Leart Rama/ Ditari i një Prishtine të heshtur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Regjisori i ri kosovar që tërhoqi vëmendjen e mediave prestigjioze ndërkombëtare për “krijimtarinë” e veçantë në kohën e pandemisë. Copëzat e jetës së “lirë” që përcilleshin në shtëpitë e qytetarëve të mbyllur në shtëpi

Nga Alessia Selimi

COVID-19 bëri që njerëzit të qëndronin për rreth dy muaj brenda katër mureve të shtëpisë. Teksa frika për jetën ishte e pashmangshme, shumë prej tyre punuan përpara një kompjuteri, si dhe në të njëjtën mënyrë u informuan, u argëtuan e, madje kryen blerje të domosdoshme. Leart Rama bëri diçka të pazakontë, u solli njerëzve copëza të Prishtinës, që nuk do t’i shihnin për një kohë të gjatë. Me nota muzikore që prodhojnë ndjesi, por edhe me poezi nga emra të njohur të letërsisë botërore, si të shkrimtarit amerikan Edgar Allan Poe.

Ky djalë i diplomuar për regji filmi dhe televizioni në Universitetin e Arteve në Tiranë, prej pak vitesh regjisor i filmave me metrazh të shkurtër, mund të cilësohet pa frikë si një nga ata të rinj në të cilin hedh shtat ndjenja qytetare dhe përgjegjësia për të konkretizuar një ide. Jo më kot ka tërhequr edhe vëmendjen e prestigjiozes britanike BBC.

“Shpresë”, “Dua të shkoj”, “Larg”, “N’Terr”, “Ëndërr”, “M’ka marrë malli”, këto episode përmblidhen në atë çka e quan “Ditari i Koronës”. Dhe një prej tyre ka arritur të marrë vetëm në rrjetin social “Facebook” mbi 50 mijë klikime nga e gjithë bota.

Learti rrëfen për gazetën “Fjala” se si i lindi ideja për të dokumentuar gjendjen e kryeqytetit të Kosovës gjatë izolimit, si dhe vështirësitë për t’i dhënë jetë në një kohë, kur kjo e fundit rrezikohej nga një armik i padukshëm. Duket se për të ka shërbyer si shtysë një udhëtim i lënë përgjysmë për xhirimet e një filmi dhe ballafaqimi me një Prishtinë të mbyllur, të heshtur dhe të boshatisur. Learti e mban mend fare mirë atë ditë, kur nga një telefonatë urgjente i kërkohej të rikthehej në vendin e lindjes.

“Një ditë përpara se të komunikohej zyrtarisht ekzistenca e COVID-19 në Kosovë, kisha dalë me shoqërinë në qytet për t’u përshëndetur, sepse do të ikja në Gjermani për xhirimet e një filmi. Kur po futesha në aeroport të nesërmen, e shihja që gjithçka ishte shumë e çuditshme, por kjo nuk e ndali udhëtimin tim. Një orë pasi mbërritëm në hotel, më morën në telefon. Duhej të kthehesha në Prishtinë, pasi kufijtë do të mbylleshin”, tregon fillimisht Learti.

“E gjithë ajo ditë kaloi me frikën se mos nuk gjenim bileta kthimi. Anulim pas anulimi, 5 trena dhe 3 avionë…. Mbërritëm në Prishtinë pas 24 orësh dhe po kaloja në të njëjtin vend ku u përshendeta me miqtë. Dukej si vend i kapluar nga një apokalips, në gjendje lufte dhe nuk po arrija ta procesoja se sa shumë gjëra kishin ndryshuar në një ditë të vetme. Ishte pikërisht kjo menlakoli që më kaploi e më dha shtysën që të bëj diçka për të”, vijon ai duke u ndalur gjatë te realiteti filmik, “Corona Diary”.

Lexo edhe :  Mbledhja e dy Kuvendeve, kritika dhe vizione për bashkëpunim ndërkombëtar

“Nga e nesërmja vendosa së bashku me aktorin Redon Kika, me të cilin kam hapur prej kohësh dyert e një kompanie filmike (Katarzë Films), që t’u sillnim njerëzve pranë qytetin e Prishtinës. Ishte e dhimbshme, por njëkohësisht edhe e bukur se si ata e pranuan menjëherë që jetën do ta vazhdonin në pak metra katrorë dhe bota e tyre e jashtme do të ishin veçse dritaret dhe ballkonet”, thotë Learti teksa thekson se përjetimet e tij në karantinë pashmangshmërisht janë paraqitur edhe në episodet e përgatitura filmike.

