo përsiatjesh. Por di të them se nuk kishte maskë, dorashka dhe karantinë, që të më shpëtonte nga efektet e koronovirusit. Këto efekte në gjuhën tonë quhen frymëzim apo muzë.
-Çfarë ka ofruar Selaniku, apo ndryshe Thessaloniki, në një situatë të tillë?
Atë që rrallë apo asnjëherë nuk na është ofruar më parë. Një dualitet të kundërtash nga të cilat determinohej fati i jetës sonë. Qyteti mori pamjen e dy muajve të verës kur boshatiset nga makinat dhe njerëzit. Por ato dy muaj janë muaj pushimesh, argëtimesh, banjash në det dhe kush mbetet në qytet i kënaqet qetësisë së bukur. E njëjta qetësi në kushtet e karantinës e humbi bukurinë e saj. Sado e bukur qoftë natyra, sado i bukur të jetë qyteti, kur jeta njerëzore vihet në rrezik dhe atë rrezik e jeton në çdo çast të ditës e natës, asgjë e bukur nuk të hyn në sy. Megjithatë kjo gjendje qetësie e frikshme kishte dhe efektin pozitiv në shpresën dhe besimin e njerëzve se vetëm kështu mund ta shmangim rrezikun për jetën. Dhe Thessaloniki na e ofroi këtë besim e shpresë.
-A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv që në të ardhmen të kemi krijimtari rreth saj?
Siç thashë më lart, jetova karantinën jashtë karantinës dhe kjo për mua është dyfish ngacmim, premisë e motiv për ta hedhur në letër.
-Krijimtaria juaj, cili është raporti i botimeve në gjuhën shqipe dhe në atë greke?
Nuk bëj raporte botimesh as brenda një gjuhe, as mes dy gjuhëve. Shkruaj e botoj në shqip, qysh pas ardhjes sime në Greqi e tani që po flasim. Tentoj dhe provoj vetë edhe në greqisht, por sa për qejfin tim. Nuk pretendoj të arrij të bëj në greqisht atë që kam bërë e bëj shumë mirë në gjuhën shqipe. Prandaj i besoj vetëm përkthyesit dhe bashkëpunimit me të. Falë këtij bashkëpunimi me përkthyesin e njohur Niko Anagnosti, arrita të bëj realitet ëndrrën time për përkthimin dhe botimin e romanit të parë në gjuhën greke. Kurse për librin me poezi ishte një bashkëpunim krejt i veçantë me poetin e njohur grek Ilias Tsehos, mosnjohës i shqipes. Ai i bëri poezitë e shkruara nga unë në greqisht, të flasin bukur greqisht. Them që ai bëri një përkthim dhe përshtatje të mrekullueshme nga greqishtja në greqisht. Gjithashtu aktivizohem në faqe letrare greke dhe është viti i katërt radhazi që poezia ime përfshihet dhe botohet tek Kalendarët letrarë e artistikë në Greqi.
-Cila ka qenë primare në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Duke mos qenë në izolim shtëpiak, por në lëvizje nga shtëpia e anasjelltas, nuk pata ndonjë ndryshim në relacionin me penën dhe librat. Leximet më tepër u përqendruan internetit për lajmet, njoftimet dhe shkrimet e ndryshme për situatën, deri në ato me fantazira dhe jashtëtokësorë, kurse nga librat po përmend vetëm romanin “Frika” të mikut të penës Fatmir Minguli. Pjesa tjetër e kohës së lirë, që për mua ishte dhe është tepër e kufizuar, u kalua me vargëzime dhe proza të shkurtra.
Biografia letrare e Edmond Shallvarit
Poeti dhe shkrimtari shqiptaro-grek Edmond Shallvari është lindur në Korçë, në 30 korrik 1957.
Ka kryer studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, i diplomuar në vitin 1982.
Ngjarjet tragjike të 1997-s e detyrojnë të largohet familjarisht për në Thessaloniki të Greqisë.
Vepra letrare e botuar në Shqipëri:
-Libri me shkrime e kujtime, “E megjithatë…jetojmë! (2006)
Librat me poezi:
Diku…Dikë…Dikush… (2008)
Ç’u bëmë kështu! (2008)
Mos e ndiqni hijen! (2009)
Më foli heshtja (2010)
Absurditet apo… (2014)
Librat në prozë
Romani “Facebook-koobecaF” (2012)
Romani “Njëmbëdhjetë ditët e rrëfimit, plus Një” (2015)
Romani “Unaza e diamantë” (2016)
Romani alternative “Unë dhe MY ALTER EGO” (2017)
Libri me tregime “Edeni tjetër” (2017)
Romani “Në urbanin e fantazive. Dhanai dhe Orfea” (2019)
Libri me tregime dhe shkrime psikoanalitike, “Misteri i një lajmi” (2019)
Vepra letrare e botuar në Greqi:
Romani “Tο καστρο των σκιων” (Kështjella e hijeve) 2016
Libri me poezi “Με το βλέμμα του Ομήρου” (Me vështrim të Omerit) 2018