“Ndjesitë e mia mundohem gjithmonë t’i reflektoj në punët që bëj. Por ky ishte një rast që nuk kërkonte kurrfarë angazhimi, në sensin që gjendja emocionale ishte e pamundur të mos shfrytëzonte shtigjet artistike. Ndonjëherë ditët kalonin shumë shpejt, ndonjëherë ishin shumë të gjata dhe s’mbaronin kurrë…”, shprehet Learti duke shtuar se i gjithë procesi i krijimit i ofroi disi imunitet ndaj frikës dhe ankthit për jetën.

Regjisori i ri pohon se gjatë pandemisë COVID-19 gjithashtu mbylli punë që ndoshta më herët pretendonte se nuk kishte kohë, si dhe lindën bashkëpunime e projekte të reja, si videoklipi më i fundit i këngëtarit Shpat Deda. Learti thotë se si artist i pavarur dhe njëkohësisht edhe si themelues i “Katarzë Films”, nuk do të merret me asgjë tjetër përpos rrëfimit dhe ekplorimit të këtij zhanri në të gjitha fushat e artit. Megjithatë, për sa u përket realizimeve të deritanishme, Learti shprehet të jetë tejet i kënaqur me atë çka ka krijuar. Ai thekson se në Kosovë duhet të punosh shumë që të arrish diçka të vogël, dhe se mungon po kaq shumë përkrahja e artistëve.

Laerti duket se e ka të pamundur të mos ndalet në periudhën kur kurba e të prekurve në Kosovë nga COVID-19 ishte në rritje.

“Gjatë pandemisë nuk kam parë asgjë tjetër veçse shpresë në sytë e të gjithë njerëzve, shpresë dhe mallëngjim për ditët e vjetra dhe për momentet që nuk i kemi vlerësuar si duhet. Bota nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë pas kësaj, por unë jam shumë optimist që do të ndryshojë për mirë, se ne do të ndryshojmë për mirë”, thotë Learti.

“Ne njihemi si njerëz rebelë dhe ndonjëherë kokëfortë, por do të thosha se prishtinasit janë përballur shumë mirë me këtë pandemi globale. Nuk kam dëgjuar askënd të ankohet, ndoshta sepse të gjithë e dinin se nuk janë të vetëm, si shpirtërisht, ashtu edhe financiarisht. E njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Ata pohojnë se nuk kanë ndier aspak frikë, vetëm mall të shtuar për mua, pasi nuk u pamë dhe nuk u përqafuam për një kohë shumë të gjatë”, përfundon ai.

Të fundit

Festat, Shqipëria tërheq të huajt: Shumë prenotime nga italianët dhe bullgarët

Këtë fundvit, Shqipëria është shndërruar në destinacionin e preferuar të italianëve dhe bullgarëve për të festuar Vitin e Ri. “Ka...

‘Çmendet’ moti/ Përmbytjet bëjnë ‘kërdinë’ në këtë vend, rrugët kthehen në lumenj

Stuhia e fortë ‘Elena’ bëri kërdinë në rrjetin rrugor të Atikës në ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor. Reshjet e rrëmbyeshme në zonën më të gjerë...

Sa kilogramë shtojmë gjatë festave të fundvitit?

Periudha e festave është kritike për ata që i druhen mbipeshës. Gjasat që njeriu ta teprojë me ushqimin gjatë ditëve të festave janë shumë...

7 këshilla për të rritur motivimin në 2025-ën!

Në 2025-ën kujdesuni që planet tuaja të jenë të qëndrueshme. Më poshtë gjeni disa këshilla që do t'ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja! 1.Dëshira për...

Avokati paralajmëron padi të re ndaj Berishës: Falsifikoi datën e lindjes

Një tjetër kallëzim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të përfundojë në SPAK. Është avokati Idajet Beqiri, i cili paralajmëron se do ka ‘kopsitur’...

Lajme të tjera

Web TV